Shteti shqiptar po i tregon “dhëmbet” Greqisë, teksa ka kërkuar në një ditë atë që se ka kërkuar kurrë më parë publikisht: Heqjen e ligjit të luftës nga Athina dhe zgjidhjen e çështjes çame. Ka qënë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që në takim me homologun e tij grek, njëherësh dhe zv.kryeministër, Evangelos Venizelos është shprehur në mënyrë të drejtëpërdrejtë për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia i vendosur që në vitin 1940, ndërsa tha se çështja çame është në dosjen diplomatike të kësaj qeverie.
Ligji i luftës
Ministri i Jashtëm Bushati është shprehur se Greqia është një partner strategjik i Shqipërisë. Bushati ka vlerësuar politikat mbështetëse të qeverisë greke ndaj komunitetit shqiptar në Greqi e inkurajuar programet integruese, duke kërkuar njëherësh heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia. “Çmojmë rolin e minoritetit grek në Shqipëri. Shqipëria ka pjesë të traditës së saj të mirë, respektimin e lirive themelore për pakicat në përputhje me Kushtetutën e angazhimet ndërkombëtare.
Ndërmjet dy vendeve tona, ekziston një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi, që për ne përbën gurin e themelit të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe e adresimit brenda këtij kuadri ligjor e institucional të gjithë çështjeve që kërkojnë trajtim, larg çdo lloj nuance e retorike nacionaliste, që përpiqet të dëmtojë miqësinë mes dy popujve tanë.
Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuara nga Traktati i Miqësisë e Bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e ligjit të luftës të 1940 nga ana e Greqisë, që në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të fqinjësisë së mirë, përkatësisë transatlantike, rrugëtimit Evropian dhe miqësisë të hershme ndërmjet dy popujve tanë, do krijonte një mjedis të ri të besimit të ndërsjellë. Dhe njëkohësisht, do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me praktikat e konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare”, tha Bushati.
Por ka ardhur përgjigja e kreut të diplomacisë greke, Venizelos që tha se “Greqia nuk ka frikë nga asgjë, e kemi kapërcyer pengesat e kaluara historike. Gjendjen e paqes mes Greqisë e Shqipërisë, Greqia e ka shpallur që në vitin 1987, me vendim të Këshillit të Ministrave. Që në vitin 1986 gjithkush që ka diçka për të kërkuar tek kuadri ligjor grek ka të drejtën t'u drejtohet edhe Gjykatës Ndërkombëtarë të Strasburgut”. Ai ka përsëritur dhe njëherë për gazetarët shqiptarë “OSBE mbështetet mbi parimin e mos ndryshimit të kufijve. Kushdo që mendon se ka inters që i cënohen nga ligjet greke që nga 1986 ai ka mundësi t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, të shkojë në mënyrë personale”, tha ai.
Çështja çame
Ministri i Jashtëm grek Venizelos nuk ka preferuar të flasë për çështjen çame, kur ka nënvizuar se s’është në dijeni të rezolutës së saj e për këtë mund të flasë vetë Bushati. Ndërsa ministri shqiptar tha se çështja çame është pjesë e dosjes diplomatike të Shqipërisë me Greqinë. “Besoj se pyetja që shtrohet është paksa e tejkaluar për faktin se përsa na përket ne, qeverisë shqiptare, ajo që njihet si çështja çame është pjesë e dosjes sonë diplomatike me Greqinë.
Dhe sot, është momenti që realiteti të shihet në sy, të tejkalohen pengesat e së shkuarës, ato që njihen si pengesa historike një nga një, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal dhe evropian dhe jo ti lemë terren nacionalizmit folklorik që në mungesë të adresimit të kësaj çështjeje dhe çështjeve të tjera, në përputhje me praktikën ndërkombëtare, tenton që t’a mbajë peng marrëdhënien mes dy popujve miq dhe pse jo, në disa raste të shkojë në absurditet që nuk i shërben marrëdhënieve tona të konsoliduara”, tha Bushati. Ai nënvizoi se Shqipëria ka të gjithë vullnetin politik për të trajtuar të gjitha çështjet dhe asnjë çështje edhe nga ato që shtrohen nga pala greke, siç tha Venizelos për sa i përket rrithirrjes së komisionit për varrezat e ushtarëve grekë, nuk përbën tabu. Mes dy ministrave u ra dakord që për çështjen e varrezave të mblidhet komisioni dypalësh për të gjetur zgjidhje.
Kufinjtë detarë
Ministri i Jashtëm grek Venizelos thotë se ndarja e kufijve detarë, delimitimi i sheflit kontinental ka shumë rëndësi për nga pikëpamja ekonomike, për shkak të zonave ekskluzive ekonomike. “Baza e përbashkët e "Vitit Mesdhetar" që është një ndër vitet që përbëhet nga presidencat e njëpasnjëshme të Greqisë e Italisë, është politika e integruar detare, që në epiqendër ka Mesdheun. Të gjithë vendet anëtarë të BE kanë të drejtën ndërkombëtare mbi detin dhe konventën ndërkombëtare të OKB. Kjo është e qartë se kriteret e Kopenhagenit vlejnë dhe për ato vende kandidate për anëtarësinin në BE. Ka një praktikë europiane, dhe një shembull është rasti i Italisë e Greqisë.
Kemi delimituar shelfin tonë kontinental që nga viti 1977 dhe gjatë vizitës së tanimshme në Romë ramë dakord që të shtrijmë dhe në zonat tona detare, psh: në zonat ekskluzive ekonomike detare, po në Mesdhe, në Adriatik e Jon, nuk ka asnjë ndryshim. Ekziston një praktikë europiane, shembulli greko-italian, e jam i sigurtë se në të njëjtën drejtim do lëvizim në Shqipëri sepse kemi pranuar të njëjta rregulla e parime” tha Venizelos. Nga ana e tij Bushati u shpreh se qeveria shqiptare ishte e gatshme të adresonte çështjen pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë si kristali. “Përgjigjen për paktin e ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
Sot nuk shtrohet më pyetja për qeverinë shqiptare si e lexon vendimin e Kushtetueses, pasi është i qartë si kristali. Për qeverinë shqiptare shtrohet pyetja si do ecet përpara për t'i dhënë një zgjidhje kësaj çështje e cila është e rëndësishme për Shqipërinë, Greqinë dhe projektet e përbashkëta për rajonin e Mesdheut. Përgjigja ime është shumë e drejtëpërdrejtë: Duam të adresojmë të gjitha çështjet si ato që konsiderojmë pengesa historike dhe ato që janë krijuar rishtazi me kurajo e vullnet politik, bazuar në legjislacionet e vendeve respective, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare”, tha Bushati.
Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)