Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe
Mali i Zi, bashkëpunim për përmbytjet

Prizren, Kosovë – Përmbytjet e javëve të fundit nxorën edhe njëherë në pah nevojën për një sistem parashikimi me qëllim lajmërimin në kohë të banorëve të prekur nga këto fenomene.
 
Vendet e basenit të lumit Drin, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi janë prekur në mënyrë të vazhdueshme nga përmbytjet gjatë viteve të fundit duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe sociale mbi banorët e këtyre zonave. Për këtë arsye është e rëndësishme që vendet e këtij baseni të punojnë së bashku për të krijuar sisteme efektive për paralajmërimin dhe menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve.
 
Pas dy vitesh përpjekjesh dhe pune të përbashkët drejtuesit e instituteve hidro-meteorologjikë të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht z. Fatos Hoxhaj, z. Luka Mitrović, znj. Letafete Latifi, z. Oliver Romevski nënshkruan të martën në Prizren një Memorandum Mirëkuptimi mbi shkëmbimin e të dhënave.
 
Këto institute janë mbështetur vazhdimisht nga projekti rajonal “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
 
Projekti vepron në të katër vendet dhe, veç të tjerash,  po ndihmon institutet hidro-meteorologjike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës për të shkëmbyer në kohë reale të dhënat hidrometeorologjike, me qëllim përmirësimin e paralajmërimit në kohë të popullsisë në rast përmbytjesh.
 
“Situata e javës së kaluar tregoi se ajoçfarë po bëjmë sot është shumë e rëndësishme, sepse ka impakt të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. Gjithashtu përmbytjet treguan sa të rëndësishme janë institucionet tuaja. Pa punën tuaj të mirë i gjithë sistemi i emergjencave civile dhe mbrojtjes nuk mund të funksionojë. Ky bashkëpunim që vendoset sot është një garanci që herën tjetër që do të ndodhin përmbytjet njerëzit do të lajmërohen në kohë dhe për rrjedhojë dëmet ekonomike dhe sociale do të jenë më të vogla” ,tha Gerrit Bodenbedner, drejtori i projektit të GIZ-së në fjalën e tij përshëndetëse.
 
Nga ana e tyre drejtuesit e instituteve meteorologjike nënvizuan se është e rëndësishme që të punohet bashkë në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm për të pasur një sistem paralajmërues efektiv, por edhe për të lobuar pranë institucioneve ndërkombëtare si Organizata Botërore e Meteorologjisë për më shumë mbështetje me qëllim forcimin e rolit të instituteve.
 
“Komunikimi është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e punës sonë. Ky memorandum mirëkuptimi është në interesin e të gjitha instituteve hidro-meteorologjikë të vendeve tona dhe dua të falenderoj GIZ-në për mbështetjen që na ka dhënë vazhdimisht,” tha z. Fatos Hoxha, drejtor i IGJEUM-it në Shqipëri.
 
GIZ ka ndihmuar institutet hidrometeorologjikë të të katër vendeve me pajisje matëse të prurjeve të lumenjve. Gjatë dy ditëve të takimit në Prizren, hidro-meteorologë nga të katër vendet patën mundësinë të kryejnë matje të përbashkëta në lumë për t’u siguruar që të dhënat e siguruara prej pajisjeve sipas parametrave të njëjtë. Të dhënat e marra nga prurjet e lumenjve dhe shkëmbimi i tyre në kohë reale mes vendeve, kombinuar me hartat e detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet dhe modelin hidrologjik të basenit të lumit, do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret nga katër vendet.
 
Qëllimi është që popullsia, e cila zakonisht preket nga përmbytjet, të lajmërohet në kohë, çka mundëson reduktimin e impaktit negativ që ekonomitë e popullsisë së prekur nga përmbytjet kanë pësuar gjatë viteve të fundit, dhe në Shqipëri edhe gjatë ditëve të fundit.

marreveshja
marreveshja
marreveshja
marreveshja
(Marrëveshje për bashkëpunim në raste përmbytjesh)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën