Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në Forumin Vjetor të Investimeve në Dubai. 
 
Në Forumin Vjetor të Investimeve marrin pjesë 140 shtete, mbi 100 zyrtarë të niveleve më të larta dhe 15,000 investitorët më të mëdhenj në nivel ndërkombëtar. 
 
Ky event shërben si një platformë globale e cila synon të nxisë investimet në botë, të rrisë bashkëpunimin mes vendeve, duke u siguruar pjesëmarrësve një përvojë të pasur në rritjen e investimeve në vendet e tyre.
 
Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Genti Beqiri zhvilloi një takim me Nënsekretarin e Ministrisë së Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdulla A. Al Saleh, gjatë të cilit u diskutua mbi potencialet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. 
 
Gjithashtu, Beqiri e njohu Nënsekretarin e Ministrisë së Ekonomisë me nismën e qeverisë shqiptare për rritjen e investimeve në formën e partneriteteve publike dhe private (PPP), të prezantuara në projektin “1 Miliard Dollarë”.
 
Një çështje tjetër e cila diskutua,  ishte edhe hapja e një linje të re fluturimesh  direkte mes Tiranës e  Dubait,  si një mundësi më e mirë ndërlidhjeje mes dy vendeve.
 
Një takim tjetër i rëndësishëm ishte ai me Zv. Presidentin e Dhomës së Tregtisë së Dubait, gjatë të cilit përfaqësuesit e AIDA-s e njohën mbi mundësitë që vendi ynë ofron për  investitorët nga Dubai.
 
Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë event i bashkohet përfaqësimeve ndërkombëtare të niveleve më të larta të sektorit publik dhe atij privat, duke u bërë pjesë e një sërë aktivitetesh të ndryshme si: ekspozitë ndërkombëtare ku AIDA ka edhe stendën e saj, seminare, prezantime të vendeve pjesëmarrëse dhe mundësive që ofrojnë për investime, tryeza të rrumbullakta ndërmjet vendeve pjesëmarrëse etj.


dy.b/shqiptarja.com