TIRANE - Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit europian të Kosovës. Nëpërmjet kësaj rezolute, Parlamenti Evropian konfirmon edhe një herë rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian të Kosovës, dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran që kontribuon pozitivisht për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se mirëpret dhe i bashkohet thirrjes së Parlamentit Evropian drejtuar 5 vendeve anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende Kosovën e pavarur, gjithashtu duke i inkurajuar ato të krijojnë lehtësitë e nevojshme për rritjen e kontakteve në të gjitha nivelet dhe fushat. Në këtë kontekst, MPJ inkurajon përfundimin sa më parë e me sukses të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, çka do të sjellë padyshim afrimin më të shpejtë të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe përparimin e procesit të integrimit të saj me të drejta të plota e të barabarta.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)