TIRANE- Dalja në skenë e 83 tonëve lëndë helmuese kimike në dispozicion të ushtrisë shqiptare hedh poshtë shpalljen e vendit si vend i parë që shkatorri armë të tilla.

Shqipëria ka pasur në potencialin e saj ushtarak Lëndë Helmuese Luftarake, me prejardhje nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina në vitet ‘50-‘60.

Por ushtria shqiptare nuk ka pasur asnjëherë armë kimike, pra LHL të vendosura në predha. Helmet ishin thuajse të njëjtat lëndë kimike për të cilat bëhet fjalë edhe në Siri. Ushtria shqiptare ka pasur lëndë helmuese “Zarin”, “Iprit”, “Acid Cianhidrik”, etj. Këto lëndë më tepër kanë shërbyer për eksperimentime, por jo për armë të mirëfillta kimike.

Por, më 11 korrik të vitit 2007 Shqipëria është shpallur nga agjenci të administratës amerikane si vend që “fitoi luftën” me armët kimike, duke eliminuar të gjithë arsenalin e tyre prej 16.678 kilogramësh, që u zbuluan në 600 bombola në një bunker në vitin 2002, të pashoqëruara nga faturë me vendin e origjinës. Për këtë qëllim, në Qafë Mollë amerikanët montuan stabilimentin e demontimit, i cili aktualisht nuk ndodhet më atje, pasi u deklarua se u arrit objektivi.

Mund të mendohet se 83 tonët e tjera janë zbuluar më vonë se të shpëllej kjo arritje. Por edhe këto përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin dhe mjedisin, që mund të zmadhohet jashtëzakonisht në rast se në vend mbërrijnë qindra ton armë të mirëfillta kimike siriane.
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)