TIRANE- Rastet e malarjes dhe sëmundjes së rëndë të virusit të Nilit raportohen edhe në Shqipëri. Të paktën 7 raste janë diagnostifikuar këtë vit me malarje ndërsa 5 raste të tjera dyshohen se janë të prekur me virusin e Nilit. Kjo është vënë në dukje sot gjatë një konference për infektologjinë që organizua në Tiranë, ndërkohë që është theksuar se rastet janë sporadike dhe të mirëtrajtueshme. Sipas mjekeve infeksionistë rastet e malarjes por dhe ato të etheve të Nilit janë të importuara edhe nga vendet fqinje ku jane shënuar dhe viktima.

“Rastet e paraqitura gjatë këtij viti janë 7. Pritet të vijnë dhe raste të tjera nga vendet fqinje por janë sporadike dhe të mirëtrajtueshme” - tha Dhimitër Kraja, mjek infeksionit.

“Përveç rasteve të importuara nga punëtorë shqiptarë që punojnë në Afrikë kemi vënë re dhe raste nga shqiptarë nga Greqia. Janë raste të pakta por është një zile alarmi” - tha shefi i repartit të Infektologjisë pranë QSUT-së. Zoti Arjan Harxhi shtoi se “fatkeqësisht kemi të pranishëm dhe vektorin që është mushkonja përkatëse “

Ndërkohë që Drejtori i Shëndetit Publik Pëllumb Pipero vuri theksin në trajtimin më të mirë të rasteve të shfaqura, dhe marrjen e masave që raste të tilla të mos importohen lehtësisht.

“Bota sot është bërë e vogël, mund të infektohesh në një cep diku larg të botës dhe ta manifestosh sëmundjen këtu tek ne pas disa kohësh”- tha
Pëllumb Pipero.

Mjekët garantojnë se të gjitha rastet e dyshuara me infeksionin e rëndë janë nën kontroll dhe po punohet që sëmundja infektive të mos përhapet. Në Maqedoni pak ditë më parë një vajzë 4 vjeçe ishte viktima e tretë e prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, kurse në Greqi nga kjo sëmundje janë prektur 22 persona. Sëmundja e etheve të Nilit dhe malarja sipas mjekëve shkaktohen nga mushkonjat.
(sg/ns/shqiptarja.com)