TIRANE, 1 Tetor /ATSH/- Shqipëria dhe Kosova po punojnë për të unifikuar proçedurat dhe praktikave e kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) mes dy vendeve.
Në vijim  të takimit që Zv.ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Alban Zusi dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Afrim Bakaj, zhvilluan disa javë më parë në Kosovë, një delegacion nga AUV i Kosovës erdhi në Tiranë, për t'u takuar me Autoritetet e Ushqimit Shqiptarë, me të njëjtin qëllim, unifiktimin e proçedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK).
Në takimin mes dy delegacioneve të autoriteteve respektive të sigurisë ushqimore, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Afrim Bakaj, shprehu gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim të ndërsjelltë sa më të mirë, duke theksuar, se "kryesorja është që produktet tona të lëvizin pa asnjë problem mes dy vendeve, duke respektuar marreveshjet teknike dhe unifikuar disa praktika të inspektimeve në Pikat e Kalimit Kufita, duke krijuar edhe lehtësia për importuesit dhe eksportuesit e dy shteteve tona". "Sa më shpejt të sheshohen mosmarrëveshjet teknike dhe të unifikohen praktikat dypalëshe, aq më frytdhënëse do të jenë bashkëpunimet tona", u shpreh Z.Bakaj.
Pala kosovare e kryesuar nga Zv.Drejtori i Përgjithshëm i AUV,  Nazif Krasniqi, ndër të tjera përgëzoi për mundësinë që u jepet për bashkëpunim mes të dy palëve, duke parashtruar aspekte teknike për importin dhe eksportin e mallrave në PIK-e. Krasniqi tha se, lehtësimi i mëtejshëm i proçedurave të kontrollit ndërmjet dy vendeve do të na ndihmonte shumë për lëvizjen e lire të mallrave ushqimorë. Duke parashtruar edhe problematiken që haset aktualisht në formatet e certifikatave në PIK për produkte që kanë anomali, si dhe nje sërë praktikash të tjera në lidhje me gjurmueshmërinë e produktit, të cilat u diskutuan konkretisht nga një grup dypalësh i specializuar pune, përfaqësuesit e dy autoriteteve nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të unifikimit të procedurave në PIK-e.
Marrëveshja që pritet të nënshkruhet Shqipëri-Kosovë është e bazuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA (Central European Free Trade Agreement), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia. e/xh//a.ke/