Veriu e jugu zënë dorë për dore, bashkë me qindra mijëra shqiptarë nga Italia, Suedia, Gjermania e SHBA ishin sot në Vlorë e Tiranë për të marrë pjesë në ditëlindjen e madhe të shtetit amë.
Ceremonia madhështore e ngritjes së flamurit u zhvillua në Vlorë sot paradite. Në ceremoni morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bujar Nishani, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministra të kabinetit qeveritar, kreu i PS-së Edi Rama, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përfaqësues nga Maqedonia e Mali i Zi, ambasadorë të akredituar në Tiranë por dhe personalitete të huaja që iu bashkuan Shqipërisë për festimet e shekullit të parë të Pavarësisë. KETU JANE FESTIMET NE VLORE
Në kryeqyetin e Shqipërisë festimet e protokollit shtetëror nisën në mesditë. Fillimisht me homazhe në varrezat e Dëshmorëve, prerjen e tortës gjigande, drekën zyrtare të shtruar nga kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm Edmond Panariti për të kulmuar në mbrëmje me paradën ushtarake dhe me inaugurimin e Monumentit të Pavarësisë.
Parada e Forcave Ushtarake fillimit u përshëndet fillimisht nga presidenti i republikës Bujar Nishani e më tej nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e i Shqipërisë Sali Berisha, të cilët shprehën mirënjohje për figurat të cilat bënë që Shqipëria sot të festojë 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Pas paradës së Forcave të Armatosura (FA) dhe mjeteve të (FA), atmosfera festive kulmoi me fishekzjarrë të shumtë të cilët e ktheyn në shumëngjyrësh qiellin, në orët e pasdites së 100-vjetorit të Pavarësisë.
Festimet e nisura pritet të zgjasin deri pas mesnate.
RITA ORA KENDON NE TIRANE
Ora 23:20 Kryeministri Sali Berisha ka shoqëruar në skenën e koncertit festiv këngëtaren me famë botërore Rita Ora, e cila ka pranuar të vijë dhe të performojë falas në Tiranë në kuadër të festimeve të 100-vjetorit. Këngëtarja me origjinë kosovare është pritur me shumë interes nga të rinjtë shqiptarë, të cilët as shiu nuk i ka ndalur që të bëhen pjesë e festimeve në sheshin "Nënë Tereza". Ajo ka performuar live 5 pesë këngë nga repertori i saj, ndër to R.I.P, How we do, etj duke ndezur sheshin “Nënë Tereza”. Gjithashtu ajo këndoi këngën “Shine Ya Light”, videoklipin e së cilës e ka xhiruar në Kosovë. Ndonëse kushtet atmosferike nuk kanë favorizuar koncertin, pasi shiu binte pa reshtur, sërish bukuroshja bionde është afruar tek publiku shqiptar duke dhuruar momente emocionuese. E veshur me nje fustan të gjatë dhe të hapur në pjesën e dekoltesë Rita dukej mjaft komode në skenën shqiptare. Gjithashtu në koncert kanë perfomuar edhe emra të tjerë të muzikës shqiptare si Mariza Ikonomi, Besa Kokëdhima, Ardian Bujupi etj.
NISHANI: KEMI TE METAT TONA POR DO PERSHTATEMI PER T'U BERE PJESE E BE-së
Ora 22:30 Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë së pritjes së organizuar në Pllatin e Brigadave, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka mbajtur një fjalim jashtë kontureve dhe kornizave zyrtare, pasi 1 herë në 100 vjet lejohet të mburresh thotë ai. Presidenti Nishani ka numërua disa nga të mirat e shqiptarëve, por nuk ka harruar të përmendë dhe të metat, duke theksuar se do të përshtatemi për t'u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.
“Populli shqiptar kudo që jetoni gëzuar pavarësinë e Shqipërisë. Sot jemi mbledhur për festë, të bëjmë një fjalim jashtë korniza zyrtare. Nuk është mëkat të mburresh një herë në 100 vjet. Shteti ynë është 100 vjeç por ne dhe historia jonë jemi shumë më të hershëm se këto 100-vjet, jemi bashkëmoshatarë të njerëzimit. Gjatë ekzistencës tonë ne shqiptarët nuk kemi zbuluar ndonjë gjë të madhe, apo mrekulli të botës, kemi qenë pjesë të pellazgëve.
Kemi gjuhën tonë, gjuhën e mrekullueshme shqipe që është nga më të pasur dhe më të bukurat e të gjithë gjuhëve. Siç është tashmë e provuar shkencërisht është më e vjetra, e para ndër 600 gjuhët që fliten dhe shkruhen në planet.
Kemi qenë dhe do jemi vigjilues të rreptë të qytetërimi botëror, por herë pas herë historia nga ka ndarë edhe pse vetvetiu i përkasim. Në tokën tonë kudo të gërmosh, qoftë edhe një metër thellë gjen diçka antike, ka dëshmi të sigurta të qytetërimeve të hershme.
Të parët tanë kanë qenë luftëtarë të mëdhenj. Mesjeta jonë është plot me princa, pashallarë dhe dijetarë, jemi heronj të luftërave të panumërta, kemi pasur edhe Robin Hudët tanë. Kemi Gëten tonë Lashgush Poradecin, kemi shkrimtarin me përmasa botërore Ismail Kadarenë, kemi edhe Neronin tonë, diktatorin tonë. Jemi kontribues në vendosjen e paqes në zonat e nxehta të planetit.
Historia jonë është me rrëzime dhe fluturime të pafundme, pas çdo rrëzimi gjithmonë jemi ngritur, gjithmonë më të fuqishëm më të fortë dhe më të freskët. Rrëzimi, ngritja, fluturimi, rrëzimi, ngritja përsëri. Mes sakrifica të paimagjinueshme kemi mbijetuar.
Po të meta a kemi ne? Sigurisht që kemi. Po ashtu si gjithë të tjera kanë të tyre. Kemi ne grindavecët tanë, sherrxhinjtë tanë dhe
e mëta jonë është se jemi pak kështu thonë të tjerët, për vetë ne vogëlsia gjeografike nuk është e metë por luks. Por edhe kur bëjmë ndonjë të keqe, atë të keqe ia bëjmë vetes. Nuk dëshpërohem, edhe pse i kemi me pakicë disa gjëra kemi me shumicë energjinë, përndryshe nuk do të ishim sot këtu, të lirë duke festuar këtë datë të shenjtë. Ne shqiptarët jemi tekanjozë, mbretër të vetëm pretendojmë të kemi secili aeroportin, spitalin, gjykatën, prokurorinë e vet por dimë edhe të përshtatemi, do përshtatemi për t’u bërë anëtarë të denjë të familjes së madhe evropiane", u shpreh Nishani.
JAHJAGA: FALENDEROJME SHQIPERINE PER MBESHTETJEN
Ora 22:10 Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në fjalën e saj theksoi se kombi shqiptar sot është i lirë të realizojë aspiratat e tij. Jahjaga ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep vazhdimisht Kosovës.
PPE: PUNONI PER INTEGRIMIN
Ora 22:00 Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Kryetar i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens u ka bërë apel forcave politike që të punojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Shqipëria ka një histori të rrënjosur thellë dhe do më duhej shumë kohë t’i përmendje të gjithë. Juve iu është dashur të përballoni shumë sulme. Shumë kohë më parë Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Europë, sot është i lirë dhe i pavarur. 3 vite më parë Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s dhe kontribuon për paqen në Afganistan. Ky jubile të shërbejë si sfidë për të ardhmen, ju keni potenciale ndaj jam i bindur se ardhmja e Shqipërisë do të jetë brenda BE-së”, u shpreh Martens.
NISHANI PRITJE NE PALLATIN E BRIGADAVE, I PRANISHEM DHE KREU I PS-së EDI RAMA
Ora 21: 45 Presidenti i Republikës Bujar Nishani organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave. Të pranishëm personalitete dhe politikanë shqiptarë dhe kosovarë dhe diplomatë të huaj, të ftuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ceremonia u përshëndet edhe nga Kryetari i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens.
KOCERT FESTIV NE SHESHIN "NENE TEREZA"
Ora 21: 30 Në sheshin “Nënë Tereza”, në kryeqytet ka nisur koncerti festiv ku pritet të interpretojë edhe këngëtarja me origjinë dhe me famë botërore, Rita Ora. Pavarësisht motit të keq dhe shiut qytetarët kanë mbushur sheshin përpara Universitetit Politeknik.
KONCERT JUBILAR "RRUGETIMI I KOMBIT"
Ora 19:20 Fillon koncerti jubilar "Rrugëtimi i kombit", në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Koncerti zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ku do të performojë sopranoja me famë botërore Inva Mula. Në koncert janë të pranishëm personalitete të politikës shqiptare, por edhe shumë personalitete nga Kosova. Skenografia kuq e zi e ideuar nga Gaettano Castelli, kishte në qëndër flamurin kombëtar që valvitej. Në koncert u interpretua i pari Himni Kombëtar e më pas këngë të tjera patriotike, nën dirigjimin orkestral të 100 instrumentistëve nga Zhani Ciko. E para në skenë u ngjit sopranoja me famë botërore, Inva Mula e më pas baritoni shqiptar, Gëzim Myshketa, që sot interpreton në skenat më në zë operistike. Ai interpretoi “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit. Orkestra me 100 instrumentisë dhe 100 korristët interpretuan më pas këngë të njohura patriotike.
INAUGUROHET MONUMENTI “PAVARESIA”
Ora 18:30 Inaugurohet monumenti “Pavarësia” në kryeqytet. I vendosur në Parkun Rinia monumenti u përurua nga kryeministri Berisha, ndërsa të panishëm ishin autorët e kësaj vepre si dhe ministra të kabinetit qeveritarë. Fjalën përshëndetëse e mbajti ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Monumenti “Pavarësia” ka ardhur në formën e pllakateve të parafabrikuara nga Austria në Shqipëri. Ai ngrihet në një lartësi prej 8 metrash dhe me bazament 4.4 metra katrorë
(Foto:Monumenti i pavaresise)
Monumenti i dy arkitektëve që jetojnë në Gjermani, përbëhet nga dy trupa që përfaqësojnë një kullë të hapur dhe të rrotulluar, ku një pjesë mban tavanin dhe tjetra dyshemenë. Monumenti i 100-vjetorit është prej çeliku, ndërkohë që në anët e jashtme ka panele bronxi, të cilët janë si piramida të thyera herë nga brenda dhe herë nga jashtë, duke mundësuar kështu ndiçimin e brendshëm të monumentit edhe natën.
Sipas perceptimit të autorëve, vizitori nga trupi i parë krijon idenë e shtypjes, izolimit, ndërsa trupi i dytë është ai që përcjell ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë, ku dyshemeja e të cilës simbolizon themelin mbi të cilin është ngritur liria.
Trupat janë në një kënd 45o nga njëri-tjetri dhe kjo bën që nga kënde të ndryshme monumenti të ketë pamje të ndryshme. Idenë e tyre autorët e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi, ku njëra gjysëm mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në brëndësi të një trupi do të jetë e gdhendur Deklarata e Pavarësisë, kurse në trupin tjetër shqiponja. Bronxi nxihet me kalimin e kohës, ndërkohë që pjesët që mund të preken nga vizitorët nuk do të nxihen dhe kjo mundëson që monumenti të ndryshojë pamje vazhdimisht.
Ndërtimi i këtij monumenti kërkonte teknologji të precizonit të lartë. Kjo lloj infrastrukture në Shqipëri nuk ekziston, ndaj u vendos që ai të realizohej nga një kompani që ka në referencën e tyre punë të ngjashme me metal. Kostot e realizimit të monumentit është rreth 450 mijë euro.
Monumenti i Visar Obroja dhe Kai R. Kiklas u shpall nga Komisioni Shtetëror i Festimeve si monumenti fitues i 100-vjetorit të Pavarësisë, pas konkursit të zhvilluar në GKA, ku morën pjesë rreth 61 artistë shqiptarë dhe të huaj.
(foto atsh)
PARADA, BERISHA: MIRENJOHJE PER NJEREZIT QE E SOLLEN SHQIPERINE NE KETE DITE FESTE
Ora 16:40 Rreth 1800 trupa ushtarake dhe mbi 50 mjete të llojeve të ndryshme parakaluan sot pasdite në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, në një paradë ushtarake, në praninë e personaliteteve më të larta të vendit dhe të ftuarve të shumtë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe vende të ndryshme të botës.
Në fjalën përshëndetëse përpara fillimit të paradës të Forcave të Armatosura në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për të pranishmit në këtë 100-vjetor të pavarësisë, figura të larta të politikës, diplomatë të huaj, zëvendëskryetar të parlamenteve e kryetar parlamentesh nga mbarë bota.
Hasan Prishtinën,Isa Boletinin, robin prijësit tanë ne ju i përjetësuam në rrugët e sheshet në të katër anët e vendit, nder për jetë Ismail Bej Vlorës.
“Kjo ditë e bekuar është dita e qytetarit shqiptar. Falë jush Shqipëria e cila 20 vite më parë ishte vendi i izoluar sot është anëtare e NATO-s e në pritje të BE-së. Ju jeni shembull frymëzues në Evropë dhe në botë për tolerancën fetare si themel të qytetërimit tonë.” tha Berisha.
Kryeministri, në fjalën e tij vlerësoi kontributin e nënave shqiptare, rininë, por nuk përjashtoi edhe minoritetet e huaja në vend, të cilët sipas tij kanë dhënë kontribut në zhvillimin e këtij vendi.
“Është dita jote nënë, motër, gru,a vajzë e dashur shqiptare që në shekuj ruajtët të pastër gjakun arbëror, që përjetove dhimbje, vuajtj,e sakrifica si askush tjetër, me dashurinë tëndë ëngjëllore shërove plagë të thella për fëmijët e tu. Ti sot je Nënë Tereza jonë, lauanesha e këtij kombi”, tha kryeministri.
(Foto: Parada ushtarake)
Për minoritet Berisha tha: “Ju keni kontributin tuaj në zhvillimin e këtij vendi. Shqiptarët ndihen krenarë me ju dhe ju garantoj se qindra vite të tjera do jenë në paqe e harmoni me të gjitha minoritet e huaja që jetojnë në Shqipëri.”
PARADA E FORCAVE TE ARMATOSURA
Ora 16:20 Në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet ka filluar parada e Forcave të Armatosura. Të pranishëm në këtë ceremoni janë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri i vendit Sali Berisha e personalitete të tjerë. Presidenti ka çelur ceremoninë duke uruar shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu nderim për ushtarët dhe dëshirën që një ditë Kosova dhe Shqipëria do të jenë të bashkuar në NATO dhe në Bashkimin Europian.
“Isa Boletini më 400 trimat e tij lanë Kosovën dhe erdhën në Shqipëri për të mbrojtur flamurin kuq e zi. Sot 100 vjet prapa ushtarët e Kosovës janë përsëri këtu, në Tiranë dhe në Vlorë, bashkë me ju. Sot edhe 20 vite më parë kujtoj qëndrimit tim të përkohshëm me komandantin legjendar Adem Jasharin në Tiranë dhe kthimin në Kosovës për të ngritur UÇK-në dhe më pas të shpallnim Pavarësinë e Kosovës. Të nderuar ushtarë, mbajeni lartë krenarinë e kombit tonë, lartësojeni flamurin. Ju jeni krenaria dhe siguria e kombit tonë.Sot Kosova është një shtet i pavarur, ka forcën e saj të sigurisë, forcën moderne. Forcën që është e gatshme për të ruajtur paqen kudo në botë. Sot secili nga ne duhet të ndihet krenar që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe së shpejti anëtare e BE-së, po ashtu edhe Kosova do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE dhe së bashku do të jemi në NATO dhe BE të bashkuar. Të nderuar të pranishëm, ky shekull që kemi filluar është shekulli i të gjithë shqiptarëve, nga sot kemi një fillim të ri për të gjithë shqiptarët, fillimin e fuqizimit të kombit tonë, gëzuar dhe urime 100-vjetorin e pavarësisë, urime dhe gëzuar të gjithë shqiptarëve duke që ndodhen” u shpreh Thaçi gjatë fjalës së tij përshëndetëse para fillimit të paradës së Forcave të Armatosura.
PARADA E FORCAVE TE ARMATOSURA BASHKE ME FSK E KOSOVES
Më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në cilësinë e drejtuesit të paradës, dha komandën për fillimin e paradës ushtarake. Nën ritmin e marsheve të ekzekutuara nga Orkestra Frymore e FA ka nisur parada ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Përballë tribunës së festimeve u rreshtuan përfaqësuesit e FA të Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Të parët që parakaluan para tribunës ishin veteranët e Luftës Antifashiste Çlirimtare. Pas tyre, me flamuj ne duar parakaluan përfaqësues të vendeve anëtare te NATO-s.
Parakaluan gjithashtu edhe flamurtarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, dy prej vendeve partnere që aspirojnë anëtarësimin në NATO.
Para tribunës parakaluan edhe përfaqësuesit e Forcës se Sigurisë së Kosovës. Më pas shfaqet kuadrati i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake dhe realizon komandën unike në Forcat e Armatosura të RSH. Parakaluan kuadratet e Forcës Tokësorë, mes tyre dallohej kuadrati i Batalionit të Forcave Speciale dhe Batalionit Komando, të cilët kanë nderuar Shqipërinë në misionet paqeruajtëse, duke vepruar përkrah trupave të vendeve aleate në Bosnje, Irak, Afganistan, Çad etj. Parakaluan edhe Forcat Detare, Forcat Ajrore, trupat e Brigadës së Mbështetjes Rajonale, të Brigadës Logjistike dhe ushtarakë që kanë shkëlqyer në operacionet humanitare dhe ato të emergjencave civile, më procesin e demontimit të municione të rrezikshme të trashëguara nga sistemi komunist. Pas tyre parakaluan efektivat e Policisë së Shtetit, të Gardës se Republikës, të Regjimentit të Mbështetjes, kuadratet e Komandës së Doktrinës e Stërvitjes, kuadrati i Agjencisë të Sistemeve të Ndërlidhjeve dhe Informacionit, prej të cilëve bëhet e mundur edhe lidhja dhe komunikimi në çdo moment i trupave tona në misionet paqeruajtëse si ne Afganistan, Irak, etj.
(Foto: Parada ushtarake)
CELET DREKA ZYRTARE PER 100-VJETORIN
Ora 14: 45 Dreka zyrtare, shtruar nga kryeministri Berisha dhe Ministri i Puneve te Jashtme Edmond Panariti
për 100-vjetorin e Pavarësisë është çeluar në ambientet e Hotel Sheraton, menjëherë pas ceremonisë së prerjes së tortës. Të pranishëm ishin personalitete nga Kosova, si kryeministri Hashim Thaçi, presidentja Ahtifete Jahjaga, ambasadorët e huaj në Shqipëri, kryeministri i Hungarizë etj.
Në fjalën e tij kryeministri tha:
“Mblidhemi sot këtu me miq të mëdhenj dhe të vërtetë që kanë kontribuar kaq shumë në lirinë e vendit tim. Kanë mbështetur aspiratat e shqiptarëve për integrim, dinjitet. 22 vjet më parë kombi shqiptar jetonte në një mjerim të paimagjinueshëm për Evropën. Ai erdhi në rrugën e lirisë vetëm me 204 dollarë për frymë. Në cdo rritje janë mundi, djersa, paratë e taksapaguesve tuaj të dashur miq. Është ndihma bujare e SHBA, e vendeve të mëdha të BE dhe vendeve të tjera mike, nga Evropa, Azia dhe mbarë bota,ndaj dhe unë në këtë moment dua të ngrej këtë dolli për shëndetin tuaj të dashur miq të pranishëm në këtë sallë, për familjet tuaja, qeveritë dhe kombet tuaja. Uroj një miqësi e bashkëpunim me vendin dhe kombin tim qindra dhe mijëra vjeçarë. Gëzuar!”
QYTETARET TURREN DREJT TORTES
Festimet në Tiranë nisën që në orën 08:00 të mëngjesit me grupe valltarësh që kërcyen në sheshin "Skënderbej". Njerëz të shumtë, bashkëadhetarë të ardhur nga çdo trevë shqiptare, fëmijë e të rritur mbushën bulevardin "Dëshmorët e Kombit", sheshin Skënderbej me flamuj.
Por ndërsa gjithçka po shkonte për mrekulli, momenti i prerjes së tortës gjigante e përgatitur për 100 vjetor prishi atmosferën e festimeve. Mungesa e një organizimi të mirë për menaxhimin dhe shpërndarjen e tortës festive shkaktoi një situatë të pakëndshme madje të rrezikshme
Situata nisi të përkeqësohej pas ceremonisë së prerjes së tortës 18 tonëshe, 550 metra katrorë të gjatë të vendosur brenda kolonave të Teatrit të Operas dhe Baletit (TOB), nga kryeministri Berisha dhe presidentja Atifete Jahjaga. Turma e njerëzve që ndodheshin në shesh u vërsulën drejt saj duke shtyrë njëri-tjetrin. Tensioni u shtua pas disa minutash kur të rinjtë u afruan pranë tortës, madje hipën sipër me këmbë duke gjuajtur me tortë si me topa bore. Policia e pati të pamundur t'i ndalë turmën e njerëzve që ndodheshin pranë tortës. Mungesa e një organizimi të mirë për menaxhimin dhe shpërndarjen e tortës festive shkaktoi një situatë të pakëndshme madje të rrezikshme. Në orën 15: 01 qytetarët u turrën mbi tortë. Njerëz me qese e tasa, kush e kush të merrte më shumë. Disa ishin vendosur para saj duke ngrënë me duar. Disa hipën sipër me këmbë dhe godisnin nga turma me copa torte.
TENSIONI PARA TORTES
Ora 14: 38 Dëshira për të shijuar tortën, po shoqërohet me tension, pasi qindra persona, sidomos të rinj po shtyjnë njëri tjetrin. Ata janë grumbulluar përpara kangjellave me hekur, dhe disa fëmijë duken duke qarë. Njërës grua duket se i ka rënë të fikët. Forca të policisë kanë vendosur gardh prej hekuri dhe po mundohen të monitorojnë situatën, mirëpo njerëzit, sidomos ata që janë vendosur në rreshtet e para shtyjnë njëri tjetrin. Madje në një moment polici arrin të nxjerrë nga turma e njerëzve, një fëmijë duke qarë.
Megjithatë pak më parë kryetari bashkisë, Lulzim Basha tha se kishte tortë "sa për dy sheshe të mbushur plot e përplot".
"Ka ardhur një moment i veçantë në këtë festë të bukur, e cila sot po vlon anëembanë vendit, anembanë kombi dhe në veçanti këtu, në kryeqendrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në Tiranë. Ky është momenti i prerjes së tortës më gjigante që është ndërtuar dhe përgatitur ndonjëherë në botë. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës kam jo vetëm kënaqësinë dhe nderin por edhe detyrimin të falënderoj mbi 200 pastiçierë, dhjetëra e qindra biznesmenë të Tiranës, që bënë të mundur përgatitjen e kësaj torte prej 550 metra katrorë dhe 18 mijë kg. Para se të ftoj Presidenten e Kosovës, Kryeministrin e Kosovës dhe Kryeministrin Sali Berisha për prerjen e tortës, më lejoni t’i jap fjalën njeriut që e mbështeti dhe ndoqi minutë pas minute gjithë përgatitjen, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha!” – tha Basha.
(kaosi tek torta pas prerjes)
(Foto: Si ishte torta ne momentin e prerjes)
(Video: Kaosi me torten)
BERISHA TOPALLI HOMAZHE TE VARREZAT E DESHMOREVE, NESER NISHANI
Ora 13: 44 Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli zhvilluan homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri në varrezat e Dëshmorëve. Homazhet u zhvilluan edhe nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
“Sakrifica, flijimi qëndron në themel të lirisë, pavarësisë dhe përjetësisë së kombit shqiptar. Lavdi të rënëve, nder familjeve të të rënëve të Kombit Shqiptar.”- tha kryeministri pas ceremonisë. Si çdo vit mazhoranca kujton ditën e Çlirimit më 28 Nëntor, ndërsa opozita dhe LSI më 29 Nëntor. Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk ishte i pranishëm në homazhe, ai do të nderojë të rënët e luftës Nacional Çlirimtare të 29 Nëntorit 1944 nesër.
TORTA BEHET GATI
Torta është vendosur pranë Teatrit të Operas dhe Baletit po bëhen përgatitjet e fundit të tortës gjigande e cila do të shpërndahet për qytetarët sot në ditën e Festës së Flamurit.
(Foto nga sheshi Skenderbej, torta ne krah të majtë, pranë shkallëve të Teatrit të Operave dhe Baletit)
AXHENDA E SOTME
Ora 14:00 Dreka zyrtare e ofruar nga Kryeministri i Shqiperise, Sali Berisha dhe Ministri i Puneve te Jashtme Edmond Panariti
Ora 14:30 Koncert i madh me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Sheshi “Skënderbej”
Ora 15:30 Parada e Forcave të Armatosura. Sheshi "Skënderbej"
Ora 18:00 Perurimi i Monumentit të Pavaresisë. Parku Rinia
Ora 18:30 Koncerti Jubilar në Pallatin e Kongreseve
Ora 19:45 Koncert përmbyllës me pjesëmarrjen e këngëtares Rita Ora dhe artistë të tjere shqiptarë. Sheshi “Nënë Tereza”
Ora 20:30 Darka Zyrtare në Pallatin e Brigadave, ofruar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani
(Foto: Festimet ne shesh)
Nga ora 10- 14:00 Aktivitete të organizuara nga Bashkia e Tiranës
Rruga “Murat Toptani”:
• Panairi “Blej produkte shqiptare”
• Koncert me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore
Eranda Libohova; Eni Koci; Ardian Trebicka; Soni Malaj; Redon Makashi; Greta Koci; Elton Deda; Valon Shehu; Mentor Haziri; Elhaida Dani; Bojken Lako; Alban Skënderaj
• Ekspozita “100 vjet Tirana” – (trotuari i GKA)
Lulishtja tek parku “Rinia” (tek Shatërvani)-Këndi i Fëmijëve:
• Telajo për pikturën me temë “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime” (12m*1.5m)
• Koncert për fëmijë (Qendra Kombëtare për Fëmijë, shkolla e Baletit, Liceu Artistik etj)
• Teatër për fëmijë (Teatri i Kukullave)
• Animatorë (lojra, pikturime në fytyrë, tullumbace)
• Foto point me personazhe të Pavarësisë
Lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”:
• Koncert për të rinj (Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, shkolla e Baletit)
Ura tek rruga “Ibrahim Rugova”:
• Performancë e Cirkut
Rr. “Ismail Qemali” (pedonale):
• Ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit
Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”:
• Foto point me personazhe historike
• Rreth 100 animatorë, të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhura me festën, që shpërndajnë flamurë të vegjël dhe organizojnë lojra Sheshi “Skënderbej”:
• Ceremonia e prerjes së Tortës (TKOB)
• Hedhja e parashutistëve të Red Bull me Flamurin Kombëtar
VIDEO: NE VLORE U NGRIT FLAMURI