Shqipëria 15 vite në NATO, SHBA: Aleat e partner i besueshëm! Së bashku më të fortë! Begaj: Sollëm siguri për rajonin! Krenar për misionet tona

TIRANE-  Më 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO.  Ambasada e SHBA veçon Shqipërinë si 'një partner e aleat i besueshëm demonstron siguri dhe stabilitet'

"15 Vite së Bashku" shkruan Ambasada në një postim në facebook shoqëruar dhe me një video të këtij momenti të rëndësishëm ku tregohet udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n që nga anëtarësimi në NATO.

"Zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – . Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO! " shkruan ambasada.

 Në këtë ditë të veçantë për shqiptarët edhe presidenti Bajram Begaj  ndau një mesazh, duke thënë se kjo datë është më e rëndësishmja e historisë sonë kombëtare.

 “Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shkruan Begaj.

Kreu i Shtetit shpreh mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve që mbështetën Shqipërinë në këtë rrugëtim. Më tej, Begaj ndalen edhe në rolin dhe kontributin e Shqipërisë në NATO, duke thënë se ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.

“Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.

Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe", shkruan Begaj. 

Nga ana e tij ministri i Punëve të jashtme Igli Hasani, në një postim në rrjetin social X thotë se 15 vite në NATO janë një rrugëtim solidariteti dhe mbrojtjeje kolektive.

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Meta: Mirënjohje për ata që punuan për integrimin e Shqipërisë në NATO, George Bush frymëzoi përpjekjet tona

1709815645_meta.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një mesazh për 15-vjetorin e futjes së Shqipërisë në NATO. Meta shkruan se kjo është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë shqiptare.

Kreu i PL shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që punon për integrimin e Shqipërisë në NATO. Një përshëndetje të veçantë Meta e ka edhe për ish-presidentin amerikan George Bush.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 15 vite më parë është një nga ngjarjet më të mëdha në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Mirënjohje për  të gjithë ata burra dhe gra në uniformë, në politikë, në fushën ushtarake dhe të sigurisë, që punuan dhe realizuan këtë projekt transformues dhe integrues të Forcave tonë të Armatosura, si dhe rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO.

Në këtë përvjetor historik, shpreh falënderimet më të përzemërta ndaj të gjitha vendeve aleate dhe mike, të cilat e mbështetën me shumë besim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kontribuuan në mënyrë të gjithanshme për modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, në vitin 2007, frymëzoi dhe mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Sot gjithashtu kam kënaqësinë e veçantë, të ndaj me ju një moment të paharruar, nënshkrimin në Tiranë më 2 maj 2003 me Sekretarin e Shtetit, Colin Powell të Kartës së Adriatikut, një akt shumë i rëndësishëm që përgatiti anëtarësimin tonë në NATO në mënyrë të pakthyeshme.

Ndaj edhe ky përvjetor bëhet edhe më kuptimplotë për shkak se 21 vite pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, jo vetëm Shqipëria e Kroacia, por lumturisht edhe Maqedonia e Veriut, është anëtare e NATO-s. Partia e Lirisë angazhohet për t'u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO, si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare”, shkruan Meta.

Ora 12:48
Kryeparlamentarja Nikolla mbi 15-vjetorin e Shqipërisë në NATO: Anëtare aktive, e vendosur dhe e besueshme e Aleancës

1685601834_1662999861LinditaNikolla.jpg

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla ka dhënë mesazhin e saj me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nikolla shprehet se Shqipëria ka fituar besimin e SHBA dhe aleatëve të tjerë me përkushtimin e saj.

Mesazhi i Nikollës: 

“15 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s. 
Si një nga anëtarët më të rinj, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia si anëtare. Por varet nga përkushtimi i sinqertë për paqen.
Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e ShBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve.”

Ora 12:32
Shqipëria 15 vite në NATO, ambasada amerikane: Aleate dhe partnere e besueshme, zhvillimi i saj i jashtëzakonshëm

Ambasada amerikanë në Tiranë uron Shqipërinë në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO duke e vlerësuar si ‘një aleate dhe partnere të besueshme”.

“15 Vite së Bashku: Udhëtimi i Shqipërisë me NATO-n.Që nga anëtarësimi në NATO në 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm” shkruan Ambasada në një postim në facebook shoqëruar dhe me një video të këtij momenti të rëndësishëm.
 

 

Ora 10:12
15 vjet në NATO, Lulzim Basha: Nder i veçantë të shërbeja si ministër i Jashtëm në këtë moment historik

1710932589_lulzimbasha.JPG

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së Lulzim Basha ka bërë një urim me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Basha në atë kohë ka qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe e konsideron një nder të veçantë që shërbeu në një moment të tillë.

Postimi i Bashës:

15 vite më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, një arritje që bëri krenar çdo shqiptar. Për mua ka qenë nder i veçantë të shërbeja si ministër i punëve të jashtme në këtë moment historik. Sot dua të ndaj me ju një pjesë të mesazhit tim në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarsimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s:

"Rrallëherë, një komb që luftonte për lirinë e tij, ka rrugëtuar kaq i vetmuar në horizontet e historisë, për kaq gjatë. Izolimi, i imponuar apo i vetë shkaktuar, shënjoi historinë e kombit tim. Është saga e një udhëtimi të pashoq drejt ëndrrës europiane. Luftuam shumë dhe vuajtëm shumë. Por e ardhmja lind përmes sakrificës.

Në muzg të luftës tonë për liri ne farkëtuam aspiratën tonë kombëtare për të rrugëtuar sërish krah për krah me popujt e lirë të familjes euro-atlantike. Ndaj sot me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit, shqiptarët festojnë domethënien e këtij momenti jetik në historinë tonë kombëtare. Kurrë më nuk do të jemi të vetmuar në kauzën e mbrojtes së lirive tona.

Ne do të rrugëtojmë dhe ngrihemi së bashku me ju, kurrë më të ndarë nga tirania apo shtypja por të njësuar rreth vlerave të përbashkëta të dashurisë për lirinë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe shanseve të barabarta para ligjit. Këto vlera të paçmueshme, këto të vërteta të padiskutueshme përbëjnë kollonat e identitetit tonë të përbashkët, janë çfarë na bashkon e na bën më të fortë, janë vetë arsyet për të cilat luftojmë dhe vendosim në altarin e sakrificës sublime jetët e bijve dhe bijave tona në uniformë, sa herë këto vlera kërcënohen."

 

 

Ora 09:53
Shqipëria 15 vjet në NATO, Hasani: Qëndrojmë krah aleatëve për të mbështetur paqen

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka përshëndetur me një mesazh 15-vjetorin e  anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Hasani shkruan se vendi ynë do vijojë të qëndrojë në krah të aleatëve për të mbështetur paqen dhe vlerat e përbashkëta.

“Pesëmbëdhjetë vjet në NATO: Një rrugëtim angazhimi, solidariteti dhe mbrojtjeje kolektive. Shqipëria mbetet një kontribuues i përkushtuar i NATO-s, duke qëndruar me krenari krah aleatëve të saj, për të mbështetur paqen dhe vlerat tona të përbashkëta”, shkruan Hasani.

 

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan