“Në emër të Shteteve të Bashkuara, i dërgoj urimet më të mira Shqipërisë dhe Kroacisë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO”. Kështu është shprehur dje Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në mesazhin e tij për 15 vjetorin e anëtarësimit të vendeve në Aleancë. Në mesazh Blinken thotë se SHBA është krenare që qëndron me Shqipërinë aleate.
“Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ne kremtuam angazhimin e demokracive tuaja jo vetëm për mbrojtjen e Aleancës sonë, por edhe për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin. Sot, ne nderojmë angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të penguar dhe mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, siç mbrojmë edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike. Në këtë përvjetor, ne mbetemi krenarë që jemi me ju si aleatë. Ndërsa Aleanca jonë vazhdon të rritet dhe të përshtatet për të adresuar sfidat në zhvillim të së ardhmes, NATO është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë”, thuhet më tej në mesazhin e Blinken.
Duke e falënderuar për urimin Kryeministri Edi Rama këtë 15 vjetor të anëtarësimit në Nato, e quan riafirmim të përkushtimit ndaj parimeve e vlerave që mbështesin Aleancën.
"“Faleminderit sekretar Blinken. Ky 15-vjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë", shkruan Rama.
Gjatë 15 viteve, Rama thotë se Shqipëria ka kontribuar në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s, ndërsa thekson se për vendin tonë është nder të qëndrojmë përkrah aleatëve, siç janë Shtetet e Bashkuara.
"Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë. Ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim. Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin Shqipëri - SHBA", thotë Rama.