National Geographic, realizoi në numrin e tetorit 1980 një reportazh në Shqipërinë e izoluar prej regjimit komunist. Plot 36 vjet më vonë, ky shkrim i gazetarit turk Mehmet Biber zbulon kureshti që kanë nisur të mbulohen nga pluhuri i viteve...
“Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën.”, dikton kjo tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, në 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë. Automobilat privatë janë të ndaluar, kështu që shqiptarët udhëtojnë me biçikleta.
Vizitat nga gazetarët janë të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jetonte në Stamboll në atë kohë, mori një vizë vetëm disa muaj, pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte vizituar vendin. Nga bisedat me z. Kohen dhe nga përvojat e tij, z. Biber solli të parin raport të plotë nga Shqipëria që shfaqet në një revistë amerikane pas shumë vjetësh.
AEROPLANI fluturoi në jug nga Jugosllavia mbi Adriatikun me ngjyrë kobalti, u kthye 90 gradë dhe u drejtua nga toka drejt Shqipërisë.
Në antikitet, legjionet e Romës duke zbritur Rrugën Apiane për në Brindizi në takën e Italisë dhe duke kaluar Ngushticën e Otrantos mbërritën këtu dhe marshuan në lindje në rrugëkalimin e madh ushtarak për në Selanik dhe Kostandinopojë. Gotët dhe Normanët i pushtuan. Perandoritë Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Venedikase i ndihmuan. Pas kësaj, Turqit Otomanë udhëhoqën për pothuajse pesë shekuj dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend me shumicë Muslimane në Europë. Më pas erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit.
Sot asnjë autostradë ndërkombëtare nuk kalon nëpër Shqipëri. 300 kilometrat (185 milje) e saj të hekurudhës nuk kalojnë asnjë kufi. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet të kalojë në hapësirën e saj ajrore. Fluturimet komerciale, si fluturimi ynë gjysmak i përdyjavshëm nga Beogradi, ku duhet të kalonin nga drejtimi i detit dhe vetëm gjatë orëve të ditës.
Pashë përreth kabinës njëzetëshen e bashkudhëtarëve: një grua e moshuar, një diplomat, një profesor austriak i gjuhës shqipe (e lidhur pak me gjuhët e tjera Europiane) dhe biznesmenë që vinin të blinin minerale ose të shisnin makineri. Si u përshtatesha unë udhëzimeve për vizitorët të vendosur nga diktatori i Shqipërisë, kryetari i Partisë Komuniste, Enver Hoxha? Ai e kishte shpallur vendin e tij “të mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipive dhe huliganëve, por të hapur ndaj miqve (marksistë ose jo-marksistë), revolucionarëve dhe demokratëve progresivë, ndaj turistëve të sinqertë... të cilët nuk ndërhyjnë në çështjet tona.”
Më me vend ishte komenti i një agjenti udhëtimesh: “Vetëm të çmendurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipëri.” Unë isha një gazetar turk dhe kisha pritur pothuajse një vit që të më miratohej kërkesa për vizë.
Ne kaluam mbi plazh dhe rrafshinën bregdetare afër Durrësit dhe pamë, përtej kodrave me tarraca, një vijë të dhëmbëzuar majash të mjegulluara që përshkonte horizontin si një elektro-kardiogramë gjigante.
Pyesja veten se çfarë do të gjeja në këtë komb të vogël prej 2.7 milionë njerëzish, në madhësinë e Marilandit, me më pak banorë, dhe po aq pak të njohur sa Tibeti.
Me mijëvjeçarë pasardhësit e fiseve antike, të njohur si Ilirë, janë kapur fort pas tokës më të ashpër në Ballkan (që përkthehet ‘male’ në turqisht). Midis majave që ngrihen deri në 2764 metra (9068 këmbë), ata ndoqën një kod nderi klanor të rreptë që shfarosi familje të tëra nëpërmjet gjakmarrjeve që zgjasnin me breza.
Sot kjo Tokë e Shqiponjave është krejtësisht e kolektivizuar. E fundit fortesë e Stalinizmit, ky është vendi komunist më dogmatik i Europës, i shtrënguar në darën e një lideri që e ka kthyer kombin më të prapambetur të kontinentit nga hiri i Luftës së Dytë Botërore në një shtysë drejt modernizimit, nga plugu te traktori, nga zejtaria dhe kandili te fabrikat dhe dinamoja.
Këtu do të gjeja një eksperiment social të pazakontë: një gjeneratë të tërë që rritet e kyçur në një laborator socialist të veçuar, duke sfiduar botën, e vetizoluar, e pa ndotur nga Lindja ose Perëndimi. Pavetëdijshëm fërkova mjekrën time, dhe u tremba nga perceptimi i beftë se mund ta humbisja!
Shqipëria ua ndalon hyrjen meshkujve me flokë të gjata ose mjekra, dhe femrave me funde të shkurtra, pantallona të gjera, dhe shfaqjeve të tjera të dekadencës borgjeze. Ka me bollëk histori të vizitorëve fatkeq, të cilët dërgohen te berberi i aeroportit për t’u qethur.
Por ushtari që më takoi te dera e aeroplanit ishte më i përqendruar te pasaporta ime sesa te mjekra ime, dhe unë zbrita në diellin e pasdites të një dite shtatori në një nga aeroportet më të vogla dhe më të përgjumura të Europës, që i bënin hije palma dhe portokalle plot me fruta.
Kopi Kyçyky më përshëndeti në turqisht. Një anëtar i komitetit mikpritës të Ministrisë së Jashtme, ai i sillte çdo mëngjes planin e ditës guidë-përkthyesit tim. Tani më solli ekspres, formalitetet e përshpejtuara dhe më shoqëroi në një Fiat polak për xhiron 30-minutëshe për në Tiranë, kryeqytetin. Përgjatë rrugës, brigada fshatarësh pushuan së punuari në fusha. Por hasëm pak trafik në rrugë.
(Kurora me speca zbukurojnë një fermë afër Liqenit të Ohrit, pjesë e kufirit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Një milion e gjysmë shqiptarë jetojnë matanë kufirit.)
Polic trafiku pa trafik
Jeta në Tiranë vërtitet rreth sheshit Skënderbej, me monumentin e tij të heroit të shekullit të 15-të që luftoi kundër Perandorisë Osmane. Pallati modern i Kulturës sheh nga ai, ashtu si dhe disa ndërtesa mbretërore të Mbretit Zog, i cili sundoi në fundin e viteve 1920 dhe 1930. Një nga ato tani shërben për zyrat e revistës satirike Hosteni; një tjetër, ndërtesa e vjetër e Parlamentit është kthyer në një teatër fëmijësh.
Për një kilometër nga sheshi Skënderbej në sheshin e Universitetit shtrihet Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, rrethuar nga statuja gjigante të Leninit dhe Stalinit, shtabi i përgjithshëm i Partisë Komuniste, ministritë kryesore, dhe stadiumi i futbollit. Paradite herët sheshi duket i braktisur: një makinë zyrtare, një automjet ushtarak, një autobus, disa biçikleta, disa gra të moshuara që enden rrugës. Prapëseprapë, në qendër të sheshit qëndronte një polic i cili drejtonte në mënyrë solemne trafikun.
Shqipëria nuk i lejon makinat private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm 20 taksi, të gjitha pronë shtetërore. Shumica ishin të rreshtuara afër sheshit. Shqiptarët rrallë i përdorin.
Ndaluam para Hotel Dajtit, ndërtuar nga italianët në fillim të 1940 kur rruga quhej Viale Savoia. Është një nga dy hotelet e Tiranës për të huajt dhe vendasit nuk mund të akomodohen në të.
Dhoma ime me ballkon ishte e dekoruar me një qilim të bukur. Poshtë në dyqanin e dhuratave, një qilim i tillë shitet për 20 dollarë metri katror në monedhë të huaj. Kontrollova dhomën e televizorit – vetëm programet vendase mund të transmetoheshin. Studiova publikimet e shtypit të shpërndara në një tavolinë në hollin e madh dhe ndala para një ekspozite publikimesh: revista Shqipëria e Re; Zëri i Popullit, gazeta e partisë; dhe një pjesë të të përditshmeve shqiptare, të gjitha të ngjashme në përmbajtje. Botime të librave të Enver Hoxhës të disponueshme në disa gjuhë – por asnjë gazetë, revistë apo libër i huaj. Ishte sikur bota e jashtme të mos ekzistonte.
Duke dalë nga hoteli në muzg, u ktheva në sheshin Skënderbej. Çfarë ndryshimi! Dukej sikur gjysma e 200,000 banorëve të Tiranës ishin mbledhur aty pas pune. Disa shëtisnin në shëtitoret përgjatë Bulevardit Stalin, të tjerë bisedonin në grupe të vogla ose mblidheshin rreth kioskave për të blerë cigare shqiptare, pije freskuese dhe gazeta. Të rinj e të reja flirtonin. Prindërit derdheshin për në Pallatin e Kulturës për një koncert, shfaqje ose ekspozitë, ndërkohë që studentët dyndeshin në Bibliotekën Kombëtare. Dhe në mes të kaosit të autobusëve, biçikletave dhe kalimtarëve të sheshit, polici mbikëqyrte rreptësisht trafikun me bilbilin e tij.
Për rreth dy orë zemra e Tiranës pulsonte nga jeta, pastaj ra sërish në heshtje. Edhe polici i trafikut kishte shkuar në shtëpi.
(Një çadër është mjaftueshëm për udhëtarët afër Lezhës. Duke i rezistuar shiut të zotave të huaj, Shqipëria ecën vetëm.)
Kombi shkelmon gjigantët “Revizionistë”
Mëngjesin tjetër Bashkim Babani, guidë-përkthyesi im, një burrë i hollë në mes të të tridhjetave, më çoi në Pallatin e Kulturës. Shqiptarët janë krenarë për këtë ndërtesë, e nisur nga Rusët dhe e lënë e papërfunduar kur ata u larguan nga Shqipëria në 1961, si rezultat i një ndarjeje ideologjike. Guida ime tha: “Revizionistët dhe imperialistët sovjetikë ndërprenë gjithë ndihmat ndaj nesh dhe na vendosën një bllokadë ekonomike, duke menduar se së shpejti do të shkatërroheshim. Por ne mobilizuam forcat tona dhe e përfunduam këtë ndërtesë. Sot qëndron si simbol i triumfit tonë.”
Pas ndarjes me “tradhtarët e grupit të Hrushovit”, Hoxha u kthye nga kundërshtari i Bashkimit Sovjetik, Mao Ce Dun-in e Kinës.
Shqipëria u bë mikja më e afërt e Kinës, përkrahësja e saj në Kombet e Bashkuara, dhe mori ndërmjet një dhe dy bilion dollarë ndihmë ekonomike dhe ushtarake. Kjo zgjati deri më 1978, kur rivendosja e marrëdhënieve miqësore të Kinës me Shtetet e Bashkuara “imperialiste” dhe Jugosllavinë “revizioniste” solli prishjen e “miqësisë së përjetshme”. Duke pretenduar se arrinte të nuhaste “pabesinë... e atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën” në ‘buzëqeshjet hipokrite’ të ndjekësve të Maos, Shqipëria tanimë mbeti kalaja e vetme e “Marksizëm-Leninizmit të vërtetë”.
Nga do kthehej Shqipëria kësaj here?
Nga Tirana deri në fshatin më të vogël, në rrugë, mbi ndërtesa, në fabrika, shkolla dhe ferma, slogane shpallnin përgjigjen.
Një parrullë në sheshin Skënderbej shkruante: “Pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë kredi nga jashtë, të mbështetemi tërësisht në forcat tona.”
Mbi bashkinë e vjetër: “Të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit.” Sipër zyrës së Kryeministrit: “Rroftë pushteti popullor.” Një klasë e gjuhëve të huaja studion sloganin e Hoxhës në dërrasë të zezë në anglisht: “Të ndërtojmë socializmin me kazmën në njërën dorë dhe në tjetrën pushkën”
Duke sfiduar botën – duke e parë veten kundër Kinës gjigante dhe e kërcënuar nga BRSS dhe satelitët e saj të bllokut lindor; e frikësuar dhe dyshuese ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë fqinje dhe Perëndimit – Shqipëria lilipute do t’ia dalë vetëm.
Si mund ta bëjë këtë?
Duke mobilizuar prodhimin. Fabrikat shpesh punojnë 3 turne që t’i përdorin makineritë 24 orë në ditë. Pashë traktorë të punonin fushat me fenerë, dhe pastaj të shkonin me kamionë gjatë natës në një tjetër kooperativë për plugimin e mëngjesit. Si pjesë e këtij ‘revolucioni teknik’, disa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë i shtojnë disa orë punë ditës së tyre 8-orëshe.
“A paguheni për orët ekstra?” Pyetja iu bë një punëtori në një fabrikë të Tiranës ku prodhohen pjesë rezervë për kamionë dhe traktorë.
“Jo, ne nuk e kërkojmë një gjë të tillë. Ne bëjmë punë vullnetare, sepse besojmë se kjo punë është rruga për të çarë bllokadën. Ky shpirt revolucionar do të na udhëheqë drejt fitores.”
Mark Toma doli në pension tre vjet më parë në moshën 60-vjeçare. Por tani është kthyer në të njëjtën fabrikë.
“Jemi të bashkuar nën këtë qëllim, të kontribuojmë që ta bëjmë ekonominë tonë vetë-sufiçiente. Unë jam ende i fortë. Unë nuk mund të rri duarkryq kur i gjithë kombi lufton.”
A paguhej ai?
“Unë tashmë e marr pensionin tim.”
Nëpunës civilë, studentë, edhe zyrtarë partie dhe diplomatë bënin të paktën një muaj punë në vit në fabrika ose ferma.
Brigadat e punëtorëve konkurrojnë që të tejkalojnë kuotat e prodhimtarisë. Kjo sjell shpërblim në medalje dhe ditë ekstra pushimesh në një kamp. Tabelat e lajmërimeve janë plot me fletë-rrufe, me qëllim që të përmirësohet morali dhe prodhimtaria nëpërmjet ‘vetëkritikës’.
Në fabrikën Enver Hoxha në Tiranë, kolegut tim Sami Kohen, iu tregua me krenari traktori i parë i bërë në Shqipëri. Kur kinezët ndërprenë ndihmën, ata lanë këtë fabrikë, një digë hidrocentrali, minierat dhe projekte të tjera të mëdha të papërfunduara.
“Teknikët kinezë madje morën gjithë planet” tha i i inatosur drejtori. “Pastaj u përpoqën të sabotojnë fabrikën duke refuzuar që të sillnin pjesët e nevojshme të makinerive. Por ne e përfunduam fabrikën dhe i morëm makineritë dhe pjesët nga vendet e tjera. Jo si ndihmë e huaj ose si kredi. Patëm mjaftueshëm nga kjo ndihmë nga rusët dhe kinezët. Nëse na nevojitet diçka, e blejmë nga një vend tjetër – me para. Ose e shkëmbejmë. Në këtë mënyrë, ruajmë pavarësinë tonë.”
Në fakt, Kushtetuta shqiptare e 1976-s i ndalon marrëveshjet kreditore, duke mos i lejuar kreditë bankare nga Lindja ose Perëndimi.
Të jetosh mirë, shqiptarçe
Shumë pak vende të tjera do ta kishin zgjedhur këtë rrugë të vështirë drejt zhvillimit. Por Shqipëria udhëhiqet me një dorë të hekurt. Dhe shqiptarët janë mësuar me privimet. Vështirësitë e tërmeteve dhe përmbytjeve ndoqën tmerret e luftës. Kur rusët u tërhoqën, thatësira të rënda rritën spektrin e vdekjes nga uria; shumë komoditete u kufizuan.
Sot, megjithëse Shqipëria është larg të qenit e begatë, nuk ka mungesa të theksuara dhe racionim. Njerëzit janë të veshur thjesht, por asnjë nuk është në rrecka. Familjet jetojnë në apartamente ose shtëpi të vogla, të mobiluara varfërisht sipas standardeve perëndimore. Por krahasuar me mjerimin e djeshëm, shqiptarët nuk kanë dyshime se sot janë më mirë. Dhe ata krenohen me vullnetin e tyre për të mbijetuar sipas kushteve të tyre: “Preferojmë të hamë bar, nëse duhet. Nuk do t’ua zgjasim kurrë dorën imperialistëve.”
“Kemi përjetuar ditë të vështira”, 71-vjeçari Kristo Teodori i tha Sami Kohenit, në një vizitë në një kooperativë në Finiq në jug të Shqipërisë, “Kam kaluar rininë time në mjerim, në këto fusha. Punoja shumë për pronarin e tokës, por mezi arrija të fitoja mjaftueshëm për të jetuar. Sot, falë Enver Hoxhës, jetojmë mirë.”
Plaku ndan një shtëpi me tre dhoma me djalin e tij Jorgo 47-vjeçar, nusen e tij dhe motrën e saj. Duke pirë kafe turke dhe konjak, ai tha që kooperativa sot përfshin 17 fshatra me 8,000 banorë dhe 3,400 hektarë tokë që prodhon grurë, misër, oriz, pambuk, perime, fruta, derra dhe lopë. Para “çlirimit”, kjo ishte 80% kënetë.
Toka i përket shtetit; shtëpitë, veglat dhe farat, të gjitha i përkasin kooperativës, dhe çdo fermer merr një pjesë të prodhimit. Shitjet e tepricave ndihmojnë për mirëmbajtjen e një qendre mjekësore, shkollave, dyqaneve, një teatri, dhe e hapësirave sportive. Tre anëtarët e familjes që punojnë fitojnë mjaftueshëm për gjërat bazike, kështu që Kristo Teodori mund të shpenzojë një pjesë të pensionit të tij prej 420 lekësh ($85) për konjak dhe cigare. “Unë e quaj ‘Bonusi i Enver Hoxhës’”.
Regjimi i Hoxhës e shpalli reformën agrare në 1945-n, duke ua marrë tokën pronarëve dhe duke ua shpërndarë fshatarëve. Kolektivizimi u përfundua në 1960-n. Rezultatet: lugina të kulluara dhe të kontrolluara nga përmbytjet, ferma të ujitura dhe tarraca në faqet e kodrave. Tokat e punueshme të Shqipërisë malore, dikur një 10 përqindësh i pamjaftueshëm, janë dyfishuar, malaria është zhdukur, shërbimet shëndetësore dhe sociale janë përmirësuar ndjeshëm. Katër dekada më parë shqiptarët mund të prisnin të jetonin deri në 38 vjeç. Sot jetëgjatësia e tyre është rritur në 68 vjeç.
Në sfidën e saj ndaj botës, Shqipëria gjithashtu mund të mbështetet në burimet e saj minerale dhe energjetike. Pas Afrikës së Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, Shqipëria renditet e treta në prodhimin e kromit. E limituar në nevoja, është vetë-sufiçiente në energji – naftë, qymyr dhe energji hidroelektrike e bollshme nga digat e lumenjve. Pashë linja elektrike në të gjitha anët e vendit. Katundet malore janë elektrifikuar, madje Shqipëria i shet teprica energjie Jugosllavisë dhe Greqisë fqinje.
Produkte industriale, minerale dhe agrare mbushin ekspozitën “Shqipëria Sot” në Tiranë. “Çdo gjë këtu është produkt i punës dhe sakrificës tonë.” thotë Hysen Vaqarri, drejtori i ekspozitës. “Ne madje prodhojmë mjaftueshëm ushqim dhe për eksport. As kriza botërore energjetike nuk ndikon te ne. Ne prodhojmë gjithçka, nga radiot te enët e kuzhinës. E bëjmë të gjithën këtë me forcat tona – pa mbështetje të jashtme.”
Janë aq të vendosur në vetëmbështetjen e tyre, sa Shqipëria shmangu ndihmat nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kur një tërmet shkatërroi rajonin e Shkodrës në veriun e Shqipërisë në Prill të 1979.
Gjatë gjithë Shqipërisë pashë studentë, meshkuj dhe femra, që ndërtonin rrugë, shtëpi, punonin në ara dhe në fabrika. Sistemi hekurudhor i Shqipërisë po zgjatet drejt veriut kryesisht nëpërmjet punës studentore (faqet 538-9).
“Kjo punë fizikë na lejon neve studentëve të njohim më mirë vendin dhe popullin tonë, të rrisim dijet tona praktike, të ndajmë edukimin tonë teorik dhe na lejon që të ndërtojmë socializmin.”
Kështu u shprehën Gjergj Murra, Bashkim Çami, Zeliha Kraja, studentë historie në Universitetin Shtetëror në Tiranë. Përveç gjashtë orëve mësim në ditë, ata bëjnë dhe një ditë të plotë trajnim ushtarak në javë.
“Çfarë bëni pas mësimit?”
“Studiojmë leksionet e ditës.”
“Dhe në kohën tuaj të lirë?”
“Shëtisim... shkojmë në teatër ose kinema... dëgjojmë muzikë klasike.”
Kurset zgjasin tetë muaj. Më pas, përveç muajit të punës fizike për studentët, ka një muaj shërbim ushtarak, për vajzat ashtu si dhe për djemtë. Të gjithë maturantët duhet të shërbejnë një vit në një fermë ose fabrikë para se të fillojnë punë ose të hyjnë në universitet.
“Dhe pas diplomimit?”
“Një vit praktikë para se të fillosh punë. Një i diplomuar në mjekësi shërben në një spital. Në inxhinier në një fabrikë. Të diplomuarit në filozofi ose gjuhësi zakonisht japin mësim.
Administratorët e universiteteve thonë se 80% e popullsisë ishte analfabete në 1938-n; sot 80% mund të lexojnë dhe të shkruajnë. Universiteti filloi në 1957-n me 3,600 studentë. Sot janë 16,000 të regjistruar në shtatë fakultete: inxhinieri, shkenca politike, gjeologji, histori, ekonomi, mjekësi dhe shkenca natyrore.
Por jo shkollë drejtësie. Pse jo?
“Sistemi ynë nuk ka nevojë për avokatë,” erdhi përgjigja. “Qytetarët tanë nuk kanë nevojën e një personi të tretë që t’i mbrojë. Gjykatësit e Gjykatës Popullore, të zgjedhur nga populli, i marrin të drejtat e tyre në konsideratë.”
Në mënyrë ogurzezë, Ministria e Drejtësisë u zhduk në një nga reformat e shumta administrative të Enver Hoxhës.
Marksizëm-Leninizmi është lënda bazë në të gjitha fakultetet, që çon drejt “formimit ideologjik” të studentëve. Kurset thelbësore përfshijnë historinë e Partisë Shqiptare të Punës, politikat ekonomike të kapitalizmit dhe socializmit, materializëm dialektik, filozofi “revizioniste” – dhe sigurisht, veprat e Enver Hoxhës. Plani pesëvjeçar përcakton kuotat universitare, me kuota sipas rajonit dhe profesionit të familjes – nga një e treta për secilin: punëtorët, fermerët dhe intelektualët. Ata, familjet e të cilëve kanë qenë pronarë ose tregtarë në sistemin e kaluar, e kanë më të vështirë.
“Po nëse studentët nuk marrin provimet?”
“Rinia jonë është idealiste. Në fund të vitit, 96% kalojnë. Ata që ngelin transferohen në një fermë ose fabrikë. Ki parasysh, plani ynë 5-vjeçar përcakton sa doktorë, inxhinierë, gjeologë, shkencëtarë dhe mësues i nevojiten vendit çdo vit. Ky universitet nuk mund të prodhojë më pak. Duhet të kemi të rinjtë më të mirë për të arritur objektivat tona në përputhje me planin.”
Të punosh për shtetin
“Plani.” Fraza dukej se ndillte një frikë të përzier me nderim sa herë që përdorej. Vërtetë, në një ekonomi kaq të centralizuar në mënyrë kaq dogmatike sa ajo e Shqipërisë, plani është i shenjtë.
Plani bazohet në shtetëzimin total të pronës. Çdo dyqan, restorant dhe kioskë i përket shtetit. Çdo taksist, berber, kamarier, furrxhi dhe artist punon për shtetin. Fermerët punojnë ose në ferma të drejtuara nga shteti ose në kooperativa të sanksionuara nga shteti.
Duke ardhur nga një Turqi e pllakosur nga inflacioni, gjeta një tërheqje të pamohueshme nga disa aspekte të ekonomisë së Shqipërisë. Pa taksa mbi të ardhurat. Pa inflacion. Pa varësi nga burimet e jashtme të energjisë. Dhe meqë gjithçka është rreptësisht e kontrolluar nga shteti, nuk ka ngritje çmimesh – ose rritje rrogash.
Punonjësit e fabrikave dhe fermerët zakonisht marrin 600 deri në 700 lekë në muaj (një dollar është i barabartë me 5 lekë); një profesor universiteti rreth 1,000. Nivelimi i pagave vendos një tavan prej 1,200 lekësh, përveç zyrtarëve të lartë.
Me standardet Perëndimore, rrogat janë të ulëta. Por ashtu janë dhe shumë prej çmimeve. Në dyqane gjeta mish me 12 deri në 18 lekë për kilogram ($1.10 deri në $1.60 paundi), bukë 2 lekë (18¢ për paund); një paketë cigaresh vendase kushton 2 lekë (40¢).
Veshmbathja është ajo që e dëmton më shumë buxhetin familjar. Kam parë kostume meshkujsh të bëra në Shqipëri që kushtonin sa rroga e një muaji, të cilat nuk do doja t’i blija. Këpucët janë 100 lekë, këmishat 50 lekë – por cilësia është e dobët. Plani kufizon 250 milionë dollarët e importeve kryesisht në makineri bazike, pjesë këmbimi dhe materiale të papërpunuara, të balancuara nga eksporti.
Shqipëria i mban qiratë e ulta – zakonisht jo më shumë se 5% të të ardhurave familjare. Por zyrtarët pranojnë se ka mungesa apartamentesh, veçanërisht për çiftet e sapomartuara.
Shërbimet shëndetësore dhe edukimi janë falas, dhe shqiptarët paguajnë pak për transport apo argëtim. Edhe Tirana ofron pak mundësi argëtimi: disa teatro që shfaqin filma ideologjikë, shfaqje, opera dhe programe folklorike, por nuk ka klube nate, të cilat vijnë erë dekadence borgjeze.
Tirana ka më shumë restorante se qytetet e tjera, por pak mund ta përballojnë të hanë jashtë shpesh. Shqiptarët kanë pijen e tyre të fortë të rrushit, raki, si dhe konjak, verë dhe birrë. Por ata nuk janë pijetarë. Në Tiranë një djalë mund ta çojë të dashurën në një park, nëse e lejon moti, ose për të parë një film mbi temën e preferuar, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Sami Kohen pa një ballo të organizuar nga fabrika në Pallatin e Kulturës. Çifte të reja qëndronin të ngrirë duke kërcyer foks-trot dhe tango të vjetra me një orkestër amatore. Zotëronte disiplina dhe qetësia
Në fakt, “revolucioni kulturor” i Shqipërisë vendos rregullat për sjelljen e rinisë dhe pamjen. Jo vetëm flokët e gjata dhe minifundet, por edhe xhinsi, pantallonat e ngushta dhe make-up janë tabu. Jo drogëra, seks paramartesor, shaka vulgare ose çimçakëz. Muzika rrok dhe xhazi me ritme të forta nuk shihen me sy të mirë.
Vizitorët e huaj zakonisht i kalojnë netët në barin, tavernën dhe restorantin e Hotel Dajtit, ku kuzhina është relativisht e mirë. “Përveç festave të ambasadave, zor se ka ndonjë vend tjetër ku të shkosh, ndonjë gjë për të bërë ose dikë me të cilin të flasësh” u qa një diplomat i ri perëndimor, posti i mëparshëm i të cilit ishte në Paris.
E ktheva këtë në një mundësi për të mësuar më shumë mbi rrënjët e mosbesimit të Shqipërisë ndaj botës së jashtme.
“Nëse do isha shqiptar, dhe unë do isha dyshues”, filloi informatori im. “Vazhdimisht fqinjët grabitqarë i kanë pushtuar: Serbia, Mali i Zi dhe Greqia morën copa të mëdha nga territori shqiptar. Ki parasysh, 1 milion e gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Jugosllavi, sa gjysma e shqiptarëve në Shqipëri. Për 70 vjet Greqia kishte pretendime mbi Epirin e Veriut, që është Shqipëria jugore. Derisa diplomatët perëndimorë vunë veton e tyre, Musolini marshoi dhe pushtoi të gjithë vendin në 1939. Më vonë, Tito donte ta bënte Shqipërinë një republikë të shtatë jugosllave. Një histori e tillë la plagë të thella.”
Shqipëria sot nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, Britaninë apo Gjermaninë Perëndimore. A do ndryshojë kjo politikë tani që Shqipëria ka prishur marrëdhëniet më Bashkimin Sovjetik dhe Kinën?
“Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi arki-imperialiste, po aq kërcënuese ndaj nesh sa Rusia social-imperialiste dhe Kina revizioniste,” i tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme Shqiptare Sami Kohen-it. “Amerikanët u përpoqën të na afroheshin pas prishjes me Kinën, por ne nuk duam të kemi të bëjmë me ta”.
“Britania ende mban 40 milion dollarë ar shqiptar të marrë pas Luftës së Dytë Botërore,” u ankua një gazetar. “Gjermania refuzon të na paguajë dëmet për pushtimin nazist, që kapin vlerën e 4.5 bilionë dollarëve. Ne kurrë nuk do të pranojmë marrëdhënie diplomatike me asnjë nga shtetet pa paguar.”
(SIPËRFAQJA: 28748 km katrorë. POPULLSIA: 2700000. EKONOMIA: Eksportohen xeherorë kromi dhe elektricitet. FEJA: Historikisht 70% muslimanë; shteti dekreton ateizmin. QYTET KRYESOR: Tirana, kryeqytet, pop. 200000.)
Foto të tjera..
Të shkojmë drejt së ardhmes
Shqipëria e sotme është e projektuar në imazhin e Enver Hoxhës, tani përtej të 70-ave. Po pas tij? Me redaktorin e Hostenit, një revistë humoristike, rikujtova ndryshimet e Bashkimit Sovjetik pas Stalinit dhe të Kinës pas Maos. A kishte ndonjë mundësi që dhe Shqipëria mund të zbutej pas Enver Hoxhës?
“Ti na ka krahason me ato vende revizioniste?” qortoi ai, gjithë zell. “Jo, asgjë nuk do të ndryshojë pasi shoku Enver të ndërrojë jetë. Partia dhe kombi janë të lidhura fort. Mësimet e tij na japin neve drejtimin tonë. Ne nuk do devijojmë prej tij.”
Në vend që të hapet ndaj botës, Shqipëria e vet-izoluar rri gjithmonë gati për luftë. Përveç dy viteve shërbim ushtarak për të rinjtë dhe të rejat, të gjithë qytetarët e aftë fizikisht, pavarësisht profesionit të tyre, duhet të shërbejnë një muaj ose më shumë në forcat e armatosura. Ushtrimet e shpeshta ushtarake në të gjitha fabrikat, fermat, dhe zyrat përgatisin popullin kundër sulmeve.
Kudo ku udhëtova - në bregdet, në shtigje malore, në fusha, në parqet e qyteteve, ndërmjet blloqeve të pallateve – pashë bunkerë, emri i tyre popullor . Ata duken - dhe dalin – si kërpudha. “Më shumë beton dhe çelik shkon për bunkerët se për strehim,” më tha një diplomat.
E dija se Enver Hoxha shqetësohej për të ardhmen e Jugosllavisë pas Titos – dhe makthin e një pushtimi Sovjetik. A ndihet vërtet e kërcënuar Shqipëria?
“Duhet të përgatitemi për më të keqen,” më tha një gazetar shqiptar.
“Por a mundet Shqipëria e vogël të përballojë sulmin e një fuqie të madhe?”
Armatimet e Shqipërisë, kryesisht të prodhuara në Kinë, janë demode, dhe vëzhguesit diplomatikë në Tiranë thonë që vendi mund të kërkojë armë në Europë.
“Edhe nëse armiku është superior numerikisht, ne mund t’i ndalojmë ata. I gjithë populli do të mobilizohet në çast. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë si një fortesë natyrore. Çdo sulm do t’u kushtonte shtrenjtë pushtuesve.”
Mendova për shtëpitë e gurit në Gjirokastër dhe qytetet e tjera malore, muret pa dritare poshtë dhe frëngjitë lart – çdo shtëpi një fortesë, trashëgim i shekujve gjakmarrje. Dhe m’u kujtua kalaja e shekullit të 15-të në Krujë – fortesa nga e cila Skënderbeu udhëhoqi 25 vjet luftën guerile kundër otomanëve.
I lindur Gjergj Kastrioti, dhe i dërguar si peng në moshë të re në oborrin e sulltanit, u ngrit në komandën e lartë në Perandorinë Otomane. I riquajtur pas Aleksandrit të Madh (Iskander Bej në turqisht) të cilin turqit e admironi, Skënderbeu dezertoi dhe udhëhoqi 300 kalorës shqiptarë për të rimarrë trashëgiminë e tij. Ai braktisi Islamin dhe frenoi rrjedhën turke në Europë deri në vdekjen e tij në 1468.
Ai u mbajt si një simbol rezistence. Dhe ishte nën flamurin e Skënderbeut – shqiponja e zezë dykrenare në një fushë të kuqe gjaku – që partizanët e Enver Hoxhës përparuan Shqipërinë e pavarur të sotme.
Shteti ndalon “Opiumin e Popullit”
Shiu përhiri Liqenin e Shkodrës dhe mbështolli të egrat Alpe Shqiptare të Veriut që ruajnë kufirin me Republikën Jugosllave të Malit të Zi.* Përgjatë grykëderdhjes së liqenit, e cila është e lundrueshme deri në Adriatik, shtrihet Shkodra, kryeqyteti antik i Ilirisë. Mbi të, një kala mesjetare të sjell ndërmend zotërit venecianë. Një monument në një park aty nderon pesë partizanë shqiptarë të cilët u vetëflijuan duke zmbrapsur 300 pushtues nazistë. Afër tij më çuan të vizitoja Muzeun e Ateizmit të Shkodrës.
Nën sloganin e Marksit “Feja është opium për popullin” – drejtori, një burri i ftohtë i veshur me gri, me zë të ashpër, më tha se feja kishte penguar pavarësinë e Shqipërisë.
Për shkak se turqit e identifikonin kombësinë me fenë, shqiptarët e besimit myslimanë (rreth 70% e popullatës) konsideroheshin turq. Të krishterët ortodoksë (rreth 20%) quheshin grekë, dhe katolikët romanë (rreth 10%) latinë. Shërbimet si rrjedhojë kryheshin, jo në shqip, e cila ishte e ndaluar dhe nuk kishte as alfabetin e saj roman deri në vitin 1908, por në 3 gjuhë të huaja: arabisht, greqisht dhe latinisht. “Gjatë përpjekjeve për të ndërtuar kombin tonë shqiptar,” vazhdoi ai, ndërkohë që më tregonte ekspozita mbi abuzimet klerikale, “kishat shërbyen si një kolonë e pestë për fashizmin, imperializmin dhe kundërrevolucionin.”
Regjimi i Hoxhës ekzekutoi klerin, i dënoi në kampe pune ose i caktoi në “punë prodhuese”. Vendet e tjera komuniste e mbajnë nën fre fenë; Shqipëria e ndalon atë duke e shpallur veten “shteti i parë ateist në botë” në 1967. Të gjitha 2,169 xhamitë, kishat, manastiret dhe vendet e tjera të “obskurantizmit dhe misticizmit” janë mbyllur, shembur ose shndërruar në qendra rekreacioni, klinika, magazina ose stalla. Katedralja e madhe e Shkodrës kumbon nga britmat e 2,000 fansave të basketbollit.
Gjenerata e re e Shqipërisë njeh vetëm ateizëm. Besimi Marksist-Leninist zëvendëson besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës, të botuara pjesë-pjesë në gazeta, të cituara në radio, sloganet e përzgjedhura shërbejnë si një Testament i Ri. Hoxha mbahet si një mesi – pafundësisht i mençur, largpamës dhe dashamirës, por gjithashtu i paepur ndaj armiqve të tij.
Lartësimi i profilit të Liderit
Duke jetuar veçmas popullit të tij në një kompleks të ruajtur mirë në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit, dhe duke udhëtuar në një Mercedes me perde, Enver Hoxha është i kudondodhur. Portreti i tij të sheh nga çdo mur, edhe nga kamionë dhe traktorë. Emri i tij është i gdhendur në faqet e kodrave me germa dhjetëra metrash. Vendlindja e tij – një shtëpi guri dykatëshe në Gjirokastër – është një vend i adhurimit kombëtar.
Një mjeshtër i vetëruajtjes staliniste, Hoxha ka asgjësuar në mënyrë të pamëshirshme çdo kundërshtar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Elita revolucionare, e bindur që natyra njerëzore mund të formohet nga indoktrinomi i vazhdueshëm, ka vendosur të krijojë një qytetar të ri shqiptar i cili pa dyshim do të bëjë çdo sakrificë në luftën e vendit të tij ndaj “rrethimit të egër imperialist-revizionist” për të ndërtuar një shoqëri të lirë nga herezia e individualizmit, mendimit të pavarur apo moralit të huaj.
Ndërkohë që përpiqet të riformësojë qytetarët e vet, ky vend i vogël, dikur i prapambetur, e ka ngritur veten në mënyrë mbresëlënëse me forcat e veta. Le të marrim kombinatin e madh metalurgjik në Elbasan, të quajtur Çeliku i Partisë; stacionin hidroelektrik në Fierzë, të pagëzuar Drita e Partisë; një regjistrim studentor prej 700,000 përkundër 56,000 në 1938; çuarjen nga dy radiotransmetues në 1945 në 52 brenda dy dekadash; jetëgjatësia mesatare gati e dyfishuar në 4 dekada – të gjitha arritje të dukshme.
Regjimi gjithashtu po përpiqet të zbërthejë strukturën klanore patriarkale që ka mundësuar jetën shoqërore në malet e egra të Shqipërisë. Duke vepruar kështu, po shuan hakmarrjet, të cilat deri në 1920 shkaktonin vdekjen e 1 në 4 meshkujve. Ka ndaluar dhe marrjen e gjakut për tradhti. (Tradita e maleve i jepte të drejtën burrit të vriste bashkëshorten e tij dhe dashnorin e saj. Familja e saj, në një ritual aprovimi i jepte një plumb atij!)
Reformuesit i dhanë fund martesave në djep dhe shitjes së nuseve 12-vjeçare, ata sulmuan zakonet që e mbanin femrën shqiptare të konsideruar tradicionalisht si “me flokë të gjata e mendje të shkurtër”, me një pozicion inferior.
Asnjë cep i jetës shqiptare, materiale ose shpirtërore, nuk i kishte shpëtuar impulsit të Hoxhës për kontroll. Njerëzit me emra “të papërshtatshëm ose fyes” nga pikëpamja politike, ideologjike ose morale, duhet t’i ndryshonin ato. As të vdekurit nuk shmangeshin nga zelli reformues i Hoxhës. Varrosjet, të paguara nga shteti, bëhen në toka të përbashkëta, pa ndarjen fetare tradicionale.
Po të kthesh anën e ndritshme të monedhës së rritjes së “mësimit të shkrimit e këndimit” (siç shpreheshin) të shfaqet ana e errët të rritjes së kontrollit të mendimit, pasi Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës përcakton çfarë do të lexojnë shqiptarët, siç shteti vendos kush do të punojë ku, kush do të shpërblehet dhe kush do të ndëshkohet.
Shoqëria dyshuese mbyll dyert e saj
Dora e ashpër e historisë ka fiksuar dyshimin në psikikën shqiptare. Pas tre javësh në Shqipëri kuptova se sa pak kisha arritur të penetroja në fasadën e këtij eksperimenti social ogurzi.
Kurrë në udhëtimet e mia nëpër botë nuk kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur, nuk isha ndjerë kaq shumë në ishull. I shoqëruar dhe i vëzhguar gjatë gjithë kohës, ndjeva se makina e verdhë e dallueshme në të cilën udhëtova ishte si kambana që lajmëronte afrimin e lebrozit mesjetar.
Guida ime, Bashkim Babani, rrinte mbrapa meje që të shihte se çfarë po regjistronte kamera ime. Ai më lejonte të fotografoja jashtë uzinave industriale, por jo t’i vëzhgoja gjatë punës, të vizitoja një digë hidroelektrike, por jo centralin elektrik. Në një distileri më dhanë të pija raki, por nuk mund të shihja sesi prodhohej. Kërkesat për të vizituar familje dhe shtëpi ishin shmangur me mirësjellje ose injoruar. Asnjë foto të bunkerëve, gomerëve, asgjë primitive, sigurisht. Por Bashkimi më ndaloi edhe të riprodhoja imazhet e kartolinat shqiptare. Një qytetar kundërshtoi fotografimin e fëmijëve para Teatrit të Kukullave të Tiranës. Bashkimi më shkurajoi bërjen e fotove gjatë një ceremonie dasme. Regjimi i minimizon festime të tilla tradicionale. As nuk mbaj mend të kem parë ndonjë qen ose mace shtëpiake, lukse borgjeze.
Një herë fillova një bisedë drejtpërdrejt me një fshatar në turqisht. Bashkimi e ktheu menjëherë bisedën në shqip dhe i përktheu përgjigjet në zhargonin e zakonshëm të partisë.
As nuk mund të çaja mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe i përzemërt, siç ishin shumica e shqiptarëve. Vetëm një herë më ndodhi të has në një thyerje të mikpritjes – një adoleshent në një fermë kolektive rrushi afër Shkodrës pështyu te këmbët e mia dhe lëshoi një slogan “poshtë të huajt”. U përpoqa të thyeja barrierat, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll me gruan dhe djalin tim. Por ai kur nuk e hapi perden, si në Mercedesin e Enver Hoxhës, për të më lejuar një vështrim në jetën dhe mendimet e tij private. Me të vërtetë, ai dukej se mishëronte të njëjtën sjellje, të njëjtën maskë, që vendi i tij vesh në mënyrë kaq sfiduese.
Përktheu në shqip: Kebriona Veliaj
Redaksia Online
(a.n shqiptarja.com)