Në Tiranë, Durrës, Shkodër e gjithandej, koha duket se ka ngrirë në një përkohshmëri të përhershme. Njëlloj si dikur, ka zhurmë, trafik, llum informacionesh, inflacion konspiracionesh, pak shpresë, shumë statuse, flamuj në bio, vrer në komente, slogane, evente, forume, panele, hashtagë patriotikë dhe “krenarperShqipninë!” në version digjital. Por punë, ato punë me të cilat Shqipnia del në dritë, ende nuk duken sa duhet.
Njerëzit rrinë në hije, jo më poshtë avllive, por në kafene, studio televizive, komente, story dhe debate online, duke pritur me gojë hapur jo më Evropën nana-vida, por Brukselin, Washingtonin, grantin, tenderin, projektin pilot, apo ndonjë “fond zhvillimi” a "operacion zbarkimi". E prapë, nuk vjen asgjë, veç mizave digjitale, thashethemeve, clickbait-it dhe premtimeve që riciklohen më shumë se plehrat.
Atdhetarët tanë të vorfën? Ata po plasin duke folë për atdhe, ndërkohë që punojnë me mish e me shpirt për xhepin e vet. Patriotizmi i tyre është bërë elastik si llastiku i brekëve, tkurret e zgjerohet sipas buxhetit, zgjedhjeve dhe numrit të “like”-ve. Për Shqipninë s’kanë kurrë kohë, por për ta rjepë Shqipninë nuk dinë çfarë është pushimi.
Pazari i vjetër i Shkodrës është zhvendosë nëpër panele televizive, ku “çështjet lokale e botnore” ngrihen e zgjidhen, mes dy reklamave për detergjentë.
Dhe ah, politika. Këtu prodhohet politikë më shumë se rrymë elektrike. Pa lexue kurrë një rresht serioz, çdo “ekspert”, me gishtin ende të lyer me yndyrë qebapi, e shpall veten strateg global. Pa e ditë as ku i bie kufiri i kopshtit të vet, ai lëviz kufijtë e NATO-s mbi ekranin e plasaritur të iphone-t. Botën e ndajnë në sfera influence si me nda shalqi Lushnje, me një të rënë të thikës së injorancës, duke shpjegue doktrina globale me fjali statusi.
Kur shfaqet në ekran ndonjë që e ka bindë veten se është i rëndësishëm, mbërrin cunami. Siguria kombëtare, e ndërkombëtare, gjeopolitika, filozofia, astronomia, bujqësia dhe ekonomia derdhen me kova mbi popullin e mbetun gojëhapur. Armiqtë dhe aleatët theren e pajtohen brenda dy orëve emision. Por kur vjen puna te një vendim konkret, te një reformë që dhemb, apo te një përgjegjësi reale, gjithçka mbyllet me frazën magjike: “Mos i personalizojmë gjërat”. Sepse këtu askush nuk lëviz nga vendi, të gjithë presin që bota të rrotullohet rreth kafes së tyre.
Sot, në këtë Shqipni të vitit 2026, e vërteta nuk është e ndalun, thjesht ia kanë zënë frymën. Është zhytë aq thellë në rrena, spinime dhe performanca mediokre, sa askush nuk e njeh më, edhe po t’i dalë përballë. Nuk na mungojnë lajmet, na mungon e vërteta. Nuk na mungojnë llafet, na mungon turpi.
E kështu, Shqipnia ecën përpara, me marshin “neutral”, duke djegë karburant kot dhe duke mos u zhvendosë asnjë milimetër nga balta e vjetër.
Komente









