Muaji tetor në Lezhë është pagëzuar këtë vit si “Tetori Fishtjan”, ku zhvillohen një sërë aktivitetesh me rastin e 154-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, një prej figurave më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Bashkia Lezhë ka hartuar një kalendar të pasur, që ka nisur me hapjen e ekspozitës letrare e vizuale në Galerinë e Arteve. Në të janë paraqitur vargje, thënie dhe fragmente nga poezitë, prozat dhe satirat e Fishtës.

Ndërsa më 22 tetor do të mbahet “Ora e Muzeut”, një aktivitet kushtuar figurës dhe veprës së Fishtës.

Në datën 23 tetor do të zhvillohet konkursi mbarëkombëtar “Çmimet At Gjergj Fishta”, ku rreth 60 autorë nga mbarë vendi do të konkurrojnë me krijime të ndryshme letrare.

Ndërsa në fund të muajit, për pesë ditë me radhë, do të zhvillohet “Itinerari Fishtjan”, një udhëtim kulturor dhe artistik që do të kulmojë në Fishtë, vendlindjen e poetit.