'Shqipëria, atdheu i baladave', Konferenca Ndërkombëtare mbledh 60 studiues nga e gjithë bota, Sinani e Velaj rrëfejnë si ruhet kjo trashëgimi

Mbahet për herë të parë në vendin tonë Konferenca Ndërkombëtare e Baladave. Ky edicion i 50-të mbledh 60 studiues nga e gjithë bota. Akademik Shaban Sinani dhe studiuesja Olimbi Velaj rrëfejnë sa e pasur është Shqipëria me balada e këngë popullore, kontributin e folkloristëve vendas dhe risqet e ditëve të sotme.

“Konferenca e 50-të e Komisionit ndërkombëtar të Baladave, ku Akademia është bashkëorganizatore,  është një ngjarje shumë e rëndësishme pas Kuvendit të vjetshëm të studimeve albanologjike dhe po ashtu krahasuar dhe simpoziumin ndërkombëtar për epikën legjendare që është mbajtur në vitin 1983. Shqipëria po zë vendin e vet në të, atje ku ka pasur një boshllëk që ka zgjatur shumë ashtu sikurse ka zgjatur edhe në shumë organizata të tjera shkencore ndërkombëtare. Por, ardhja e 60 studiueseve nga të gjitha anët e botës, një pjesë e të cilëve njohin edhe fondin e baladave shqiptare u jep gjithashtu vëmendje këtyre pasurive që ne kemi. Krijon mundësi që shkolla të ndryshme, pikëpamje të ndryshme shkencore për historinë e baladave, kohën e formimit të tyre, origjinën, mbijetesën të bashkëshihen mes tyre dhe sigurisht edhe studiuesit shqiptarë të shikojnë se sa të argumentuar dhe të suksesshëm kanë qenë në tezat e tyre. Sigurisht që këta studiues që kanë ardhur dhe të gjithë do të referojnë do të kthehen në vendin e tyre duke menduar se çfarë do të shkruajnë edhe për fondin shqiptar të baladave  “, shprehet Sinani.

Nga Tirana studiuesit e vijojnë aktivitetin e tyre në qytetin muze të Gjirokastrës.

“Konferenca Ndërkombëtare e Komisionit të Baladave përkon me 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave por edhe të vetë Komisionit, përfshirë edhe dy vitet e pandemisë që nuk jemi mbledhur. Është një shans për Shqipërinë që këta studiues nga e gjithë bota marrin pjesë dhe pikërisht për baladat. Ata e quajnë në fakt Ballkanin por sidomos Shqipërinë si atdheun e Baladës dhe në fakt është i tillë. Unë kam qenë anëtare e këtij organizmi prej 10 vitesh. Interesi është që në atë vend ku shkohet për t’u bërë konferenca të ketë një aktivitet folklorik i cili të shpalosë folklorin dhe trashëgiminë shpirtërore të vendit ku bëhen . Ne kemi “Divanin lunxhiot”, shprehet studiuesja Olimbi Velaj.

Do të shkëmbehen eksperiencat mes palëve dhe do të trajtohen një sërë tematikash si zhvillimi i baladave e këngëve popullore veçanërisht gjatë sistemit komunist si dhe transformimi dhe hapësira që i dedikohet në ditët e sotme.

“Ne kemi më pak kohë studimi dhe më shumë kohën e mbledhjes. Mund të fillojmë që nga fretërit e letërsisë së vjetër shqipe që gjithsesi i kanë mbledhur edhe në fjalorët, tekstet e tyre. Pastaj vijmë me De Radën, arbëreshët etj.,, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe që sollën idenë e shtetit nacional pikërisht nëpërmjet rivlerësimit të folklorit. Dhe pastaj vimë në momentet e viteve 1930 ku për herë të parë kemi profesor Eqerem Çabejn , i cili arrin të bëjë interpretimin e baladave dhe hap një hulli ku të tjerët më pas vijojnë. Kemi krijimin institucional të institutit që merret me trashëgiminë, dhe në vitet ’70 kemi me të vërtetë studim dhe mbledhje të folklorit mbi baza të krahasueshme me kolegët përreth. Nuk mund të lëmë pa përmendur emra si Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Jorgo Panajoti, Gjergj Zheji dhe pastaj deri te profesorët Shaban Sinani. Një studim shumë të mirë ka bërë i ndjeri Adrian Klosi, për lidhjen e baladës me mitin dhe ritin dhe për përthyerjen e motiveve baladeske në letërsinë ballkanike, por gjithashtu ka edhe studiues bashkëkohorë të rinj që vijojnë”, shprehet Velaj.

Si kontribuuesit më të vyer të kësaj trashëgimie, nuk mund të mungonin në këtë ngjarje, arbëreshët me studimet e tyre por edhe një koncert polifonik.

“Pa diskutim që kontributi i arbëreshëve është më i hershmi në studimin e baladave dhe më i qëndrueshmi në kohët e sotme. Do të veçoja këtu studimet e Françesko Altimarit, Matteo Mandalas , të cilët në këto dekada të fundme po i shohin baladat në një dritë tjetër. Për shembull në fondin e baladave shqiptare asnjëherë nuk është konstatuar përbërësja kishtare e tyre, janë studiuesit arbëreshë që tani po merren edhe me aspektin parrokial të tyre, jo vetëm si pamje e përgjithshme, jo vetëm si frymë, por edhe në detaje”, shprehet akademiku.

Sa i përket baladave të përcjella gojarisht, akademiku rrëfen nëse ka ende për të mbledhur, dhe si ka ndikuar literatura e shkruar në këtë kontekst.

“Ende mund të flitet për balada që mund të mblidhen në terren. Sigurisht që nuk është më fondi i baladave të paprekura, të pacenuara nga kultura e qytetërimit të shkruar. Fondi që kishim kur nisën të shkruajnë etërit françeskanë. Baladat e sotme jetojnë me një farë kontaminimi të kulturës së shkruar. Botimi i motiveve kryesore të baladave ka ndikuar që bartësit e tyre të mos kenë një version autentik, por një version që diçka ka dëgjuar prej të parëve, dhe ca më shumë merr prej asaj balade që është e shkruar. Ky është një problem, por mendoj se ka rëndësi të mblidhen dhe këto versione gjysmë të shkruara e gjysmë të dëgjuara”, shprehet Sinani.

“Kemi një sërë baladash si balada e “Vëllait të vdekur”, e “Gruas së muruar” dhe balada që janë ruajtur edhe të shtresës para turke, çka e kanë bërë arbëreshët. Por duhet të studiohen më tepër” , shprehet studiuesja Velaj, koordinatore e Konferencës.

Studiuesi shpjegon se cilat janë zonat shqiptare, ku do të ishte më pak e vështirë, për tu gjendur qoftë edhe këto versione të baladave.

“Mund të gjenden në vende më të izoluara, edhe në versione që ende kanë vlerë për të pasuruar fondin e baladave shqiptare. Vende të tilla ka shumë pak, por ka një brez që nuk është shkolluar me intensitet si brezat e sotëm që nuk ka lidhje me internetin, nuk njeh variante që botohen nga amatorë dhe studiues seriozë, që ruajnë variantin e të parëve të tyre. Qoftë edhe pak variante të mblidhen është prapë me rëndësi”, shprehet akademiku.

Por sa i përket gjeografisë, a ka një hapësirë ku mund të thuhet se baladat kanë qenë më mbizotëruese?

“Baladat përfshijnë gjithë territorin shqiptar. Nuk ka pjesë të hapësirës historike shqiptare, që mund të mos ketë ekzistencë të baladave. Sidomos të tre motiveve kryesore, atij të flijimit, të rikthimit dhe të ringjalljes. Janë tre motive që nuk ka pjesë të hapësirës shqiptare që të mos dëshmohen”, shprehet Sinani.

S.C/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë