Para godinës së Kryeministrisë është zhvilluar protesta e organizuar nga Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’, e njoftuar disa ditë më parë nga kryetari Adriatik Lapaj.

Disa dhjetëra qytetarë iu bashkuan protestës së sotme, një pjesë e të cilëve ishin me pankarta me shkrime kundër qeverisë në duar.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Lapaj u kërkoi qytetarëve që të reagojnë ndaj abuzimeve të Qeverisë, në mënyrë që sipas tij të mund të çlirohen nga korrupsioni.

“Ju heshtët që këta të fuqizohen dhe duke heshtur bëtë që këta t’ju shtypin. Bëtë që dora e korrupsionit të zhvasë jetët dhe shëndetin tuaj. Prandaj ne kemi vendosur të mos heshtim, të bërtasim të vërtetat, të qëndrojmë pa u ndalur, sepse ne e dimë që nuk ka rrugë tjetër veç qëndresës dhe goditjes së pandalshme të një sistemi që vjedh ëndrra, para, shëndet e prona. Jemi të gjithë sëbashku të dënuar për të bashkëpunuar kundër atyre që na vjedhin lekët e shkollave, lekët e ilaçeve dhe paratë e gjithkujt”, tha mes të tjerash Lapaj.

Më tej Lapaj kërkoi që në Shqipëri të vendosej ligji për Referendumin, i cili sipas tij do të kufizonte pushtetin e çdo autokrati, duke ia dhënë popullit fjalën e fundit.

“Më thoni si gjendet e drejta në një republikë të tillë. Ne mendojmë dhe besojmë se duhet të gjithë bashkë t’i vihemi kundër, për të kërkuar reformim të ligjit zgjedhor që të hapet gara. Të gjithë bashkë të kërkojmë ligjin për referendumin, që të kthehet në zgjidhje. Na duhet ligji për referendumin që kushdo që është kryeministër dhe çmendet, populli të ketë në dorë fjalën e fundit”, shtoi Lapaj.

Lapaj vijoi më tej duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, për të cilët deklaroi se kanë vjedhur paratë e shqiptarëve. Në përfundim ai ripërsëriti thirrjen që qytetarët të ngrihen masivisht në protesta.

“Në kushte normale Edi Rama duhet të ulte kokën. Qeveritarët duhet të ulnin kokën sepse janë kapur në vjedhje. Por jo, ata veçse të vjedhin, edhe të tallin, të rrahin dhe të vjedhin sërish, sepse e dinë që nuk ke çfarë t’u bësh. Prandaj duhet qëndresa. Një ditë këta nuk do të jenë më, sepse koha e ka provuar se autokratët një ditë bien. Atë ditë do të jenë 2 palë, ju që luftuar dhe ata që u shërbyen për të na vjedhur. Unë besoj fort te individi, unë besoj te fuqia e individit, sepse kombet i kanë ndryshuar fatet e tyre nga individët, prandaj mos u dorëzoni, besoni te vetja, te fuqia juaj, besoni se fundi i tyre nuk është larg.

Ata janë shumë të pasur, aq të pasur sa paratë kanë filluar t’i peshojnë sepse nuk i numërojnë dot më. Ata janë peng të parave të vjedhura, të harramit i cili kurrë nuk bëhet hallall. Janë peng i parave të ilaçeve të vjedhura. Peng i një kombi që përpëlitet nga bijtë që e tradhtuan. Në këtë jetë ka pasur gjithmonë tradhtar. Por ka pasur edhe trima e njerëz me dinjitet. Bota është bërë më e mirë nga njerëz si ju që guxojnë të përballen. Po e mbyll duke i thënë sërish Ramës se unë dhe ne të gjithë bashkë nuk të kemi frikë. Rama vodhi popullin më të varfër të Europës”, përfundoi Lapaj.