Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Suela Janina, shprehu sot shqetësimin e thellë të Shqipërisë për situatën në Iran pas protestave antiqeveritare që kanë lënë mbi 5000 viktima.

Duke folur gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit i OKB-së të premten, Janina dënoi me forcë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve paqësorë që kundërshtojnë regjimin e Ajatollahëve.

“Shqipëria shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën në Iran, veçanërisht në kontekstin e protestave paqësore që nisën më 28 dhjetor 2025. Ne dënojmë fuqishëm përdorimin e tepruar dhe joproporcional të forcës kundër protestuesve paqësorë, që ka sjellë si pasojë mijëra viktima, plagosje masive dhe përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve të tjera të ndaluara, në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Ambasadorja shqiptare ngriti gjithashtu shqetësimin për arrestimet masive dhe përdorimin e dënimit me vdekje ndaj protestuesve.

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për arrestimet arbitrare në shkallë të gjerë, përfshirë edhe arrestimin e fëmijëve, si dhe për zbatimin arbitrar të dënimit me vdekje ndaj protestuesve të arrestuar së fundmi. Shqipëria riafirmon të drejtën e të gjithë iranianëve për të jetuar në liri dhe siguri personale, si dhe të drejtat për lirinë e shprehjes, të organizimit dhe të tubimit paqësor”, tha ajo.

Në fjalën e saj krahas diplomatëve nga e gjithë bota, Janina theksoi nevojën për përgjegjësi dhe hetime të pavarura ndërkombëtare mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran.

“Shqipëria thekson nevojën urgjente për të siguruar përgjegjësi për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe për të gjitha krimet sipas së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria mbështet fuqishëm zgjatjen e misionit të pavarur për mbledhjen e fakteve dhe të mandatit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran. Ne inkurajojmë hetime të hershme mbi shkeljet e fundit dhe ato në vazhdim, përfshirë edhe me synimin e procedimeve të ardhshme gjyqësore brenda mandateve të tyre" tha ajo. 

Protestat në Iran shpërthyen në fund të vitit 2025, duke u shtrirë në mbi 100 qytete të vendit. Ato konsiderohen si ndër më vdekjeprurëset që nga revolucioni islamik i vitit 1979.