Takimi Ndërkombëtar i Feve për Paqen vitin tjetër do të mbahet në Tiranë. Këtë lajm e bëri të ditur, nga Anversa e Belgjikës, Imzot Lucjan Avgustini, zëvendës presidenti i Konferëncës Ipeshkvnore së Shqipwrisë.
 
Në fjalën e tij Peshkopi i Sapës, Avgustini theksoi se “Shqipëria është toka e vuajtjeve dhe vdekjeve për shkak të diktaturës komuniste. Të gjitha fetë kanë vuajtur por dhe i kemi rezistuar të keqes me forcën e lutjes”, ka shtuar ai. “Kemi kuptuar se e ardhmja nuk është e mundur pa një mirëkuptim mes feve. Ndaj kemi nevojë për “Shpirtin e Asizit” ka përfunduar ipeshkvi i Sapës. 

Mediat italiane gjithashtu konfirmuan se edicioni i 29-të i takimit të rëndësishëm mes përfaqësuesve të të gjitha feve botërore do të zhvillohet në tokën e “shqiponjave”.

Komuniteti i Shën Egidio është ai që ka trashëguar ndër vite realizimin e këtij takimi që kur u propozua për herë të parë nga Giovanni Paolo II dhe u realizua në 1986 në ditë simbolike të lutjeve për paqen. Ata kanë mbajtur gjallë dhe kanë promovuar “Shpirtin e Asizit” siç është emëruar ky event, duke e zhvilluar takimin në kryeqytetet më të mëdha të Europës.
 
Mediat theksojnë dhe se takimi i rradhës do të jetë në Shqipëri, vendin që do të vizitojë Papa Francesco vetëm pas pak ditësh. Në mbyllje të takimit në Anversa të gjithë pjesmarrësit janë ndarë për t’u lutur secili sipas traditës fetare përkatëse për paqen në botë. Të gjithë njëzëri kanë bërë thirrje që të mos behët luftë në emër të zotit, pasi një “luftë e shenjtë” e tillë nuk egziston.
 
Në shërbesën e mbajtur në katedralen e Shën Mërisë kanë marrë pjesë ortodoksë mitropolitë, pastorë të Kishës protestante, peshkopë dhe kardinalë katolikë, të gjithë sëbashku duke u lutur për popujt e Sudanit Jugor, Izraelit, Palestinës, Gazës, Nigerisë, Ukrainës dhe Koresë.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)