Stabiliteti në rajon dhe forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit kanë qenë në fokus të komunikimit mes Ferit Hoxha dhe homologut të tij nga Bosnjë dhe Hercegovina, Elmedin Konaković.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha bëri të ditur se biseda e parë mes tyre u zhvillua në një frymë miqësore dhe produktive, duke rikonfirmuar angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas tij, të dy palët ndajnë qëndrimin se paqja, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten prioritete kryesore, veçanërisht në një kohë sfidash për rajonin dhe në funksion të perspektivës europiane.
Gjatë komunikimit, Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke dënuar çdo formë të separatizmit apo veprime që cenojnë rendin kushtetues.
Ai nënvizoi gjithashtu se integrimi në Bashkimi Europian mbetet një shtytës kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Në këtë linjë, të dy vendet janë të angazhuara për të avancuar në rrugën europiane përmes reformave, bashkëpunimit më të ngushtë dhe përafrimit me standardet dhe politikat e BE-së.
Komente












