Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë firmosur marrëveshjen e parë të këtij lloji në Ballkanin Perëndimor për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga krimi i organizuar. Marrëveshja nis të zbatohet me një dosje për furnizimin me kanabis të grupeve kriminale në Angli dhe Uells, nga e cila janë rikuperuar në Shqipëri pasuri të paluajtshme me vlerë 54 mijë paund.

Sipas njoftimit të publikuar nga qeveria britanike, pasuritë e rikuperuara nga kjo çështje do të ndahen në mënyrë të barabartë mes dy vendeve, ndërsa marrëveshja i hap rrugë përdorimit të tyre për qëllime me përfitim shoqëror si në Shqipëri, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Çështja penale që çoi në marrëveshjen e parë lidhet me një procedim tashmë të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Autoritetet britanike dhe shqiptare bashkëpunuan për gjurmimin e parave dhe pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal, duke arritur që një pjesë e tyre të identifikohej dhe rikuperohej në Shqipëri.

Në këtë rast bëhet fjalë për 54 mijë paund pasuri të paluajtshme të rikuperuara. Vlera do të ndahet në mënyrë të barabartë mes qeverisë britanike dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Sipas autoriteteve britanike, marrëveshja synon të vendosë edhe një precedent të ri në luftën kundër krimit të organizuar, duke treguar se pasuritë dhe paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal do të ndiqen edhe kur kalojnë kufijtë e një shteti. Rikuperimi i pasurive konsiderohet nga Londra një nga mënyrat për të goditur modelin financiar mbi të cilin funksionojnë grupet e krimit të organizuar.

Marrëveshja u miratua gjatë një ceremonie në Tiranë më 13 korrik, ku morën pjesë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja. Procesi u përfundua me nënshkrimin zyrtar të dokumentit në Mbretërinë e Bashkuar më 6 gusht.

Arritja e marrëveshjes është rezultat i disa muajve bashkëpunim mes autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësore të dy vendeve, me mbështetjen e Home Office, Agjencisë Kombëtare britanike kundër Krimit (NCA), Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS) dhe AAPSK-së.

Bashkëpunimi mes Londrës dhe Tiranës shtrihet edhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe financave të krimit të organizuar. Britania e Madhe ka ofruar programe dhe trajnime për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të kriptomonedhave nga rrjetet kriminale.

Mbretëria e Bashkuar vijon gjithashtu të mbështesë rishikimin e legjislacionit shqiptar kundër pastrimit të parave. Në vitin 2025, Londra drejtoi aktivitetin e Procesit të Berlinit për Financat e Paligjshme, ku një nga çështjet kryesore ishte rikuperimi i pasurive kriminale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit britanik, rrjetet e krimit të organizuar vazhdojnë të shfrytëzojnë dobësitë kufitare dhe të pastrojnë të ardhurat e tyre përmes parave cash, sistemeve informale të transferimit të parave dhe kriptomonedhave. Për këtë arsye, të dyja qeveritë janë angazhuar të intensifikojnë bashkëpunimin për goditjen e financave të këtyre rrjeteve.

Autoritetet britanike evidentojnë edhe rritjen e të ardhurave të siguruara nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në vend kaloi 58 milionë euro.

Mes tyre ishin më shumë se 1 mijë pasuri të paluajtshme të sekuestruara ose konfiskuara, një shifër që, sipas autoriteteve britanike, tregon edhe shkallën në të cilën sektori i pasurive të paluajtshme po përdoret për pastrimin e parave të krimit.