Rekrutimi i ish spiunit Fatmir Sheholli (i kamufluar si analist) nga shërbimi sekret serb për zbatimin e një platforme serioze anti-shqiptare, mund dhe besohet të jetë maja e ajsbergut apo një shenjë e veprimtarisë nëndetëse të qarqeve shtetërore serbe kundër Kosovës. Serbia, si një shtet serioz, ndonëse armiqësor ndaj fqinjëve, parashikon çdo vit një fond të veçantë në buxhet, para të cilat investohen në strategji dhe veprime konkrete kundër njohjes së Kosovës.
Teksa qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës sajojnë turlifarë tenderi dhe shpenzimesh banale, me qëllim për të ushqyer linjat e korrupsionit, Serbia, krahas fondeve të padeklarura për synime armiqësore, shpenzon rreth 100 milionë euro në vit, gjoja për “mbështetjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës”.
Disa raporte sekrete, të deklasifikuara vitet e fundit, të Ministrisë së Jashtme, ish Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme përshkruajnë deri në hollësi veprimtarinë e një rrjeti spiunësh të UDB-së në Shqipëri, kryesisht në Tiranë dhe vijën kufitare me Kosovën.
Ish drejtuesi i lartë në ish Sigurimin e Shtetit, Luan Pobrati, i cili punuar ish-kreu i Shërbimit të Zbulimit Hasan Luçi dhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi kanë folur për ish-bashkëpunëtorët e UDB-në në Shqipëri si për zhdukjen e dosjeve të tyre gjatë qeverisjes së parë të Sali Berishës.
Po ashtu, kohë më parë, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka qenë agjent i UDB. Balla nxori edhe një dokument në gjuhën serbe, me pretendimin se vërtetonte akuzën e tij. Gjithsesi, deri më sot, nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, nuk kanë dalë dokumente në media për këtë çështje.
Janë publikuar dokumente sipas të cilave Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka pranuar se ka marrë një ofertë zyrtare për të qenë agjent i UDB, duke qëndruar në ish- Jugosllavi në vitin 1991, dhe duke siguruar një punë të mirë atje, por ai ka kërkuar të kthehet në Shqipëri.
Sipas deklaratave të tij para organeve zyrtare shqiptare, Flamur Noka thotë se ai i është përgjigjur interesimit të UDB për ngjarjet në Shqipëri, themelimin e Partisë Demokratike, kush janë njerëzit që drejtojnë Partinë Demokratike, kush i ka nxitur ngjarjet e “Shkollës së Bashkuar” dhe rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, si dhe për zhvillimet në fshatin e tij. Ai thotë se është pyetur për zyrtarë që drejtonin sigurimin në fshatin e tij, për PD-në, dhe pas kësaj është deportuar në Shqipëri.
Të gjitha këto janë deklarata të tij zyrtare para organeve të policisë së shtetit shqiptar, pasi ishte arrestuar dhe mbajtur për disa javë në burg nga polica sekrete e ish- Jugosllavisë. Raporti i Nokës me UDB-në mbart dyshime pasi ai ka fshehur në CV-në e tij dhe faktin që di serbisht, pasi në deklaratën para policisë ka thënë se i “kuptoja kur flisnin serbisht, pasi kam bërë shkollën e mesme në Shishtavec, që është një fshat me origjinë gorane, që flasin sllavisht”.
Ndërkaq, në shkurt të vitit 2017, Sali Berisha ka pranuar publikisht se ka thyer embargon e OKB-së, duke furnizuar me naftë makinerinë e luftës të Sllobodan Millosheviçit, i cili masakronte popullsinë civile në Bosnje-Hercegovinë dhe më pas shqiptarët në Kosovë. Furnizimi është bërë gjatë viteve 1993-1996 përmes kompanisë Shqiponja, me administrator Tritan Shehun. Sipas Berishës embargoja e OKB-së kundër regjimit të Millosheviçit rëndonte Kosovën.
Një dokument sekret i administratës amerikane, deklasifikuar së fundmi, flet për një takim mes ish-presidentit amerikan Bill Klinton me ish-presidentin e Shqipërisë Sali Berisha. Ky i fundit i ka kërkuar Bill Klinton autonomi të Kosovës brenda Serbisë, ndërsa të tjerët, përfshi edhe ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, flisnin për pavarësi të Kosovës.
Ndëtkaq, rezistenca e armatosur në Kosovë për të mbrojtur popullsinë civile nga masakrat serbe, nuk konsiderohej një strukturë terroriste vetëm nga Millosheviçi dhe regjimi i tij, por edhe nga Sali Berisha dhe partia e tij në Tiranë. Kush ka harruar sulmet egra të Sali Berishës në Tiranë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj, mjafton të shfletojë gazetën ‘Rilindja Demokratike’, gjatë viteve 1998-1999, gazetë e cila ishte organi zyrtar i PD-së dhe zëri i Berishës.
Madje, pas luftës, në 8 prill 1999, në gazetën RD që kontrollohej nga Sali Berisha, qeveria e formuar nga drejtuesit e UÇK konsiderohej një bandë e sajuar nga njerëzit e Milloshviçit në Tiranë.
Sali Berisha është akuzuar nga figura të luftës së ka përndjekur dhe arrestuar në Tiranë dy protagonistët kryesor të rezistencës, Adem Jasharin dhe Hashim Thaçin, për interesa të Serbisë. Nënkoloneli në rezervë, Sokol Poga, i dekoruar në Kosovë për ndihmën ndaj UÇK, tregon se si Adem Jashari i ka thënë se si shteti shqiptar i ka shitur tek serbët.
Dokumente të periudhës janar-shtator 1999 nxjerrin në pah heshtjen e pashpjegueshme të Sali Berishën për masakrat e Millosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës, rezistencën e UÇK-së dhe më pas ndërhyrjen e NATO-s, duke bombarduar Serbinë. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar 5 rezoluta dhe deklarata duket dënuar dhunën dhe masakrat e Millosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sali Berisha dhe deputetët e tij nuk kanë votuar asnjë prej tyre. Berisha vijonte luftën për pushtet në Tiranë dhe sulmet ndaj UÇK-së.
Biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, u rrëmbye, torturua dhe u zhduk më 21 tetor 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës. Arsyeja? Familjarët e tij kanë deklaruar se Remzi Hoxha u zhduk pasi qenë dëshmitar i një takimi sekret mes Sali Berishës dhe Millosheviçit në Shën Naum. Fakti se Ramzi Hoxha ishte në dijeni të këtij takimi, Sali Berishën e shqetësonte, pasi i zhvishte atij maskën si mbrojtës i çështjes së Kosovës.
Në vitin 2011, Sali Berisha dhe Ilir Meta votuan pro raportit të Dick Marty-t në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që akuzonte UÇK-në për krime lufte dhe transplant të organeve njerëzore në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel. Votimi u konsiderua si reflektim i urrejtjes së pashpjegueshme të Sali Berishës ndaj UÇK-së.
Shërbimi i Sigurimit Shtetëror serb, UDB-ja, reformuar më pas në BIA, lindi nga shërbimi sekret rus, i njohur si UDB-ja dhe më vonë si SDB, i cili vepronte nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.
Një dosje sekrete e e Shërbimit Informativ Shtetëror Shqiptar tregon me detaje si si shërbimi sekret rus që prej vitin 1999 ndërtoi një rrjet agjenturor në Shqipëri, në të cilin janë përshirë, gazetarë, diplomatë të ministrisë së Jashtme shqiptare, një shtetase ruse e martuar me një shqiptar, si dhe tre persona të tjerë të cilët nuk u identifikuan asnjëherë nga shërbimi ynë sekret.
Sipas këtij raporti, një agjent i shërbimit rus kishte arritur të rekrutonte dhe madje i kishte bërë edhe pagesa një gazetari, i cili ishte këshilltar i Lulzim Bashës, asokohe kryetar i PD-së. Ndërkaq, në vitin 2022, Sali Berisha, kërkoi publikisht hetimin e Lulzim Bashës për financimin e dyshuar rus me 500 mijë USD kur drejtonte partinë.
Në 20 nëntor 2025, qeveria serbe regjistroi në Tiranë kompaninë televizive Arena News Channel Two Albania, me nipt M52320021O. Brenda disa muajsh kapitali i kompanisë u rrit nga 5 mijë euro në rreth 320 mijë euro. Kompania 'shqiptare' është në pronësi të kompanisë mëmë Arena News Channel Two DOO Beograd. Kjo e fundit është në pronësi të shoqërisë publike serbe Telekom Serbia.
Në vitin 2018, Telekom Serbia shprehu ambicien për të blerë Telekom Albania, e cila ka në pronësi kompaninë e telekomunikacionit One Albania, por qeveria shqiptare tha se investimi i Serbisë në sektorët strategjikë në Shqipëri nuk është e mirëpritur.
Kompania shretërore serbe që synon hapjen e një televizioni në Tiranë administrohet nga Zoran Glisoviç, ndërsa drejtoresha kryesore e grupit në Beograd rezulton Aleksandra Kërstiç (Kristic), e cila njihet si e besuar e familjes së Sllobodan Millosheviç, i njohur si 'kasapi i Ballkanit'.
Aleksandra Kërstiç ka qenë më herët një drejtuese e televizionit “Happy TV”, një grup mediatik derivat i ish-televizionit “TV Koshava”, që ka qenë në pronësi të Maria Millosheviç, vajza e ish-diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç. Kur në vitin 2023, gazeta amerikane “Nju Jork Tajms” publikoi një investigim që ngrinte dyshime të forta për lidhjet e Vuçiçit me grupe kriminale, televizoni “Happy” në Beograd u përdor gjerësisht për të mbrojtur imazhin e Presidentit serb.
Aleksandra Kërstiç ka pasur pozita të rëndësishme në grupin mediatik “Invej” AD, në pronësi të biznesmenit kontravers serb, Predrag Ranković (Rankoviç) – Peconi, i dyshuar se ka pasur lidhje me grupin famëkeq kriminal, “Klani i Zemunit”.
Themelimi i një televizioni serb në Shqipëri nuk është e ndaluar, por një lëvizje e tillë duhet të shihet me shqetësim dhe si një kambanë alarmi nga institucionet ligjzbatuese shqiptare, sidomos nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Televizioni mund të përdoret si kamuflim për rekrutimin e gazetarëve dhe analistëve në funksion të platformave të Beogradit për të dëmtuar interesat e Shqipërisë dhe Kosovës.








Komente
Komento