Dukesha e Sussex-it është në bisedime për t’iu rikthyer aktrimit me një rol në serialin e Netflix-it, “The Gentlemen.”

Bisedimet janë ende në fazat e para, por ky do të ishte roli i parë i Meghan në aktrim që nga martesa e saj me Princ Harry-n.

Pjesa më e madhe e dy sezoneve të mëparshme të “The Gentlemen”, krijuar nga Guy Ritchie, është xhiruar në Cotswolds, zonë për të cilën është përfolur se Harry dhe Meghan do të vendosen kur të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar këtë muaj.

“The Gentlemen”, ku luan aktori Theo James, është një serial komedi për një dukë që shndërrohet në një baron të trafikut të drogës.

Detajet e bisedimeve dhe roli që mund t’i ofrohet Meghan-it nuk janë bërë ende të ditura.

Në sezonet e mëparshme të serialit kanë luajtur edhe aktorët Hugh Bonneville dhe Vinnie Jones.

Meghan u bë më e njohur si aktore për rolin e saj në dramën ligjore amerikane “Suits”, ku interpretoi avokaten Rachel Zane për shtatë sezone. Episodi i saj i fundit u transmetua në vitin 2018.

Dukesha e la pezull karrierën e saj pas martesës me Princ Harry-n në maj të vitit 2018. Në atë kohë, ajo tha se nuk e shihte largimin nga aktrimi si heqje dorë nga diçka, por si “kapitull të ri.”

Së fundmi, ajo iu rikthye aktrimit për herë të parë pas gati një dekade, me një dalje të shkurtër në komedinë e ardhshme “Close Personal Friends”, ku luajnë Lily Collins dhe Brie Larson.

Një rikthim në aktrim mund të jetë fitimprurës për Meghan-in. Sipas BBC, ajo dëshiron të zgjerojë edhe shtrirjen globale të markës së saj amerikane të stilit të jetesës dhe gatimit, “As Ever”.

Me zhvendosjen në Britani, Princi Harry dhe Meghan do të jetojnë në një rezidencë private, jo-mbretërore, jashtë Londrës.  Fëmijët e çiftit, Princi Archie, shtatë vjeç, dhe Princesha Lilibet, pesë vjeç, janë regjistruar për të nisur një shkollë britanike në shtator.

Aktualisht nuk ka plane që Princi Harry apo Meghan të rikthehen në rolet e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore.

Plani i tyre për t’u zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar vjen pas një vizite në korrik nga Princi Harry, Meghan dhe fëmijët e tyre, të cilët shkuan për të takuar Mbretin Charles III në rezidencën e tij, Highgrove, në Gloucestershire.

Ishte hera e parë që Mbreti i takonte personalisht nipërit dhe mbesën e tij pas më shumë se katër vitesh, si dhe vizita e parë e çiftit së bashku në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2022.

Rikthimi për një periudhë më afatgjatë ka rikthyer pyetjet mbi nivelin e sigurisë së financuar nga shteti që çifti do të ketë në Britani.

Siguria e tyre në Mbretërinë e Bashkuar u ul pasi ata u tërhoqën nga detyrat si anëtarë aktivë të familjes mbretërore në vitin 2020 dhe u zhvendosën në SHBA, ku kanë paguar vetë për mbrojtjen e tyre.

Komiteti Mbretëror dhe Ekzekutiv për VIP-at (Ravec), një organ i pavarur nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme, tani do të duhet të marrë një vendim të ri për sigurinë e tyre, pasi masat e mëparshme bazoheshin në faktin se çifti nuk jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.