Shqipëria dhe Kanadaja, angazhim për të thelluar bashkëpunimin në interes të paqes dhe sigurisë

/ATSH/.- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ndodhet në Kanada në punimet e Samitit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë, Harjit Singh Sajjan.
Të dy homologët diskutuan çështje që lidhen me sfidat aktuale të Sigurisë, zhvillimet në kufijtë e Aleancës, si dhe sfidat që po vijnë nga Lindja e Mesme. Ministri kanadez i Mbrojtjes dhe ministrja Kodheli nënvizuan nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin në interes të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.
Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli falënderoi homologun e saj kanadez për ndihmën e dhënë Shqipërisë vitin e shkuar në transportimin e armatimit për forcat Peshmerga në luftën kundër ISIS në Irak. Gjithashtu, znj. Kodheli ka përshëndetur nismën e Kanadasë për të pranuar dhe sistemuar disa mijëra refugjatë sirianë, që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës. Mes dy bashkëbiseduesve u vlerësua sidomos roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti rajonal.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli ishte pjesë e diskutimit në panelin "Responsibility to welcome: Yours, Mine, Ours". Një nga çështjet më të ndjeshme të momentit që pati interes të madh tek audienca është ajo e refugjatëve. Për disa, refugjatët janë barrë, ndërsa për disa të tjerë përgjegjësi. Ministrja Kodheli, si pjesë e këtij paneli, u shpreh se "Çfarë ndodhi në Paris është serioze dhe duhet të përballemi me këtë fenomen seriozisht, por të mos i ngatërrojmë këto dy çështje: ISIS po vret më shumë myslimanë sesa të krishterë, prandaj fjala kyç është udhëheqja".

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai