Shqipëria dhe Kosova në BE më 2030, mes ëndrrës dhe demagogjisë?!

Shqipëria dhe Kosova në BE më 2030, mes ëndrrës dhe demagogjisë?!

Bashkimi Evropian

Muajt e fundit kanë qenë ‘mbresëlënëse’ për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Pas një maratone të madhe procedurash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut arritën që të hapin negociatat e anëtarësimit; Bosnja pas tollovisë së brendshme dhe ndarjeve të tre etniteteve fitoi statusin e vendit kandidat; Kosova, pasi që arriti fali dhe tokë, fitoi më në fund liberalizimin e vizave; ndërsa lufta për Ukrainën dhe aroma për agresionin ndaj Moldavisë, u dha mundësinë që të fitonin statusin e vendit kandidat në një kohë rekord prej vetëm 15 muajsh. Të mendosh thjesht udhën e vendit tonë atëherë realisht trandesh për rrugëtimin drejt BE-së.

Në Slloveni teza e prezantuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të ishin gati për zgjerimin deri në vitin 2030, i shkundi vendet tona. Ndërkohë ajo që bëri habi ishte se strukturat e BE-së nuk ishte se ishin shumë në sintoni. Dihet se BE-ja me politikat e saj dhe rregullat e shumta i ka dëshpëruar seriozisht ballkanasit. Edhe pse teknikisht besohet dhe deridiku ndihet që procesi i integrimit është shumë më afër, nga mëtimi i Selanikut deri te fjala e Michel kanë kaluar gati dy dekada dhe ndaj ajo që ‘vuajti’ Tirana zyrtare dhe Shkupi i kanë bërë ballkanasit të meditojnë shumë. Në rastin e Kosovës çështja ka qenë edhe më e dhimbshme sepse lufta më e madhe për Prishtinën zyrtare ka qenë për të përballur vonesat në liberalizimin e vizave. Radhët e gjata para ambasadave dhe lëshimet e politikës ndaj çdo gjëje të kërkuar, shtuar me debatet kanë marrë aq energji në Kosovë, saqë pesimizmi, pakënaqësia dhe cinizmi ndaj BE-së duken tashmë fare normalë.

Shqipëria e gëzon statusin e vendit kandidat, qysh prej vitit 2014, por rrugëtimi i saj që prej atij viti u ngadalësua shumë për t’u kapur një cak në javët e fundit, derisa mori jetë në muajt e fundit. Por, duke qenë në një njëjtën vijë procedure me Maqedoninë e Veriut, do duhej që Shkupi të zgjidhte më parë mosmarrëveshjen e gjatë dhe shumë problematike me fqinjin e saj: Bullgarinë. Vetëm kur kjo marrëdhënie mori një drejtim, atëherë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, iu hap drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit që mëtohet të na çojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Po të kthehemi pak pas në strukturën e procesit, do duhet të kujtojmë se gjithnjë para fillimit të procedurave: vendi kandidat dhe Komisioni Evropian vendosin të ashtuquajturën “strategji e para-anëtarësimit”, i cili kërkon që të bëhet hartimi i një strukture negociuese nga të dyja palët. Dhe, nuk mbaron këtu, pasi negociatat janë të parapara që të mos marrin jetë derisa mandati të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të bllokut. Këtu fillon paradoksi, pasi konjukturat mes shteteve, siç po ndodh tashmë në krizën mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe pak më parë Greqisë me Maqedoninë e Veriut dhe kësaj të fundit me Bullgarinë kanë shumë rol. Që do të thotë dhe një pakënaqësi nga një prej shteteve të rezultojë me veto dhe pritje si ai personazhi i Kafkës. Në momentin që arrihet marrëveshja duhet që Komisioni Evropian të aprovojë faktin që çdo vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit. Për nisjen e bisedimeve, vendit kandidat i kërkohet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat, që hanë peshën më të madhe duhet dhe mund të përmbushen gjatë fazës maratonë të negociatave. Hapi i parë, ku ndodhet Shqipëria, përfshin një proces tejet rigoroz ku duhet shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se në çfarë mase përputhet ai me ligjet e BE-së ose me të ashtuquajturën acquis communautaire. Shkurt acquis.

Po me Kosovën? Kur kujton Shqipërinë e llogarit gati hamendësisht rrugën e Kosovës. E nëse viti 2030 është ai moment që duhet tejkaluar, duhet që Shqipëria dhe Kosova që është shumë pas saj në rrugën e integrimit deri në vitin 2029, t’i përmbyllin negociatat e anëtarësimit. Që do të thotë se Kosova, nga ana e saj, duhet të nisë rrugën e integrimit dhe të gjithë procesin deri në vitin 2025. Pra, ndërsa për shkak të mbetjes në dialogun me Serbinë, Kosova ka një masë të tërë masash shtrënguese, që mund t’i kthehen bashkë me Serbinë në sanksione, duhet që me logjikën e integrimit Prishtina të fitojë statusin e vendit kandidat në mënyrë që të jetë në udhën e plotë të integrimit.

Këtu logjika e mbyt optimizmin, pasi që Kosova të fitojë atë që e dëshiron, pra, statusin e vendit kandidat i duhet plotësimi i akordimit të të gjitha vendeve. Ndërkohë që Kosovën janë pesë vende që nuk e njohin dhe jo vetëm kaq, por tashmë kanë kaluar deri në deklarata patetike, se kurrë nuk do e njohin!!! Duket i largët dhe optimizmi i presidentit Rugova dikur, kur shprehej me pozitivitetin e tij gandist se: “Ne kemi shfrytëzuar praninë e UNMIK-ut, si dhe të agjencive të tjera evropiane dhe amerikane për të krijuar një kornizë ligjore në përputhje me Bashkimin Evropian dhe kjo tashmë është një avantazh. Ne kemi parë efektet pozitive të kësaj dhe parlamenti ynë do të vazhdojë të ecë në këtë mënyrë”. Në fakt, pas vdekjes së tij parlamenti kosovar shpesh është kthyer në fushë betejë, kurse politika është kthyer në shumë hapa pas.

Ndërkohë detyrë nuk ka vetëm Ballkani Perëndimor, por i duhet edhe BE-së, që të vetë strukturohet, që do të thotë të krijojë kuadrin për përshtatjen e vendeve të reja anëtare. Pra, rregulloret duhet të përcaktojnë, elementët që kanë peshë politike, të tilla si masa e komisionerëve dhe eurodeputetëve, si edhe strukturimi i votimit brenda Këshillit, ku duhet të shikohet realisht sesi do të jetë buxheti i BE-së.

Po e kuptojnë si duhet burokratët në Tiranë dhe Prishtinë dhe a u intereson politikanëve?! Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e ka lënë shpotitjen e tij të zakonshme për zyrtarët evropianë, qoftë dhe në Bled, e megjithë performancën e tij të çlirët, një gjë në retorikën e tij dukej hapur: zhgënjimi nga pritja dhe rregullat e pafundme. Në rastin e Kosovës, problemi është tejet i koklavitur dhe duket se kryeministri Kurti as nuk shqetësohet për këtë cak, që u përmend nga Michel. I duhet ‘të rregullojë’ atë ngërç që ka krijuar me zyrtarët evropianë sa i përket dialogut, në të cilin serbët kanë kontribuar aspak ndershëm dhe mbi të gjithë të mbajë ëndrrën evropiane, që në rastin e Kosovës është dy herë demagogji. E para nga zyrtarët e BE-së në drejtim të Prishtinës zyrtare dhe e dyta nga qeveritarët e Kosovës me qytetarët e tyre, zakonisht për përfitim elektoral.

Por, larg këtyre, duket se është lufta e Ukrainës dhe nevoja për një bashkësi të vërtetë evropiane që e mban ëndrrën e shqiptarëve me dy shtete disi të gjallë, paçka se më të plotë deri më tani e mban demagogjia (BE+ politikanët vendas), bash ajo për të cilën shqiptarët e këtej dhe andej kufirit janë të mësuar bajagi mirë në dekadat e fundit. (Homo Albanicus)

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mergimtari: 21/09/2023 17:25

    Shqiperia kaloj nen "diktaturen majtiste" rreth 40-vjet.E qe te jete e gateshme per ne BE duhet te vije ne "qender".,per te cilen kerkohen me shume se 40-vjet.Kjo tregon qarte se mund te jemi te gatshem pas 2030-tes.Dashte Zoti te jemi gati se deri atehere edhe numri i "muhamedaneve" do te jete paksuar e nuk do te behet pengese per pranimin tone ne BE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë