-"Shqipëria Dhuron" në Durrës, Veliaj: Kemi dyfishuar fondin për personat me aftësi të kufizuar nga 2.7 mln në 4.5 mln dollarë-
TIRANË, 23 Dhjetor/ATSH/-Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka vizituar sot Qendrën e Zhvillimit në Durrës, ku së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, shpërndau dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara me rastin e festave të fundvitit.
"Krahasuar me një vit më parë, kjo qendër ka ndryshuar si nata me ditën", tha ai, duke shtuar se  qëllimi i reformës së re sociale që po harton MMSR është riaktivizimi fëmijëve në shoqëri. "Për herë të parë nga Fondi i Nxitjes së Punësimit ne punësuam disa dhjetra persona me aftësi të kufizuara. Kjo është arsyeja pse vitin tjetër e kemi dyfishuar fondin, nga 2.7 mln dollarë në 4.5 mln dollarë, që të sigurohemi që më shumë kompani ndihmohen me financa nga shteti për të punësuar fëmijët tanë, ata që dalin nga qendra të tilla, të cilët janë me aftësi ndryshe, të veçanta", u shpreh ministri Veliaj në vijim të turit "Shqipëria Dhuron".
Ministri Veliaj u bëri thirrje sipërmarrësve në Durrës që të hapin dyert e bizneseve të tyre për punësimin e sa më shumë personave me aftësi të veçanta. "Jam shumë krenar që në një vit të vështirë financiar, Shërbimi Social Shtetëror arriti të disiplinonte skemën më të shpartalluar të financave publike në Shqipëri, atë të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar", tha ai. /i.v//a.ke/