Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po neglizhon situatën e zjarreve në vend, ndërsa hodhi dyshime se sipërfaqet e djegura pyjore po përdoren për t’i hapur rrugë ndërtimeve të resorteve turistike në kuadër të “Paketës së Maleve”.
Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se në 24 orët e fundit janë raportuar 33 vatra zjarri dhe kërkoi dëmshpërblim të menjëhershëm për familjet dhe fermerët e dëmtuar, pagesë më të mirë për zjarrfikësit, auditim të fondeve të Mbrojtjes Civile, hetim të rasteve të zjarrvënieve dhe neglizhencës institucionale, si edhe mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Blushi ngriti edhe një sërë pyetjesh për dëmet e shkaktuara nga zjarret, fondet e përdorura dhe funksionalitetin e mjeteve të Emergjencave Civile.
Deklarata e Tedi Blushit
" Ndërsa Shqipëria përvëlohet nga zjarret, Edi Rama prej 48 orësh vazhdon të freskohet në Pogradec, i mbyllur në takime propagandistike me ministrat dhe drejtuesit politikë të tij, sikur vendi të mos jetë në një emergjencë të rëndë kombëtare. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 33 vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë. Mali i Dajtit po shkrumbohet prej ditësh. Vlora është përballur me përhapjen e flakëve nga Pishporo e Triporti drejt Pyllit të Sodës dhe Ujit të Ftohtë, duke rrezikuar zona me hotele, biznese dhe pushues. Në Pukë, Dibër e Mirditë, Fier, Lezhë, Elbasan dhe Korçë vijojnë vatra aktive që po shkatërrojnë masive pyjore dhe pasuri të qytetarëve.
Nga Veriu në Jug, Shqipëria po digjet. Dhe ndërsa qytetarët luftojnë me flakët, zjarrfikësit me paga mizerabël rrezikojnë jetën dhe pasuritë kombëtare bëhen hi, Kryeministri vazhdon retreat-in e tij politik në freskinë e liqenit të Pogradecit. Kjo është jo vetëm një papërgjegjshmëri politike, cinizëm dhe arrogancë ndaj qytetarëve, por edhe braktisje dhe shpërdorim me dashje e detyrës shtetërore në një moment emergjence. Një Kryeministër normal, përballë kësaj situate, do të ishte në terren, do të aktivizonte të gjitha strukturat e shtetit, do të koordinonte emergjencën dhe do t’u jepte përgjigje qytetarëve. Edi Rama ka zgjedhur të bëjë të kundërtën: të freskohet, të propagandojë dhe të sillet sikur Shqipëria që digjet të jetë një problem i dikujt tjetër. Partia e Lirisë e ka paralajmëruar prej ditësh këtë situatë dhe ka kërkuar masa konkrete. Kemi kërkuar dëmshpërblim të menjëhershëm për familjet dhe fermerët e dëmtuar; pagesë dinjitoze për zjarrfikësit dhe strukturat në terren; auditim të plotë të fondeve të Mbrojtjes Civile dhe çdo mjeti të blerë me paratë e shqiptarëve; hetim të çdo rasti zjarrvënieje, por edhe të çdo neglizhence institucionale; si dhe mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për një plan kombëtar serioz kundër zjarreve. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë: Sa hektarë pyje janë djegur? Sa prona janë shkatërruar? Sa familje e fermerë janë dëmtuar? Sa është dëmi ekonomik dhe mjedisor? Ku kanë shkuar fondet e Mbrojtjes Civile? Sa prej mjeteve të deklaruara si të blera janë realisht funksionale? Dhe kush do të mbajë përgjegjësi për dështimet? Shqipëria nuk ka nevojë për mbledhje luksoze në Pogradec, por ka nevojë ulëritëse për shtet. Ka nevojë për zjarrfikës të mirëpaguar, që luftojnë me flakët dhe pajisje e mjetet moderne, dhe jo për heronj të braktisur.
Ka nevojë për Emergjenca Civile me kapacitete reale, jo për foto dhe propagandë të fëlliqur, që fikjen e zjarreve në Ohio të SHBA e shet si operacion për fikjen e zjarreve në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një Kryeministër që kupton se përgjegjësia e tij është të mbrojë pronat, jetën e shëndetin e qytetarëve dhe pasurinë kombëtare, jo të kurojë imazhin e regjimit të tij të kalbur. Piromani i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama, sepse prej 14 vitesh ai ka shndërruar djegien, shkatërrimin urban e mjedisor, betonizimin dhe mashtrimin publik në një sistem qeverisës, ku pasuria kombëtare trajtohet si plaçkë për oligarkët dhe klientët e pushtetit. Me lejen, heshtjen dhe përgjegjësinë politike të Edi Ramës, Shqipëria ka parë shkatërrimin sistematik të pyjeve, kullotave dhe pasurive natyrore, të cilat në vend që të mbroheshin si pasuri të brezave, janë kthyer në territore për interesa kriminale, parcela për kultivimin e kanabisit, zona për projekte klienteliste dhe hapësira për biznese fitimprurëse të lidhura me pushtetin. Sot, ndërsa masive të tëra pyjore po shkrumbohen, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin nëse pas zjarrit fshihet edhe interesi i atyre që presin të përfitojnë nga toka e djegur, nga ndërtimet, resortet turistike dhe projektet e dyshimta të kamufluara pas të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”. Asgjë nuk mund të justifikojë dyshimin se zjarri po përdoret si instrument për grabitjen e pasurisë publike. Pikërisht për këtë, çdo hektar i djegur, çdo vendimmarrje, çdo projekt, çdo leje dhe çdo përfitues duhet të bëhen objekt transparence dhe hetimi të plotë.
Pyjet që digjen sot nuk janë thjesht pemë. Janë pasuri kombëtare, janë ekonomi, turizëm, tokë dhe trashëgimi e shqiptarëve. Nuk janë pronë e Edi Ramës, as e qeverisë së tij dhe aq më pak e oligarkëve të saj.
Partia e Lirisë do të kërkojë transparencë të plotë për çdo fond, çdo tender, çdo kontratë, çdo prokurim, çdo pajisje, çdo fond emergjence dhe çdo vendimmarrje që lidhet me Mbrojtjen Civile, parandalimin e zjarreve dhe menaxhimin e emergjencave. Shqiptarët meritojnë të dinë ku kanë shkuar paratë e tyre dhe pse, pas 14 vitesh pushtet absolut, shteti vazhdon t’i përballojë katastrofat me improvizim, propagandë dhe braktisje. Shqipëria nuk po digjet vetëm nga flakët. Po digjet nga korrupsioni, grabitja, klientelizmi, papërgjegjshmëria dhe një pushtet që është shkëputur plotësisht nga qytetarët. Ndërsa njerëzit luftojnë me flakët për të shpëtuar jetën, shtëpitë dhe pronat e tyre, qeveria përgjigjet me propagandë dhe spektakël, sikur tragjedia kombëtare të ishte thjesht një tjetër problem komunikimi. Në këto kushte, kur shteti i ka braktisur qytetarët dhe zjarrfikësit, thirrja jonë është për solidaritet dhe vetëorganizim qytetar. Banorët e zonave të prekura duhet të qëndrojnë të bashkuar, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të bëjnë gjithçka të mundur për të mbrojtur jetën, familjet, shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Edi Rama mund të përpiqet të fshehë përgjegjësinë pas propagandës, por nuk mund ta fshehë dot hirin që po lenë pas zjarret. Nuk do të mund t’i shpëtojë përgjegjësisë personale për një Shqipëri që, pas 14 vitesh të qeverisjes së tij, po humbet çdo ditë e më shumë pyjet dhe pasuritë më të vyera kombëtare"|








Komente
Komento