Kanë u nënshkrua marrëveshja e parë për bashkëprodhime kinematografike mes Shqipërisë dhe Francës.

E firmosur nga ministri i Kulturës Blendi Gonxhja dhe homologia e tij franceze Catherine Pégard, kjo marrëveshje hap mundësi të reja për kineastët shqiptarë në tregun evropian.

“Na dha mundësinë të kishim një bisedë shumë të mirë dhe të ngrohtë në lidhje me kinematografinë dhe gjithë reformën që po bëjmë në këtë sektor por edhe me kulturën në përgjithësi, shkëmbime, bashkëpunime, ekspozita. Jam i emocionuar vërtetë për këtë ditë dhe e falënderoj nga afër. Marrëveshja që firmosëm sot krijon një bazë të rëndësishme për bashkëprodhimet filmike dhe hap mundësi të reja për kineastët shqiptarë në tregun evropian dhe ndërkombëtar”, tha ministri shqiptar i Kulturës, Blendi Gonxhe.

Ministrja Pegard e sheh këtë marrëveshje si një mundësi për zhvillimin e kinematografisë së të dy vendeve.

“Besoj se kjo marrëveshje do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm jo vetëm të kinematografisë shqiptare, por edhe të asaj franceze sepse ne ndajmë të njëjtën kulturë evropiane dhe të njëjtin vullnet për të mbrojtur e shprehur sovranitetin tonë kulturor. Mendoj se ky do të jetë një element shumë i rëndësishën për vitet që vijnë dhe jam e bindur që një ditë do të rikthehem në Kanë për të parë një film franko-shqiptar. Dhe ky është lajmi më i bukur i ditës së sotme”, tha Catherine Pégard, ministrja e Kulturës në Francë.

Dokumenti i firmosur në Kanë, është vijim i një memorandumi kuadër të nënshkruar mes Qendrës Kombëtare shqiptare të Kinematografisë dhe Qendrës Kombëtare franceze të Kinemasë në vitin 2023 gjatë vizitës së parë në Tiranë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Me firmsojen e tij, filmat e bashkëprodhuar njihen si produksione kombëtare në të dy vendet, duke u dhënë akses në skemat publike të financimit dhe mbështetjes për industrinë audiovizive në Shqipëri dhe Francë.