Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sfidën vendimtare ndaj Polonisë në play-off-in e Botërorit 2026, një ndeshje që mund të shkruajë historinë për kuqezinjtë.
Nga stadiumi “Air Albania”, mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Qazim Laçi dolën para mediave dhe thanë se Shqipëria është gati dhe do të japë maksimumin.

“Jam gati, mezi pres të hyj në fushë sepse kjo pjesa e minutazhit më ka bërë që të më mungojë më shumë kombëtarja. Kur mendoja se do vija këtu të luaja një ndeshje play-off për kombin tim, është krenari e madhe. Një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Kjo është një ndeshje shumë e vështirë, Polonia ka shumë cilësi. Por kemi një mundësi të vetme dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është si një finale, një ndeshje teke, nuk ka kthim pas. Do mundohem të bëj më të mirën time për lojtarët, që t’u shërbejmë lojtarëve tanë përpara. Mungesat vërtetë janë të rënda, sepse siç e dimë të gjithë Manaj dhe Daku janë lojtarët që na duhen në ekip. Kanë treguar që kur janë ata në fushë, kemi një ndihmë më të madhe për mbajtjen e topit, për të sulmuar, për të bërë gol. Por unë jam me idenë që nëse mungojnë ata, do jenë dy të tjerë që ndoshta bëjnë edhe më mirë, për të treguar veten sepse kjo është Kombëtarja ”, u shpreh Hysaj.

Mbrojtësi e cilësoi këtë përballje si një moment historik për ekipin.
“Duam që të ikim në Botëror. Kemi treguar që kërkojmë që ta gjejmë një Botëror edhe për Kombëtaren tonë sepse duhet t’ia falim Shqipërisë një Botëror të bukur. Çunat janë gati të gjithë, jemi të gjithë të motivuar. Do bëjmë maksimumin” tha ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe mesfushori Qazim Laçi, i cili paralajmëroi një ndeshje të fortë dhe të luftuar në çdo detaj.
“Mënyra se si do të futemi në lojë do të tregojë shumë gjëra. Duhet të kemi parasysh që ndeshja mund të shkojë edhe në shtesë. Por ne do të futemi nga minuta e parë për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt. Tifozët tanë janë kudo dhe janë forca jonë më e madhe. Ëndrra e çdo shqiptari është të shohim Shqipërinë tonë në Botëror. Ja ku erdhi momenti, jemi shumë afër. Tani duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. Nuk do të jetë e lehtë, është kundërshtar i fortë. Duhet të bëjmë më të mirën, mos të harrojmë që kemi edhe një ndeshje të dytë. Por fillimisht duhet të përgatisim takimin ndaj Polonisë. Shpresoj dhe duhet të bëjmë më të mirën. Vitet e fundit kemi punuar dhe sakrifikuar shumë. E meritojmë” tha ai.
Shqipëria vjen në këtë përballje me disa mungesa të rëndësishme në sulm, por në kampin kuqezi besojnë se grupi ka atë që duhet për të përballuar sfidën.
Ndeshja me Poloninë do të mbahet me 26 mars. Nga 26 të ftuarit në stërvitje janë 23 lojtarë pasi Myrto Uzuni dhe Nazmi Gripshi ende skane mberritur nga udhetimet e gjata. Në stërvitje ka munguar edhe Ylber Ramadani i cili pasditen e së dielës luajti me Leccen kunder Romës
Komente











