Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, foli në OKB në emër të Ukrainës, Shqipërisë dhe dhjetëra vendeve të tjera duke kërkuar mbrojtjen e civilëve në Ukrainë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Në një deklaratë të mbajtur gjatë punimeve të OKB-së, Kallas shprehu shqetësimin e vendeve pjesëmarrëse për shtimin e sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në të gjithë Ukrainën.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin e sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në të gjithë Ukrainën, që, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kanë shkaktuar një numër rekord viktimash gjatë muajve të fundit. Kërkojmë respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, vënien e përgjegjësve para përgjegjësisë dhe mbrojtjen e civilëve. Rikonfirmojmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe paqes. Jemi solidarë me Ukrainën, e cila vazhdon të përballet me luftën e agresionit të Rusisë. Kujtojmë se Karta e Kombeve të Bashkuara garanton sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve, si edhe të drejtën e tyre të qenësishme për vetëmbrojtje" tha Kallas. 

Kallas e mbajti deklaratën në emër të Ukrainës, Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Andorrës, Australisë, Austrisë, Belgjikës, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kanadasë, Kosta Rikës, Kroacisë, Qipros, Çekisë, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Gjeorgjisë, Gjermanisë, Greqisë, Hondurasit, Hungarisë, Islandës, Irlandës, Izraelit, Italisë, Japonisë, Letonisë, Lihtenshtajnit, Lituanisë, Luksemburgut, Maltës, Monakos, Malit të Zi, Holandës, Zelandës së Re, Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë, Panamasë, Polonisë, Republikës së Koresë, Republikës së Moldavisë, Rumanisë, San Marinos, Sllovakisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.