Ke kohë që mendon dhe kursen për pushimet e verës. Ndoshta janë pushimet më të nevojshme e më të dobishme për ty dhe familjen. Programon me detaje, jo vetëm destinacionin, periudhën, plazhin apo malin, por ekonomikisht tregohesh pakëz nikoqir. Kërkon që pushimeve t’u marrësh më të mirën e mundshme, dhe kohën që do kalosh dëshiron ta sistemosh në memorie me një foto, kujtim të bukur apo t’ua tregosh miqve dhe të afërmve.
 
Ndaj pushimet verore janë periudha që i presin me padurim të gjithë. Kohëzgjatja mund të jetë 2 javë, 10 ditë apo ndoshta vetëm një fundjavë por gjithsecili do të dëshironte që çdo qindarkë e shpenzuar të ishte e përkthyer në shërbimin më të mirë të mundshëm, në atë çka serviret në bare, restorante apo në hotele të ndryshme.
 
E të tregohemi realistë dhe racionalë duke pranuar se në vendin tonë gjatë sezonit turistik veror shërbimet e ofruara pavarësisht përmirësimeve vjetore ende lënë për të dëshiruar. Është abuzuar nga gjendja kaotike dhe pa rregulla që ka udhëhequr këtë lloj mënyre të të bërit turizëm, ku çmimi nuk përcaktohet nga tregu, por nga dëshira e secilit që zotëron këto subjekte e me dritëshkurtësi mendojnë vetëm për përfitimet e momentit.
 
Ankesat, shqetësimet e çdo sezoni veror të pushuesve vendas dhe të huaj dhe synimi që turizmi të kthehet në baza korrekte ku minimalisht çmimet të jenë në raport të drejtë me shërbimet të jenë të afishuara, tërheqja e një kuponi tatimor mos të konsiderohet më diçka e pamundur apo e sikletshme.
 
Sigurisht që të gjitha këto nuk mund të bëhen brenda një kohe të shkurtër, por gjithsesi Agjencia Kombëtare e Turizmit synon që nëpërmjet këtij aksioni të krijojë tek pushuesi bindjen që vetë pushuesi po merr shërbimin për të cilin po paguan në mënyrë jo abuzive, e ndërkohë u jep mundësinë atyre bizneseve që kërkojnë vazhdimin në këtë treg, të promovohen për atë çka ofrojnë brenda kornizës së turizmit të përgjegjshëm.

agjencia e turizmit
Të kërkosh me ngulm të kesh një turizëm të përgjegjshëm, mbetet sfidë institucionale, dhe e nxitur nga kjo moto, Agjencia Kombëtare e Turizmit për të vijuar me një sezon turistik kombëtar veror korrekt dhe aspak abuzues, ka krijuar një Task Forcë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Aksioni i nisur përgjatë bregdetit të Vlorës konsiston me kontrollin e imtësishëm të hoteleve dhe resorteve turistike për të parë nga afër cilësinë e shërbimeve, korrektësinë fiskale, standardet, fushatë ndërgjegjësimi kjo në ndihmë edhe të pushuesve por edhe të bizneseve lokale. Hotelet që ofrojnë dhe performojnë cilësi të lartë shërbimesh, etiketohen si biznese korrekte, duke vendosur në hyrje të tyre certifikatën përkatëse lëshuar nga AKT dhe DPT. Momentalisht po punohet në rrethinat e Himarës për të përfunduar me skajin më jugor të vendit, bregdetin e Sarandës dhe Ksamilit.
 
Qytetarëve të ndryshëm pushues u kërkohet mirëkuptimi dhe për çdo ankesë që mund të ketë lidhur me abuzimet e mundshme që hasen në ofrimin e shërbimit turistik, mund të telefonohet në numrin e gjelbër pa pagesë: 08001414.
 
Për ta bërë më të besueshme dhe më praktike këtë sipërmarrje, po paraqesim listën e hoteleve të inspektuara me standardet bazë, listë e cila do të përditësohet në përfundim të çdo etape kontrolli.
 
Deri tani janë inspektuar 87 subjekte tregtare hotelerie, nga të cilat vetëm 31 plotësojnë standardet bazë.

Kjo është lista e hoteleve në bregdetin e Vlorës dhe Himarës:
 
1. Hotel "Bologna"
2. Hotel "Vlora Internacional"
3. Hotel "Alpin"
4. Hotel "Grabova"
5. Hotel "Ambasador"
6. Hotel "New Jork"
7. Hotel "Nimfa"
8. Hotel "Koral"
9. Hotel "Ramosaco"
10. Hotel "Grand"
11. Hotel "Argoli"
12. Hotel "Pavarsia"
13. Hotel "Partner"
14. Hotel "Monte Carlo"
15. Hotel "Bojko"
16. Hotel "Aliko"
17. Hotel "Paradise"
18. Hotel "Royal"
19. Hotel "Regina"
20. Hotel "Sofo"
21. Hotel "Parku Kombëtar i Llogarasë"
22. Hotel "Splendor"
23. Hotel "Folie Marine"
24. Hotel "Primavera"
25. Hotel "Lungomare"
26. Hotel "Helia"
27. Hotel "Alba Gert"
28. Hotel "Drymades Inn"
29. Hotel "Royal Blue Resort & Spa" 
30. Hotel "Rapo"
31. Hotel "Drymades Ville"