Shqipëria ka qenë prej kohësh një vend pro-izraelit! A do ta ndryshojë këtë lufta e Hamasit?

Shqipëria ka qenë prej kohësh një vend pro-izraelit! A do ta ndryshojë këtë lufta e Hamasit?

Aktivistët pro-palestinezë protestojnë kundër Izraelit në sheshin Skënderbej

Rreth 120 km më në jug, në qytetin port të Vlorës në Adriatik —  vendosur mes kafeneve trendy përgjatë një rruge me kalldrëm ku jetonin dikur hebrenjtë — një muze multimedial i projektuar nga arkitektë me seli në Tel Aviv, do të portretizojë së shpejti pasurinë e historisë hebraike të Shqipërisë, që nga Inkuizicioni spanjoll e deri te Holokausti.

Ndërtimi i një, e jo më i dy muzeumeve të tilla në një vend të varfër ballkanik që është shtëpia e më shumë se një milion muslimanëve, por e vetëm rreth 60 hebrenjve, është një befasi mbresëlënëse. Regjimi stalinist që sundoi Shqipërinë nga viti 1945 deri në vitin 1991 i nxori jashtë ligjit të gjitha fetë në vitin 1967 — përfshirë fenë hebraike — dhe e mallkonte Izraelin si "djallin e vogël" të Shteteve të Bashkuara.

Por Shqipëria njihet edhe si i vetmi vend europian që kishte më shumë banorë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj. Vitet e fundit, zyrtarët kanë kërkuar ta theksojnë këtë fakt historik, për të kultivuar lidhje me Izraelin. Historia e mbrojtjes së hebrenjve i ka rrënjët, sipas tyre, te kultura kombëtare e "besës" — kodi mesjetar i nderit në Shqipëri, i cili kërkonte që njerëzit ta mirëpresnin çdo mysafir, përfshirë edhe të huajt, si të ishin pjestarë të familjes.

"Shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga faqet më të bukura në historinë e shqiptarëve. Të krishterët dhe myslimanët sakrifikuan gjithçka për t'i mbrojtur", tha Elva Margariti, ministre e kulturës e Shqipërisë, kur foli për Muzeun Besa në fillim të këtij viti. "Për shqiptarët kjo është Besa. Është një vlerë që ne do t'ua transmetojmë fëmijëve tanë, duke u treguar atyre këtë histori të jashtëzakonshme."

Ndjenjat e ngrohta të Shqipërisë ndaj Izraelit do të testohen në javët dhe muajt në vazhdim. Ndjenja pro-Izraelit tashmë po bie pas luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, e cila u shkaktua nga inkursioni i përgjakshëm i grupit terrorist në Izraelin jugor më 7 tetor.

Një sondazh online i shqiptarëve, i kryer më 13 tetor nga sondazhisti i shqiptarja.com, Eduard Zaloshnja, tregoi simpati relativisht të fortë për Izraelin në javën e parë të luftës. Nga 2,320 vetë që iu përgjigjën atij që Zaloshnja e pranon se ishte një sondazh "i shpejtë dhe me precizion jo të lartë shkencor", 50% thanë se ishin pro-Izraelit, 36% ishin pro-Palestinës dhe 14% thanë se ishin "të dyzuar".

Kjo rezidencë osmane në lagjen Toptani të Tiranës po shndërrohet në Muzeun e Besës – një faltore e traditës së Shqipërisë për të mirëpritur hebrenjtë dhe të huajt e tjerë. (Larry Luxner)

Megjithatë, mbështetja për Izraelin ka rënë që atëhere, tha Zaloshnja, veçanërisht qysh nga shpërthimi në një spital të qytetit të Gazës, për të cilin Hamasi fajësoi menjëherë Izraelin.

Video dhe prova të tjera kanë çuar në vlerësimin e gjerë se shpërthimi, i cili mund të ketë vrarë qindra, u shkaktua  nga një raketë e dështuar e lëshuar nga grupi terrorist i Xhihadit Islamik.

Më 16 tetor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë një rezolutë që dënonte sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe kërkonte armëpushim të menjëhershëm. Pesë vende, përfshirë Kinën dhe Rusinë, votuan në favor ndërsa katër — Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Japonia — votuan kundër, sepse rezoluta nuk arriti të dënonte në mënyrë specifike Hamasin. Shqipëria, e cila ka aktualisht një votë në Këshillin e Sigurimit, ishte një nga gjashtë vendet që abstenoi.

Dy ditë më vonë, kryeministri shqiptar Edi Rama shkroi në twitter se megjithëse "Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit," nuk ka asnjë justifikim për "të mbyllur sytë" ndaj përgjigjes izraelite.

"Në këtë konflikt, Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike qëndrojnë fuqishëm në anën e Izraelit, barbarisht të shënjestruar nga terroristët e të Hamasit!", shkroi Rama, partia e të cilit shpesh përshkruhet si e qendrës së majtë. "Megjithatë, bota demokratike duhet të jetë gjithashtu garantuese e së vërtetës dhe drejtësisë për qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza."

Të premten, qindra muslimanë shqiptarë u bashkuan në sheshin Skënderbeu, sheshi kryesor i Tiranës, duke bërtitur slogane pro-palestineze dhe duke tundur pankarta "Gaza e Lirë".

"Po lexoj komentet në llogaritë e mediave sociale shqiptare, dhe më duket se islamistët vendas po i bombardojnë ato me teori konspirative," tha Zaloshnja. "Përtej kësaj, ndjenja ime personale është se ka një brez më të vjetër shqiptarësh, që u indoktrinuan me urrejtjen ndaj Izraelit dhe me mbështetjen për kauzën palestineze. Ai brez është ende gjallë."

Një komunitet hebre i shpërndarë

Në vitin 1991, regjimi stalinist i Shqipërisë u rrëzua, në një vit që shënoi fundin e komunizmit në Evropën Lindore. Qeveria e re demokratike vendosi menjëherë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, por u deshën edhe 21 vjet që një ambasadë izraelite të hapej në Tiranë.

Sot, Shqipëria ka tre konsuj nderi në Izrael: një përgjegjës për Tel Avivin, Jerusalemin dhe rajonin qendror; një tjetër në Haifa, që mbulon Izraelin verior; dhe një në Eilat për Izraelin jugor dhe Negevin. Rreth 54 kompani izraelite operojnë aktualisht në Shqipëri, duke përfshirë firmën e ujitjes Netafim. Vendi ballkanik është bërë një destinacion popullor për turistët e Izraelit, me fluturime sezonale që lidhin drejtpërdrejt Tel Avivin me Tiranën.

Princi Leka II është nipi i Mbretit Zog të Shqipërisë, i cili u vlerësua gjerësisht për mikpritjen e hebrenjve që iknin nga persekutimi nazist. (Larry Luxner)

Por Shqipëria ka një anë tjetër, më të komplikuar të historisë së saj me Lindjen e Mesme. Terroristët që i përkisnin Organizatës Çlirimtare të Palestinës stërviteshin në Shqipëri për gjashtë muaj luftë guerile në një bazë ushtarake në Zall-Herr, pak në veri të Tiranës. Kohët e fundit, midis 50 dhe 60 shqiptarë – kryesisht nga fshatra shumë të varfër në juglindje – u rekrutuan për të luftuar për ISIS.

Artikujt e lajmeve shpesh e portretizojnë Shqipërinë si një vend me shumicë myslimane, por realiteti është më i nuancuar. Rreth gjysma e 2.6 milionë banorëve të Shqipërisë nuk identifikohen me asnjë fe, një trashëgimi e ateizmit të imponuar nga Enver Hoxha, i cili sundoi vendin nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Nga ata që e bëjnë këtë, rreth 50% janë bektashi – një urdhër mistik sufi islamik – ndërsa 21% praktikojnë Islamin tradicional dhe 29% e mbetur e konsiderojnë veten ortodoksë të krishterë ose katolikë.

Prania hebreje në Shqipëri ishte gjithmonë e vogël. Para Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte shtëpia e ndoshta 300 hebrenjve romaniotë — një komunitet etnik greqishtfolës. Shumica e tyre jetonin në Vlorë, me një komunitet më të vogël në Tiranë dhe disa familje hebreje qytete të tjera.

Në kulmin e saj, në Shqipëri jetonin ndoshta 3.750 refugjatë hebrenj nga Greqia, Austria, Bullgaria, Italia dhe ish-Jugosllavia. Disa hebrenj luftuan si partizanë kundër nazistëve dhe kujtimet e tyre nderohen në një ekspozitë të veçantë në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë përballë sheshit Skënderbeu.

Pas luftës, popullsia hebreje e Shqipërisë ra shpejt në rreth 300 ndërsa hebrenjtë e huaj u larguan. Në vitin 1991, sapo regjimi komunist u rrëzua, gati i gjithë komuniteti hebre iku në masë në Izrael.

Sot, asnjë hebre nuk ka mbetur në Vlorë — një qytet që kohët e fundit e riemëroi rrugën Foma Byko në Rruga Ebrenjve. Gati të gjithë hebrenjtë që kanë qëndruar në Shqipëri banojnë në Tiranë, tha Amos Dojaka, president i Komunitetit Hebre Shqiptar. Dizajni zyrtar i grupit është një menorah e shkrirë dhe shqiponja dykrenare shqiptare.

"Shqipëria u mbyll për më shumë se 50 vjet, kështu që për këtë arsye askush nuk e dinte historinë" e shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, tha Dojaka, 56 vjeç, një biznesmen tiranas që punon në sektorin e import-eksportit.

"Shpëtimi i hebrenjve ishte me rrezik për ata që e bënë, prandaj është mirë për brezin e ri, dhe gjithashtu për turistët, që ta dinë këtë," tha Dojaka, i cili jetoi për dy vjet në Ashdod, Izrael, gjatë fundit të viteve 1990.

Ai mendon se "shumica e njerëzve këtu" ende mbështesin Izraelin. "Dy vendet tona kanë histori të ngjashme dhe askush këtu nuk e mbështet terrorizmin," tha Dojaka.

Kjo ndërtesë historike në zemër të Vlorës do të strehojë së shpejti Muzeun Hebraik të Shqipërisë. (Larry Luxner)

Princi Leka II – nipi i mbretit Zog, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1925 deri sa pushtuesit fashistë italianë e detyruan atë në mërgim në vitin 1939, për të mos u kthyer më – tha se ishte krenar që gjyshi i tij i lejoi refugjatët hebrenj në vitet 1930, duke siguruar strehë për ta.

"Ai rrezikoi pozitën e tij si mbret, por refuzoi të ishte marionetë," shpjegoi Leka gjatë kafesë në dhomën Mbretëresha Geraldinë të Hotelit Maritime Plaza, e cila mban emrin e gjyshes së tij. "Prandaj iu desh të largohej nga Shqipëria pas pushtimit."

Një tjetër hebre i shquar shqiptar është Geri Kureta, 55 vjeç, pronar i një zinxhiri dyqanesh veshjesh dhe lodrash për fëmijë. Ai ka pesë pika shitjesh në Tiranë, një në Vlorë dhe një në qytetin turistik të Durrësit. Për 16 vjet, Kureta jetoi në Karmiel, në Galilenë e Izraelit, por vendosi të kthehej në Shqipërinë e tij të lindjes në vitin 2007. Babai i tij 82-vjeçar dhe nëna 76-vjeçare janë ende në Karmiel.

«Jam shumë i shqetësuar»,—tha Kureta, i cili flet rrjedhshëm hebraisht. "Të gjithë e dinë se kam familje në Izrael dhe të gjithë më telefonojnë e më pyesin për ta. Njerëzit këtu shohin shumë në TV për Gazën. Nuk mendoj se Izraeli e ka shpjeguar veten shumë mirë. Sigurisht që fajësoj Hamasin, por në fund të fundit, është një luftë. Ndonjëherë nuk kemi zgjidhje tjetër."

Blendi Gonxhe, kreu i zyrës qeveritare që mbikëqyr shërbimet e transportit rrugor të Shqipërisë, i tha Agjencisë Telegrafike Hebraike se Izraeli ishte plotësisht i justifikuar në goditjen ndaj Hamasit, pas masakrës së përgjakshme të tij.

"Gjërat duhet të shihen ashtu siç janë," tha Gonxhe. "Nëse shihni se sa para ka shpenzuar Hamasi për t'u përgatitur për këtë sulm, do të kuptoni pse Gaza është kaq e varfër. Nuk mund të ndërtosh tunele dhe raketahedhës në një lagje të mbushur me njerëz dhe pastaj të ankohesh se kjo lagje bombardohet, ose t'u kërkosh atyre që i ke sulmuar të të furnizojnë me ujë dhe energji elektrike."

Një përrallë e dy muzeve

Kur trupat naziste pushtuan vendin, banorët e Shqipërisë u dhanë strehim hebrenjve vendas si dhe refugjatëve, duke i fshehur në shtëpitë e tyre, duke i veshur me kostum vendas dhe madje duke u dhënë emra myslimanë për të mashtruar gjermanët – në përputhje me traditën e Besës. Për të nderuar këtë traditë, Shqipëria po ndërton Muzeun Besa, i cili do t'u kushtohet historive të qytetarëve shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Memoriali kombëtar i Holokaustit në Shqipëri, i vendosur në një park të Tiranës, ka pllaka përkujtimore në shqip, anglisht dhe hebraisht. (Larry Luxner)

Muzeu, i cili do të vendoset në atë që tani është një shtëpi e rrënuar në Tiranë, u njoftua në mars nga Rama gjatë një vizite në Jerusalem. Por pak detaje janë në dispozicion dhe një roje sigurie në vend refuzoi të linte një gazetar të hynte për të bërë fotografi të sajtit.

"Për 30 vjet, kam ëndërruar për këtë. Nuk e kisha menduar kurrë se ideja ime për një muze hebre do të ndodhte me të vërtetë," tha Anna Kohen, një dentiste njujorkeze në pension dhe autore e autobiografisë "Lulja e Vlorës: Të rritesh hebreje në Shqipërinë komuniste." Tani është 78 vjeç në Florida, por idenë idenë e muzeut e hodhi tek zyrtarët lokalë vite më parë.

Muzeu Hebraik i Shqipërisë prej 21,000 metrash katrorë, që pritet të hapet në vitin 2025, do të ngrihet së shpejti në vendin aktual të Muzeut Etnografik të Vlorës, i cili ndodhet në mes të një sheshi të vogël. Tani për tani, grafitet janë si grila në muret e afërta pranë Sophie Caffé dhe dyqaneve të tjera.

Projekti i Vlorës prej 2.5 milionë dollarësh financohet  nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe po projektohet nga arkitekti izraelit Etan Kimmel, kompania e të cilit në Tel Aviv mundi katër firma evropiane për ofertën fituese.

"Ne kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm se ishte e nevojshme të kishim diçka për t'u kujtuar njerëzve marrëdhëniet afatgjata midis Shqipërisë dhe hebrenjve," tha menaxherja e projektit të AADF, Alketa Kurrizo. "Ky do të jetë një muze hebre i shekullit të 21-të që flet jo vetëm për historinë dhe atë që kemi bërë, por për historinë hebraike të Shqipërisë që shkon prapa në kohën mesjetare. Ky muze është një për të cilin të gjithë ne do të jemi krenarë dhe jemi të sigurt se edhe njerëz nga Izraeli do të vijnë për vizitë."

Pas përfundimit, muzeu do të përbëhet nga një kat nëntokësor dhe katër kate mbi tokë si një shtrirje moderne qelqi në ndërtesën historike ekzistuese. Përveç një zone ekspozite të përhershme, planifikohet të ketë klasa, hapësira zyre, një bibliotekë dhe një auditor.

"Ky do të jetë muzeu ynë i parë jashtë Izraelit," tha Kimmel, projektet e të cilit përfshijnë Memorialin Kombëtar në Malin Herzl, Muzeun e Historisë Natyrore në Tel Aviv dhe Muzeun e Kullës së Davidit të Jerusalemit, si dhe ambasada të shumta izraelite anembanë botës.

Të dy muzeumet e planifikuara po financohen nga taksapaguesit në Shqipëri, e cila pavarësisht një rritje dramatike në turizëm këtë vit, mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës. Princi Leka këmbëngul se është vendimtare për shqiptarët të njohin të kaluarën e tyre, në mënyrë që të parandalojnë mizoritë e ardhshme – veçanërisht në Evropë, ku sulmet e dhunshme kundër hebrenjve dhe sinagogave, si dhe ndaj objekteve të tjera hebraike, po shtohen qysh kur filloi lufta aktuale në Gaza.

"Ne kemi një masë të madhe simpatie për Izraelin sot," tha Pric Leka. "Ajo që ndodhi më 7 tetor nuk ishte një sulm ushtarak, ishte një sulm terrorist. Ushtritë nuk përdhunojnë gratë, nuk abuzojnë me fëmijët. Kushdo që i justifikon këto vepra kriminale është në anën e gabuar të historisë."

M.T/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pjeter: 26/10/2023 14:24

    Nuk mund te perkrahen terrrristet e Hamasit qe theren foshnjat ebreh ne emer te Palestines, pa u dridhur syri!! Kush kerkon te zhduke ebrenjte nga ajo toke, duhet te marri parasysh se nuk mund ti mbijetoje zhdukjes se tyre! Asnje lloj dyshimi per mbeshtetjen e Izraelit kunder terrorristave te Hamasit, Hezbollajve e Hayatollajve iraniane e kunder deshirave lufte nzitese ne ate rajon te Putinit!

    Përgjigju
  • Luani: 26/10/2023 12:48

    Pyetja nuk eshte çfare do beje Shqiperia se vendin tone nuk e pyet kush. Pyetja eshte çfare do beje Izraeli. Do vazhdojne te votojne politikane te ekstremit te djathte si Netaniahu, qe jane kunder zgjidhjes me dy shtete, apo do votojne njerez te mënçur qe do punojne per paqe afatgjate, si i ndjeri Jitzhak Rabin.

    Përgjigju
    • Samaritan: 26/10/2023 14:03

      Pyetja juaj po përgjigjet gjithashtu pse e vranë Rabin? Rabin e pranoi me dhimbje marrëveshjen e Klintonit në Oslo. paguar koston. Arafati si palë tjetër, e pagoi koston. Kjo do të thotë, pa Judenë&Samarinë, dhe të themelohet Tempulli i 3-të (=eliminimi i Palestinës); nuk do të ketë kurrë paqe!

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s