Protestuesit u mblodhën sërish sot në kryeqytet, në ditën e 71 të tubimit që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike aktuale.
Gjithnjë e më të paktë në numër, ata nisën grumbullimin në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Nën thirrjet ‘Shqipëria kërkon revolucion’, ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’ dhe me pankarta, flamuj e simbole kombëtare, ata apeluan për plotësimin e kërkesave të tyre, të lexuara gjatë fjalimeve të mbajtura në protestë.
Një prej protestuesve gjatë fjalës së tij, kërkoi që të ndryshojë ligji për financimin e partive politike, me argumentin se ligji aktual po minon demokracinë.
“Të ndryshohet ligji për financimin e partive dhe organizatave politike. Këto financime që kanë marrë partitë politike, me argumentin për të forcuar demokracinë, në fakt e kanë minuar demokracinë. Një nga organizatat që ka financuar më shumë Ramën, por jo vetëm Ramën, është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, Soros”, tha një prej protestuesve.
Një tjetër protestues ka përmendur në protestë deklaratat e bëra nga Beogradi të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Kievi nuk do të njihte pavarësinë e Kosovës dhe se e shikonte atë si pjesë integrale të Serbisë.
“Dje ka ndodhur diçka shumë interesante. Pas një vizite në Serbi, një aleat të fortë të Rusisë, Zelensky ka deklaruar se nuk e njeh Kosovën e pavarur, por e sheh si pjesë integrale të Serbisë. Ukraina dhe qeveria Zelensky, një qeveri që Rama e ka mbështetur dhe një popull që ne vuajmë me ta sepse po shtypen. Madje ka ndërruar edhe emrin e një rruge për atë. Edi Rama po na tregon dita ditës se është tradhtar”, tha një prej protestuesve.
Ndërkohë aktivisti Arben Koka gjatë fjalës së tij në protestë përshëndeti punën e zjarrfikësve që bënë të mundur shuarjen e flakëve në Krujë.
Kola teksa premtoi se ditët e Qeverisë Rama janë ‘të numëruara’ deri në shtator, u bëri thirrje zjarrfikësve që t’i bashkohen protestuesve në shesh, për dyfishimin e pagave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës. Sipas Kokës, nëse heroi Gjergj Kastriot Skënderbeu do të kishte qenë gjallë, do u kishte prerë kokat të gjithëve atyre që ‘lejuan’ djegien e Krujës.
“Sot kërkojmë nga ju një duartrokitje për zjarrfikësit heronj që kontribuan me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit në malin e Krujës. Po të ishte gjallë Gjergj Kastrioti do iu kishte prerë kokat të gjithëve që lejuan djegien e kryeqytetit historik të shqiptarëve. Krahasoni rrogën e Zegjinesë me një zjarrfikës hero. Sa turp. Ajo që ndodhi mbrëmë në Krujë është një ngjarje e paralajmëruar me kohë. Mungojnë rojtarët e pyjeve që u larguan në 2014. Ftojmë gjithë zjarrfikësit heronj të bashkohen në shesh për dyfishimin e rrogave që e meritojnë, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës. Kjo qeveri e korruptuar i ka ditët e numëruara deri në shtator”, tha aktivisti Arben Kola.
Lajm në përditësim...












Komente
Komento