TIRANË- Në të njëjtën ditë ku ish-krerët e UÇK-së po përballën në gjykatën e Hagës të akuzuar për krime lufte, kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm për mirë për rivendosjen e drejtësisë për luftën e drejtë të shqiptarëve për liri. Shqipëria ka arritur që të mbledhë firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e propozuar në 2011 nga Dick Marty për luftën e UÇK-së, ku siç shkruan kreu i qeverisë, pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore.

Për kryeministrin Edi Rama, rruga për drejtësi për Kosovën dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.

‘I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore. Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.’- shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama në tetor të viti të kaluar mbajti një fjalim në KiE, ku ngriti lart zërin për Kosovën. Ai e quajti ‘fake news’ raportin e Dick Martyt për krimet e pretenduara se janë kryer nga drejtuesit e UCK-së gjatë luftës në Kosovë duke thënë se ky raport ishte një dështim i turpshëm i diplomacisë ndërkombëtare, që duhet zhbërë pa humbur kohë.

Çfarë kërkon Shqipëria?
Në gusht 2022, Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

Çfarë thoshte raporti i Dick Marty?
Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. Sot, bazuar mbi këtë raport, vijojnë betejën në Hagë prej më shumë se 2 vitesh ish-drejtuesi i UÇK, ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.