Kapitulli 20 i negociatave me Bashkimin Evropian, të martën pasdite bëhet i katërti që Shqipëria mbyll që prej nisjes së bisedimeve ne Brukselin. Në Luksemburg duke filluar nga ora 17:30 do të konsiderohen të mbyllura negociatat edhe për Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.
Drita jeshile u dha nga vendet anëtare në COREPER, vetëm pak ditë më parë, ndërsa më herët Tirana zyrtare përfundoi me sukses kapitujt për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Një sukses i tillë i Shqipërisë, por edhe përcaktimi edhe i 3 konferencave të tjerë ndërqeveritare me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, për komisioneren Europiane, Marta Kos dëshmon se për Brukselin zgjerimi po ecën në rrugën e duhur.
“Pas vendimit të djeshëm të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”, tha Kos.
Në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos theksoi se siguria dhe përafrimi strategjik me politikat e BE-së do të jenë kushte thelbësore për anëtarësimin e vendeve kandidate. Sipas saj, Bashkimi Europian nuk mund të pranojë anëtarë të rinj që nuk kontribuojnë në forcimin e sigurisë së përbashkët.
“Ne nuk mund t'ia lejojmë vetes të pranojmë shtete të reja anëtare që nuk do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë sonë. Vetëm ato vende kandidate që janë të përafruara strategjikisht me ne do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, tha Kos.
Sipas axhendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Europian, Konferenca e dhjetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të mbahet nesër në Luksemburg. Mbërritja e delegacioneve është parashikuar në orën 17:30, ndërsa në 17:50 do të realizohet fotografia zyrtare. Në orën 18:00 nis tryeza e diskutimeve, ndërsa konferenca është planifikuar për në orën 18:15, ku Shqipëria pritet të përfaqësohet nga kryeministri Rama i cili do të drejtojë delegacionin shqiptar.
Kapitulli 20, që pritet të mbyllet përkohësisht, përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve, digjitalizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Hapi i radhës pritet më 28 tetor, kur Brukseli do të publikojë udhërrëfyesit e anëtarësimit për Shqipërinë dhe tre vendet e tjera pararojë të procesit.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos ka kritikuar ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke deklaruar se ato bien ndesh me detyrimet që Kosova ka ndaj Bashkimit Europian. Në një deklaratë për mediat, Kos theksoi se respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht themelor në procesin e integrimit europian.
“Çështja e dytë lidhet me shtetin e së drejtës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të fortë për të drejtën ndërkombëtare. Diskutimet lidhur me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) tregojnë edhe një herë se sa thelbësore është të ruajmë respektin për shtetin e së drejtës dhe për vlerat tona, të cilat përbëjnë themelet e gjithçkaje që bëjmë, veçanërisht në procesin e zgjerimit.
E drejta ndërkombëtare është gjithashtu thelbësore për paqen dhe sigurinë. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas asaj që kemi parë pas vdekjes së kriminelit të luftës, kur tendencat nacionaliste kanë filluar të rizgjohen. Ne e kemi parë në të kaluarën se çfarë mund të ndodhë kur këto tendenca mbizotërojnë.
Dua të jem gjithashtu shumë e qartë. Në Kosovë, ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet themelore që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian dhe kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një proces gjyqësor është ende në zhvillim bie ndesh me të gjitha standardet ndërkombëtare të njohura të shtetit të së drejtës”, tha Kos.







Komente
Komento