Më 24 maj të vitit 2012 Thorbion Jagland, në atë kohë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, vizitoi për herë të parë Tiranën me rastin e marrjes nga vendi ynë të presidencës së Këshillit të Evropës.

Në vend, forcat politike ishin përfshirë në debatin për zgjedhjen e presidentit të ri, që do të pasonte Bamir Topin. Gjatë një konference me ministrin e jashtëm të kohës Edmond Haxhinaston, ai u bëri apel palëve për një figurë konsensuale.

Por përtej situatës politike, zyrtarit të lartë të KiE i kishin bërë përshtypje edhe vajzat shqiptare. Nuk hezitoi ta shprehë këtë në një e-mail dërguar Jeffrey Epstein-it më 25 maj të vitit 2012, vetëm një ditë më pas vizitës zyrtare në Tiranë ku kishte takuar dhe kryeministrin e kohës Sali Berisha, në fundin e mandatit të bashkëqeverisjes me Ilir Metën.

“Jeffrey, jo, nuk e kam telefonuar ende. Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme ”, shkruante Jagland gjithashtu ish-kryeministër i Norvegjisë, në një pjesë të e-mailit dërguar Epstein, në të cilin siç ai i kthen përgjigje më pas, kuptohet se duhej që të kishte telefonuar një personazh me emrin “Barbara Daniels”. Nëse nuk e ke telefonuar ende i përgjigjet Epstein, atëherë Bill Richardson, do e marrë. Ky i fundit ishte politikan dhe diplomat amerikan, çka flet edhe një herë për përfshirjen e zyrtarë të lartë në dosjen e bërë publike Epstein.

Foto: Emaili që Thorbjørn Jagland i ka dërguar Jeffrey Epstein

Në 3 milionë faqet e reja e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për dosjen e Jeffrey Epstein shfaqet edhe emri i një vajze shqiptare. Bëhet fjalë për një e-mail që ajo ka dërguar në mars të vitit 2017, në atë kohë 22-vjeçare, tek një person, emri i të cilit është fshirë në dosje. E reja interesohet për punë si asistente personale dhe fillimisht dërgon një CV. 

“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jetoj në SHBA. A përbën kjo një problem?”, shkruhet në e-mailin që ka dërguar e reja. Evan Luthra që ajo përmend, është një investitor indian në fushën teknologjisë dhe kriptovalutave.

Personi të cilin ajo kontaktoi për aplikimin, nuk nguron t’i kërkojë foto, dhe menjëherë komunikon me Epstein përmes e-mailit. I dërgon edhe fotot e saj dhe e pyet nëse duhet ta intervistojë vajzën për të cilën thotë se jetonte në Paris. Komunikimi ka vijuar edhe 4 ditë më pas, ku Epsteinit i përcillet edhe një video e vajzës.

Emailiet që 'ndërmjetësi' i ka dërguar Epstein për vajzën shqiptare