Transformimi i qyteteve, kriza e strehimit dhe sfidat e ndryshimeve klimatike janë në qendër të Forumit Botëror Urban 2026 që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit, ku zëvendëskryeministrja Albana Koçiu përfaqëson Shqipërinë. Ky Forum është një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar zhvillimit urban, strehimit dhe qëndrueshmërisë së qyteteve.
Forumi, i organizuar nën kujdesin e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, bën së bashku liderë botërorë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë dhe politikëbërës për të diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet që lidhen me urbanizimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen e qyteteve.
Zëvendëskryeministrja Koçiu në këtë forum do të theksojë rëndësinë e ndërtimit të qyteteve të sigurta, rezistente dhe gjithëpërfshirëse përballë sfidave globale të strehimit, urbanizimit dhe ndryshimeve klimatike.
Koçiu do të prezantojë në forum transformimin urban të Tiranës dhe zbatimin e programit “Rilindja Urbane”. Po ashtu, ajo do të ndalet te prioritetet e Shqipërisë për qytetet e së ardhmes, me fokus te përballimi i ndryshimeve klimatike, investimet në cilësinë urbane dhe zhvillimi i iniciativës “Smart City” përmes teknologjisë inteligjente.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, merr pjesë në Forumin Botëror Urban 2026, (World Urban Forum 2026), në Baku, Azerbajxhan, ku mesazhi kryesor që ndau ishte vizioni dhe përvoja e Shqipërisë mbi ndërtimin e qyteteve më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta, si përgjigje ndaj sfidave globale në rritje të urbanizimit dhe ndryshimeve klimatike.
Sipas Koçiut “Zhvillimi urban nuk është vetëm çështje infrastrukturore, por një investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.”
“Shqipëria është sot një shembull konkret se si vizioni politik dhe investimet strategjike transformojnë qytetet dhe modelin ekonomik të vendit. Përmes investimeve strategjike, inovacionit, politikave të gjelbra dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, vijojmë angazhimin për të projektuar qytetet e së ardhmes, me bindjen se zhvillimi ka vlerë vetëm kur përkthehet në më shumë mundësi dhe mirëqenie për qytetarët”, është shprehur Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
Komente








