Shqipëria po prezanton ofertën e saj turistike në Berlin, në një nga panairet më të mëdha të turizmit në botë, ITB Berlin 2026. Për tre ditë, nga 3 deri më 5 mars, vendi synon të tërheqë vëmendjen e tregut ndërkombëtar me një profil të qartë: destinacion mesdhetar, por jo turizëm masiv.

Në stendën shqiptare janë bashkuar disa bashki, rreth 30 tur-operatorë dhe biznese të sektorit, që po prezantojnë paketa të larmishme për turizëm malor, bregdetar, kulturor dhe rural. Ideja është e thjeshtë: të prezantohet Shqipëria jo thjesht si një vend i vogël në hartë, por me shumëllojshmëri eksperiencash.

Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, tha për mediat se fokusi është te turizmi i qëndrueshëm dhe ofertat ndryshe. Sipas tij, kombinimi i Alpeve, rivierës, qyteteve historike dhe fshatrave krijon një paketë që i përshtatet më së miri kërkesës së re të tregut europian.

“Në panair do të sillet një eksperiencë që ndërthur inovacionin, kulturën, bukuritë natyrore dhe përvojat lokale, së bashku me disa bashki, 30 turoperatorë dhe biznese shqiptare”, tha Gonxhja.

Edhe kryeministri Edi Rama e cilësoi pjesëmarrjen në Berlin si një moment të rëndësishëm për ta pozicionuar Shqipërinë si destinacion autentik, duke theksuar se prezantimi përfshin natyrën, kulturën dhe përvojat lokale.

“Nga data 3 deri më 5 mars, Shqipëria prezantohet si destinacion autentik mesdhetar në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, që këtë vit shënon 60-vjetorin, me një axhendë të pasur dhe një stendë të ideuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, për të sjellë një eksperiencë që ndërthur inovacionin, kulturën, bukuritë natyrore dhe përvojat lokale, së bashku me disa bashki, 30 turoperatorë dhe biznese shqiptare” shkroi ai në Facebook. 

Panairi në Berlin këtë vit shënon 60-vjetorin dhe shihet si një test i fortë për mënyrën se si vendet po e ridizenjojnë ofertën e tyre turistike për vitet në vijim.

 

U.D/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Shkurt, 17:02

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit?