“Shqipëria në Periudhën Bizantine”, një ngjarje akademike e përmasave të veçanta mblodhi në Tiranë mbi 40 studiues vendas e të huaj, me synimin për të hedhur dritë mbi një ndër periudhat më të rëndësishme, por më pak të studiuara të historisë shqiptare. Kreu i kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi nënvizoi rolin e trojeve shqiptare si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Trashëgimia bizantine në Shqipëri nga monumentet, ikonat, kodikët, deri te tradita muzikore dëshmon një vazhdimësi të fortë qytetërimi. Kjo konferencë për nga natyra është një qasje shumëdimensionale shkencore ku ndërthuren disiplina të ndryshme si: historia, arkeologjia, arti, arkitektura, paleografia dhe epigrafia, kultura shpirtërore dhe jurisprudenca bizantine. Në këtë mjedis shkencor multidisiplinar studiues nga më të mirët, vendës dhe të huaj, do të bëjnë përpjekje që të rindërtojnë tablonë e përgjithshme të botës shqiptare në universin bizantin përmes analizave, prurjeve e përfundimeve origjinale dhe qasjeve të reja metodologjike.”, tha Gjinushi.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, foli për rolin e kishës ortodokse në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore ndër shekuj.
“Kisha në hapësirën shqiptare ka qenë historikisht një urë ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërmjet së kaluarës dhe të tashmes, e ndërmjet besimit dhe kulturës. Kodikët tanë të lashtë, afreskët tona bizantine, manastiret tona mijëvjeçare. Të gjitha këto dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë shpirtërore që i kapërcen ndryshimet politike.”, tha imzot Joani.
Punimet shkencore trajtuan tema që nga roli strategjik i Durrësit, përhapja e hershme e krishtërimit, zhvillimi i peshkopatave, deri te tradita e pasur e shkrimit të kodikëve në Berat, Vlorë e qendra të tjera. Të pranishmit theksuan kontributin e familjeve fisnike shqiptare, si Muzakajt, Topiajt dhe Arianitët, në ruajtjen e trashëgimisë bizantine, si dhe vazhdimësinë e kulturës kishtare edhe gjatë periudhave të vështira historike. Konferenca pritet të pasurojë studimet shqiptare për periudhën bizantine dhe të forcojë rolin e Shqipërisë në hartën ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
Historiani Pëllumb Xhufi foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë bizantine në shekujt VI-XI. Ai hodhi dritë mbi vijimësinë etnike dhe kulturore të shqiptarëve atyre shekujve, një periudhë që shpesh, sipas tij, është interpretuar gabimisht si “epokë e errët”. Ai theksoi se burimet antike dhe bizantine e përmendin vazhdimisht popullsinë e Arbërit, ndërsa solli në vëmendje një burim edhe më të hershëm, nga autori romak Kolumela në shekullin e parë, ku Arbërit përmenden mes popujve të lashtë të Mesdheut, çka sipas tij dëshmon rolin e tyre të hershëm dhe të qëndrueshëm në rajon.
Sipas tij, vetë autorët bizantinë shpesh i përdorin termat “Ilirë” dhe “Arbër” si sinonime.
“Të gjithë e njohin ekzistencën e Arbërve dhe shpesh i barazojnë me Ilirët. Kjo tregon qartë se nuk ka shkëputje historike. Ilirët e burimeve të vonshme janë arbërorët e mesjetës.”
Xhufi shtoi se kërkimet e ardhshme do të sjellin të dhëna të reja që do ta bëjnë edhe më të dukshme vijimësinë iliro–arbërore. Konferenca ndërkombëtare, e para e këtij lloji në Shqipëri, do të shoqërohet edhe me çeljen e ekspozitës së kodikëve bizantinë dhe pasbizantinë mbrëmjen e sotme, një koncert të muzikës bizantine dhe prezantime të monumenteve në formë posterash shkencorë, duke u shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kombëtare që promovon trashëgiminë historike të shqiptarëve.
Komente










Shume interesante dhe super e vlefshme per kombin tone.
Përgjigju