Shqipëria nis aventurën në Euro
2016, sot përballja me Zvicrën

Shqipëria nis aventurën në Euro<br />2016, sot përballja me Zvicrën
Dita e shumëpritur nga gjithë shqiptarët erdhi. Për herë të parë në historinë e saj Kombëtarja e Shqipërisë luan në një Kampionat Europian. Përfaqësuesja jonë luan sot në orën 15:00, në “Stade Ballaert-Delelis” në Lens të Francës, kundër Zvicrës.

Në këtë ndeshje debutuese për kombëtaren tonë, trajneri Gianni De Biasi, duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutave të fundit, gjithmonë të pranishme në të tilla evente, pritet ta rreshtojë skuadrën me modulin 4-5-1. Pra skemë me një mesfushë solide dhe fleksibël për të ndryshuar në fazat e lojës.

Në portë i padiskutueshëm Etrit Berisha me Mavrajn e Canën para tij në qendër të mbrojtjes, Elseid Hysaj në të djathtë dhe Agolli në të majtë, në mesfushë para mbrojtjes Burim Kukeli, i cili ka edhe rolin e organizatorit të lojës sonë, me Abrashin e Xhakën pak më para gati për të shkatërruar e ndërtuar.

Në krahët e mesfushës janë Roshi dhe Lenjani, të cilët kur skuadra sulmon kanë detyrë avancimin e thellë, ndërsa në majën e sulmit do jetë Armando Sadiku. Është kjo Shqipëria që pritet të zbresë në fushë, skuadra që presin miliona shqiptarë që t’i lumturojë.

Stërvitja, jep udhëzimet e fundit para Zvicrës
Kombëtarja shqiptare ka lënë dje vendgrumbullimin e saj në Perros Guirrec për t’ju drejtuar Lens, të shoqëruar me masa të forta sigurie teksa ju është dashur të jepnin edhe emrat ndërsa ngjiteshin në autobuz.

Më pas udhëtimi me avion, 487.3 kilometra në vijë ajrore nga shiu i brigjeve të Francës Perëndimore te një mot më i pranueshëm në Lens, gjithmonë të shoqëruar me masa ekstra sigurie, për t’u prezantuar në stadiumin Bollaert- Delelis për t’u ambientuar me terrenin ku do të luajnë ndeshjen e parë të Shqipërisë në një Europian, përballjen me Zvicrën.

Pas një mbledhje të shkurtër disa minutëshe me De Biasin në qendër të fushës ka nisur dhe seanca e fundit stërvitore para eurodebutimit. Një seancë e lehtë taktikisht, me vrapime e ushtrime shkrythëse.

Vetëm 15 minuta prezencë për kamerat, rregullat e UEFA-s janë strikte, por gjithsesi nuk është e nevojshme të shohësh taktikën për të zbuluar formacionin që do të zbresë në fushë, pasi De Biasi e ka ndarë tanimë mendjen.

kombetarja
Kombëtarja shqiptare
(Kombëtarja shqiptare gjatë stërvitjes në Francë)

Statistikat në favor të helvetëve
Përballë Zvicrës kuqezinjtë do të kenë një mision të vështirë. Helvetët gjithmonë kanë ditur të marrin maksimumin në sfidat që kanë zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe statistikat flasin tërësisht në favor të tyre. 6 herë janë përballuar mes tyre në të kaluarën kombëtarja kuqezi dhe Zvicra, teksa 5 sfida janë fituar nga helvetët dhe vetëm 1 ka përfunduar në barazim. Në 12 Tetor të 2002-shit, kombëtarja kuqezi ka regjistruar të vetmin rezultat pozitiv ku barazoi 1-1 në Qemal Stafa. Golit të Murat Yakin iu përgjigj Edvin Murati.

Me Gianni De Biasin në stol, Shqipëria pësoi një tjetër humbje nga Zvicra në 11 Shtator të vitit 2012-të. Goli i Shaqirit dhe finalizimi i Gokhan Inler nga pika e bardhë e penalltisë, i dhanë fitoren Zvicrës.

13 muaj më pas në Qemal Stafa ishin sërish helvetët ata që festuan me gola të Shaqirit e Lang, Goli i Salihit nga penalltia i vlejti thjeshtë për statistikë. Por futbolli ndaj është i bukur se nuk respekton statistikat. Kështu që kombëtarja kuqezi do kërkojë të arrijë fitoren e parë ndaj Zvicrës, në ndeshjen më të rëndësishme deri tani mes tyre.


  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim

Hodhën molotovë e shkatërruan në protesta e 7 tetorit, arrestohen edhe 2 protestues! 5 nën hetim