TIRANË- Pas protestës në Vlorë, qytetarët u mbledhën sërish para Kryeministrisë për të protestuar kundër resortit në Zvërnec. Me flamujt shqiptarë dhe me pankarta në duar, 'Revolucion', ‘Shqipëria nuk është e tradhtarëve’, qytetarët marshuan nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, nga ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit. 

Projekti i Zvërnecit duket se ka qenë vetëm shkëndija që ka ndezur protestat që po zhvillohen prej një jave në Tiranë, poshtë zyrës së kryeministrisë.

"Dorëheqje dorëheqje, Rama në Burg Berisha në burg", thirrnin protestuesit. 

Ato kanë marrë një karakter të qartë kundër të gjithë klasës politike, duke ngritur shqetësim dhe pakënaqësi të thella për mënyrën se si po drejtohet vendi aktualisht, por dhe se si ai është udhëhequr në gjithë këto vite demokraci. Protestuesit shprehen se kauza e tyre nuk janë vetëm flamingot, por të çlirojnë Shqipërinë nga korrupsioni. 

"Ky vend as nuk ka shkollë, as zhvillim, ka vetëm hajdutëri, vetëm poshtërsi fajtor për të gjitha këto është kjo godinë e ndryrë. Duhet shembur kjo godinë, kjo është e keqa e këtij populli”, tha ndër të tjera një protestues.

"Studentët janë shtresa më e lënë pas dore nga kjo qeveri. Bursat prej vetëm 10 mijë lekësh nuk janë ndihmë, por një tallje për studentët që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Kostot e jetesës janë të papërballueshme, ndërsa tarifat universitare rëndojnë mbi familjet që sakrifikojnë gjithçka që fëmijët e tyre të marrin një diplomë", tha një tjetër protestues. 

Protestës iu bashkuan edhe të rinj nga Kosova, të cilët udhëtuan drejt Tiranës për të mbështetur kauzën e kundërshtimit të resortit në Zvërnec dhe për të inkurajuar protestuesit të vijojnë rezistencën.

“Ne nuk jemi asnjëherë kundër investimeve serioze, të huaja apo të brendshme, për të rritur përditë Shqipërinë. Asnjëri nuk është kundër rritjes dhe mirëqenies së Shqipërisë, asnjëri nga 50 mijë veta apo më shumë që janë këtu. Por çdo gjë të jetë e ndershme dhe për shqiptarët. Tani kryeministrit të pakicës i ka ngelur vetëm një gjë, siç e thonë edhe tifozët kuq e zi: “të japë dorëheqjen”, tha protestuesi i ardhur nga Kosova.

“Veç një lutje kam për ju: mos u dorëzoni. Rezistoni, ju do të fitoni. Kosova është me ju, Kosova është me Nënën Shqipëri”, tha një tjetër.

Mes protestuesve ishte edhe një grup të rinjsh që kishin mbërritur nga Zvërneci, ku paradite u zhvillua një tjetër protestë kundër resortit që pritet të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës.

“Sapo erdhëm nga Zvërneci, ku u zhvillua një protestë shumë e mirë. Kryeministri na quan grekë, turq, ndërsa tani thotë se ne jemi ata që nuk duam investime për Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por nuk duam që Shqipëria të shitet. Duam transparencë. Në Zvërnec nuk ka mbetur më asnjë fije teli dhe atë gardh e kemi hequr me këtë protestë. Narta është e jona!”, tha protestuesja.

Një moment emocionues bëri bashkë të gjithë protestuesit. Një soprano interpretoi nga podiumi këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, ndërsa qytetarët iu bashkuan në kor.

Ndërsa vijonin fjalimet, në një kënd të protestës mbi një shirit të gjatë letre, ai që u quajt Çarçafi i Padrejtësive u mbush me mbishkrimet e qytetarëve për vjedhjet e korrupsionin qeveritar, për mungesën e perspektivës për të rinjtë e fëmijët, për pensionet e ulëta apo ilaçet e ushqimet e shtrenjta në vend.

 Ndonëse janë të rinjtë ata që dominojnë, në protesta dallohen pjesëmarrës të të gjitha moshave, profesionistë të fushave të ndryshme, familjarë të shoqëruar me fëmijët e tyre. Për këta të fundit ishte krijuar dhe një kënd ku ftoheshin të vizatonin, kryesisht flamengot, të kthyer në simbolin e protestës.

Ndonëse ende nuk ka të shpallur një grup organizator, ditën e sotme pati një kujdes për të respektuar rregullin e folësve.

Këtë të shtunë protestat u shtrinë edhe në qytetet të tjera të vendit, Shkodër, Korçë, Fier dhe Elbasan.

KËRKESAT E PROTESTUESVE
1-  Dorëheqjen e qeverisë
2- Shfuqizimin e statusit dhe te kuadrit ligjor për statusin strategjik
3- shfuqizimin e paketës se maleve
4- anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
5- anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgimin kulturore shqiptare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
Përfundon protesta te kryeministria, qytetarët marshojnë nëpër Tiranë! Bllokohet aksi te Zogu i Zi (VIDEO)

Pasi qytetarët u larguan nga kryeministria pas 4 orësh protestë, ata kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit duke bllokuar disa prej akseve kryesore. Një prej zonave aktualisht të bllokuara, është dhe ajo e Zogut të Zi.

Ora 22:52
‘Zvërneci’, 4 orë para Kryeministrisë, qytetarët vazhdojnë marshimin nëpër rrugë (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur të marshojnë në rrugët e Tiranës. Ata qëndruan për 4 orë në shesh, duke mbajtur fjalime kundër resortit në Zvërnec ndërsa i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama që të dorëhiqet.

Ora 22:24
‘Çohuni nga kafja’, qytetarët në Elbasan sërish në protestë për Zvërnecin (VIDEO)

Ka vijuar në ditën e dytë protesta në qytetin e Elbasanit kundër resortit në Zvërnec. Fillimisht qytetarët u mblodhën në qendër të qytetit në sheshin “Gensher “ ku dhe përcollën mesazhet e tyre. Protesta  në Elbasan u  shoqërua me pankarta dhe thirrje kundër asaj që protestuesit e cilësojnë si keqqeverisje.

Më pas protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Aqif Pasha” deri pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Ata ftuan të tjerët nëpër kafene tu bashkohen dhe të mos përçahen nga politika.

Ndërsa u shprehën të bindur se vetëm të bashkuar kauza e tyre do të fitoj paralajmëruan se e nesërmja do të sjell më shumë qytetar në sheshe e rrugë.

Ora 22:03
‘Çarçafi i padrejtësive’, ‘dhurata’ që protestuesit i lanë në shesh kryeministrit Edi Rama

Një fletë e madhe e gjatë është vendosur në mes të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ ku protestuesit kanë shkruar të gjitha padrejtësisë që ata mendojnë se u kanë ardhur nga keqqeverisja. Ndër të shkruarat në atë ‘çarçaf’ është ikja e të afërme në emigrim, pagat e ulëta, korrupsioni, trashëgimia kulturore, shkollimi e të tjera. Protestuesit u larguan nga bulevardi në mbyllje të protestës, por fleta e madhe e bardhë me titullin ‘Çarçafi i padrejtësive’ është lënë në shesh.

Ora 21:32
E reja nga podiumi: Rama, po të vijnë studentët nga diaspora, jemi shtresa më e lënë pas dore nga qeveria

Një studente u ngjit në podium teksa iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke përmendur kushtet e këqija që studentët po përballen. Ndër të tjera ajo tha se në ditët në vijim, protestës do t’i bashkohen dhe studentët nga diaspora.

“Studentët janë shtresa më e lënë pas dore nga kjo qeveri. Bursat prej vetëm 10 mijë lekësh nuk janë ndihmë, por një tallje për studentët që luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Kostot e jetesës janë të papërballueshme, ndërsa tarifat universitare rëndojnë mbi familjet që sakrifikojnë gjithçka që fëmijët e tyre të marrin një diplomë.

Këshillat studentorë janë kthyer në vegla që u shërbejnë partive, dekanëve dhe pedagogëve. Ka mungesë laboratorësh, mungesë investimesh, ndërkohë që na kërkohet të konkurrojmë me botën, por na lënë pa mjetet bazë. Kam një mesazh për Edi Ramën: po të vijnë studentët e diasporës. Të dielën dhe të hënën i ke këtu. Free Albania”, tha e reja nga podiumi.

Ora 21:23
Ndizen flakadanë në protestën kundër Zvërnecin, qytetarët thirrje: Fikni, mos bëni provokime! Ka fëmijë në turmë (VIDEO)

Disa qytetarë në protestë, kanë ndezur flakadanë në mes të turmës duke valëvitur dhe flamurin kuq e zi të Shqipërisë. Ndërkohë thirrjet nga podiumi janë që flakadanët të fiken pasi në turmë ka fëmijë e gra shtatzëna dhe askush nuk duhet të ndihet i shqetësuar.

“Çuna nuk jemi në stadium, jemi për një qëllim të madh, mos bëni provokime. Jemi ne gra, fëmijë e të moshuar”, ishte një prej thirrjeve që u bë me mikrofon.

Ndërkohë dhe një fëmijë i vogël tha të hiqej flakadani pasi nuk merrte dot frymë.

Ora 21:16
Protesta ndryshe në shesh, qytetarët ia marrin valles me këngë patriotike (VIDEO)

Mes pankartave dhe thirrjeve kundër projektit në Zvërnec, protesta mori për pak çaste një tjetër atmosferë. Qytetarët ia morën valles me këngë patriotike, ndërsa në mes të tyre valëvitej flamuri kuqezi me mesazhin ‘Çamëria është gjallë’.

Ora 21:14
‘Çamëria është gjallë’, flamuri kuqezi valëvitet mbi turmën e protestuesve (PAMJE ME DRON)

Një flamur i madh kuqezi me mbishkrimin “Çamëria është gjallë” është valëvitur mbi turmën e protestuesve, duke kaluar nga njëra anë në tjetrën mbi duart e tyre.

Flamuri u mbajt lart dhe u përcoll nga pjesëmarrësit mes brohoritjeve, duke tërhequr vëmendjen gjatë protestës dhe duke u shndërruar në një nga simbolet më të dukshme të tubimit.

Ora 20:21
Protestuesja me lot në sy: Sot jam këtu për çdo fëmijë të pambrojtur nga shteti, duam drejtësi

Një protestuese me lot në sy, tha nga podiumi se sot proteston për çdo fëmijë të pambrojtur nga shteti ndërsa kërkon drejtësi për vëllain e saj të vogël që i ndërroi jetë në vitin 2011 pasi e zuri korrenti.

“Vëllai im që e zuri korrenti në 2011 doli për të luajtur me shokët e tij dhe nuk u kthye më. 15 vite mungesë, pritje. Por këtu jam edhe për Bleona Matën, jam për çdo fëmijë të humbur.

Sot jam këtu për çdo nënë që fle dhe zgjohet me një pyetje: ku është fëmija im? 15 vite pa përgjigje dhe sot jam njësoj si dita e parë. Nga zyra në zyrë e asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare.

Fuqia e shtetit është si i trajton ata të pambrojturit, por a ka më të pambrojtur se një fëmijë? Fëmija nuk është një statistikë, është një jetë, një familje që shkatërrohet. Kërkojmë drejtësi, duam të vërtetën” tha protestuesja.

Ora 20:06
Protestuesja thirrje intelektualëve: Mos i lini vetëm të rinjtë si në 2018-ën, i kemi quajtur brezi i TikTok, por i dhanë shpresë Shqipërisë

Një protestuese u bëri thirrje intelektualëve që t’i bashkohet protestës së të rinjve dhe të mos i lënë vetëm si në vitin 2018. Ajo tha se ndonëse të rinjtë i kanë quajtur brezi i TikTok, sot i kanë dhënë shpresë Shqipërisë.

“I ftoj intelektualët ti bashkohen kësaj proteste. Të mos i lënë vetëm të rinjtë si në 2018. Kemi thënë që jeni brezi i TikTok, por nuk është ashtu, ju i dhatë shpresë Shqipërisë që kjo rini që ka mbetur të mos largohet”, tha ajo.

Ora 20:04
‘Çohuni nga kafja’ dhe në Fier, qytetarët në protestë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec (VIDEO)

Me thirrjen “ Çohun nga kafja”, ka nisur protesta e radhës kundër ndërtimit të resortit të Zvërnecit, në sheshin qendror të Fierit. Në fjalën e tyre protestuesit kanë kundërshtuar jo vetëm politikat e qeverisë për shitjen e pronave publike, por edhe politikat që kanë varfëruar popullin. Ata janë ndalur edhe te bregdeti i Qarkut Fier, i cili sipas tyre është i gjithi i shitur.

Protestuesit i kanë bërë thirrje njëherazi kryeministrit Rama të ballafaqohet me qytetarët e revoltuar pasi nuk mund të vazhdojë ta mbajë vendin peng.

Njëherazi protestuesit i kanë bërë thirrje edhe drejtësisë të reagojë ndaj thirrjeve të qytetarëve, “Rama në burg,” “Berisha në burg,” pasi në të kundërt, do të jetë populli ai që do të vendosë drejtësi. Protesta është përmbyllur me marshimin e protestuesve në rrugët kryesore të qytetit të cilët me pankarta në duar nuk kanë ndalur thirrjet për anullimin e projektit.

Ora 19:52
Protesta në Tiranë/ I riu ngjitet në podium me qese me plehra në duar: Kam ardhur për t’ia sjellë Ramës nga Zvërneci, meqë qeveria nuk i mblodhi

Një dalë i ri me emrin Dardan në protestë, i cili në dorë së bashku me të motrën mbanin në qese me plehra, u ngjitën në podium duke thënë se “Kemi ardhur për t’i sjellë Ramës plehrat e mbledhura në Zvërnec meqë qeveria nuk i mblodhi”.

Ora 19:28
Resorti në Zvërnec/ Protestuesi i rikujton Ramës kërkesat: A e di fuqinë që kemi me këtë numër apo jo? Ai po bën demoralizim, duhet dorëheqje

Një protestues në kryeqytet, nga podiumi iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i rikujtuar kërkesat e qytetarëve, nisur nga ajo e dorëheqjes.

“Pardje u paraqitën pikat tona, duhet dorëheqje. A e dini fuqinë që keni me këtë numër apo jo? Ne nuk humbasim asgjë të dalim këtu përditë në orën 18:00, gjithë verës. Mos u mashtroni nga lojërat mendore dhe rrjetet sociale që ai bën për demoralizim. As dozat e pluhurit të bardhë që mund të marrë nuk ia ruajnë dot kontrollin”, tha protestuesi.

Ora 19:24
Sopranoja emocionon në protestë, këngon ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’ të Vaçe Zelës (VIDEO)

Një soprano i është bashkuar protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec teksa ka kënduar në podium këngën e famshme të Vaçe Zelës ‘Rjedh në këngë e ligjërime’.

Ora 19:17
Këndi i veçantë në bulevard, fëmijët pikturojnë teksa prindërit protestojnë kundër resortit në Zvërnec (VIDEO)

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë ka pasqyruar prej ditësh anën kreative të të rinjve. Në protestën e sotme është vënë re një kënd i veçantë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku prindërit të cilët kanë marrë fëmijët me vete në protestë kanë krijuar një hapësirë ku të miturit mund të pikturojnë.

Siç shihet edhe nga pamjet, fëmijët me bojëra në duar shprehin talentin e tyre teksa në asfalt janë disa tabakë e letra të ngjyrosura nga ata. Fëmijët gjithashtu monitorohen nga prindërit të cilët protestojnë për të shtatën ditë radhazi kundër ndërtimit në Zvërnec.

Ora 19:12
Protesta për mbrojtjen e Zvërnecit/ Protestuesi: O njerëz godina e kryeministrisë duhet shembur, Rama e keqja më e madhe e këtij vendi

Një protestues u ngjit në podium duke thënë se ndërtesa e kryeministrisë duhet shembur pasi kryeministri Edi Rama, është e keqja më e madhe e këtij vendi.

“Ky vend as nuk ka shkollë, as zhvillim, ka vetëm hajdutëri, vetëm poshtërsi fajtor për të gjitha këto është kjo godinë e ndryrë. Duhet shembur kjo godinë, kjo është e keqa e këtij populli”, tha ndër të tjera një protestues.

Ora 19:01
Nga Zvërneci në protestë në Tiranë, e reja: Kryeministri na quan grekë...ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por jo të shitet

Nga protesta në Zvërnec, protestuesit i janë bashkuar para kryeministrisë qëndresës kundër resortit luksoz. Një e re tha se duan që Shqipëria të zhvillohet, por jo të shitet.

"Sapo erdhëm nga Zvërneci, ku u zhvillua një protestë shumë e mirë. Kryeministri na quan grekë, turq, ndërsa tani thotë se ne jemi ata që nuk duam investime për Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, por nuk duam që Shqipëria të shitet.

Ne duam transparencë dhe, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, të kërkojmë të largohesh. Në Zvërnec nuk ka mbetur më asnjë fije teli dhe atë gardh e kemi hequr me këtë protestë.

Të shtunën e kaluar një person u tërhoq zvarrë vetëm sepse protestonte kundër atij gardhi, por falë qëndresës së qytetarëve ai gardh nuk ekziston më.

Narta është e jona! Narta është e jona!", tha një protestuese.

Ora 18:57
Protesta kundër ndërtimit në Zvërnec/ Protestuesi: Rama largohu, ti do të ndërtosh ‘Romën’ tënde e të na largosh nga qyteti, por nuk ikim pa u bërë Shqipëria

Njëri prej protestuesve që mori fjalën në protestën në kryeqytet, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e bërë fajtor për emigrimin e familjarëve e të afërme.

“Pjesën më të madhe të jetëve tona prindërit e kaluan në emigrim. Jo se donin, por sepse këtu nuk i lanë të jetonin për shkak të vjedhjes tuaj të pandërprerë, hajdutë! Nuk ua falim kurrë që njerëzit tanë ikën nëpër vende që kanë çerekun e potencialit të Shqipërisë, por janë vite dritë larg në menaxhim, ndërsa njerëzit kanë qenë në emigrim, duke na trazuar shpirtin si në ditën e parë kur i përcollëm.

Kryeministër, kur erdhët thatë: “Roma nuk bëhet për një ditë.” Kanë kaluar 13 vite. Cila është Roma jote? Kullat e shokëve të tu, apo ajo me akses të kufizuar të shokëve të tu, sepse shokët tanë nuk ndenjën dot as në lagje më.

Ti do të ndërtosh Romën tënde dhe të na përzësh ne nga portat e qytetit. Ne nuk ikim nga ky shesh derisa të bëhet Shqipëria, dhe të presim këtu e të jetojmë bashkë. Këta maskarenj po na ndajnë për së gjalli. Ngrihuni edhe ju, o shqiptarë që jeni në emigrim”, tha protestuesi.

Ora 18:54
I riu vjen nga Kosova për të protestuar kundër resortit në Zvërnec: Mos u dorëzoni, Kosova është me ‘Nënën Shqipëri’

Një i ri nga Kosova i është bashkuar protestës në Tiranë kundër resortit luksoz që pritet të ndërtohet në Zvërnec.

“Vec një lutje kam për ju, mos u dorëzoni, rezistoni, ju do të fitoni. Kosova është me ju, Kosova është me nënë Shqipëri, poshtë diktatura, rroftë revolucioni”, tha ai.   

Ora 18:44
Edhe Korça i bashkohet ‘valës’ së protestave kundër resortit në Zvërnec (VIDEO)

Protesta kundër resortit në Zvërnec është shtrirë është në qytetin e Korçës. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ora 18:40
‘Çohuni nga kafja’, qytetarët thirrje në pedonalen e Shkodrës për t’iu bashkuar protestës (VIDEO)

‘Çohuni nga kafja’ është thirrja që po dominon pedonalen e Shkodrës në marshimin që po zhvillohet drejt bashkisë së qytetit kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Një tjetër thirrje ‘hit’ e kësaj proteste është dhe ajo ‘revolucion’.

Ora 18:31
FOTOT/ Protesuesit shpalosin imagjinatën, pankartat më 'pikante' në protestën kundër ndërtimit në Zvërnec

1780772175_protestaperzvernecin.jpg

Pankartat në protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, vijojnë e tërheqin vëmendjen më të madhe. Përveç atyre ‘Rama dorëhiqu’, ‘Rama burg, Berisha burg’, apo ‘Larg duart nga Narta’, ka të tjera me nota humori e ironie duke risjellë nëpërmjet “meme-ve që janë virale nëpër rrjete sociale”.

Ora 18:17
Protesta kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe në Shkodër, qytetarët me pankarta në duar nisin marshimin drejt bashkisë

Harta e protestave kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, është hapur deri në Shkodër. Qytetarët kanë në qendër të qytetit për të protestuar. Të rritur e fëmijë mbajnë pankarta në duar me mbishkrime “Korrupsioni na vjedh të ardhmen” apo ‘Dili zot tokës tënde’. Ata kanë nisur marshimin nga Kisha e Madhe në Gjuhadol me destinacion Bashkinë e qytetit.