VLORË- Qytetarët janë kthyer sërish në protestë në Zvërnec, zonën ku parashikohet të ndërtohet resorti nga dy vëllezërit Al-Khayyat nga Katari. Report Tv po ndjek nga afër protestën-marshim të qytetarëve të cilët janë mbledhur në plazhin e Dalanit, në një protestë sensibilizuese për të mbrojtur zonën e mbrojtur.  

“Ne nuk i lejuam, e hodhëm gardhin poshtë. Ta çlirojmë Shqipërinë. U bëj thirrje vlonjatëve, a jeni pas ardhës të Ismail Qemalit. Vlorës në 1920 iu bashkuan gjithë shqiptarët. Lufta u bë për Vlorën, Vlorën duan të marrin, pro shqiptarët janë gjallë. Prandaj vlonjatë mos rrini në kafe, po na marrin pronat, po u përzënë fëmijët, po ngelen vetëm pleq e plaka. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, tha një protestues.

Mbrëmë për më shumë se 3 orë para godinës së qeverisë, qytetarët në ditën e 6-të të protestës, artikuluan sërish thirrjet për anulimin e projektit dhe dorëheqje të kryeministrit.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:39
Protesta për resortin në Zvërnec, banori për Report Tv: Pro investimit, por pronën ma kanë marrë me dokumente false në 2009-ën

Teksa qytetarët pritet të mbajnë një protestë kundër resortit në Zvërnec, banori Minella Balliu tha për mikrofonin e Report Tv se prona është blerë nga gjyshi i tij në vitin 1932 dhe sipas tij ekziston edhe dokumenti i blerjes dhe transkripti.

Kjo pronë është e blerë nga gjyshi im në 1932, ndërsa ekziston dokumenti i pronës dhe transkripti. Ndërsa në 1946 më është sekesutruar 220 ha nga shteti komunist. Pas viteve ’90 ma ka njohur Gjykata e Vlorës. Toka ime është këtu (brenda territorit që këtu e deri tek kodra)” shpjegon ai për gazetarin Armand Xhelili.

Banori shton se këtë pronë Artur Shehu e ka marrë me dokumente të falsifikuara. Ai nënvizon se pronën Shehut ia ka njohur gjyqtari Alaudin Malaj, ish-kreu i Apelit në Tiranë në vitin 2009, pikërisht kur në pushtet ishte Sali Berisha.

“Këtë pronë e ka marrë Artur Shehu me dokumente të falsifikuara.  Nga diskutimi që bëmë me Kryeministrin ia kam ngritur shqetësimin dhe i kam thënë se nuk duhet bërë asgjë pasi jam në proces gjyqësor. Arturi Shehut pronën ia ka njohur gjyqtari Alaudin Malaj, ish-kreu i Apelit në Tiranë në vitin 2009. Gjykata e Lartë e hodhi poshtë vendimin e Alaudin Malajt dhe çështja nisi nga fillimi në Gjykatën e Vlorës”, shtoi Minella Balliu.

Teksa mbante një kapele me emrin e Donald Trump Balliu tha se ata janë pro investimit në Zvërnec

“E mbaj vet a do vijnë të investojnë amerikanët këtu unë jam pro investimit, se nuk do rrimë me kasolle në mal”, përfundoi ai.