Situata nga moti i keq mbetet problematike në Vlorë, Fier, Durrës, Lezhë. Lumi Vjosa doli nga shtrati dhe rrezikon Novoselën dhe fshatin Ferras në Fier, në të cilat u evakuuan banorët. Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga shtrati dhe toka e banesa janë të rrethuara nga uji. Urdhër evakuuimi edhe në Sukth dhe Katund të Ri. Një viktimë nga moti, 54-vjeçari në Durrës humbi jetën pasi e mori rrjedha e ujit. Në veri, reshjet e shiut i kanë lënë vendin borës, deri më tani pa problematika.
VLORË-FIER
Banorët e të paktën 3 fshatrave pranë Vjosës në zonën e Mifolit po evakuohen pasi niveli i lumit arriti në një situatë kritike. Mbi 300 hektarë janë tanimë të përmbytura, e po ashtu dhe 14 banesa, ndërsa ekziston rreziku i zgjerimit të hartës së mbuluar nga uji. Niveli i Vjosës u ul nga 8 metra në 6.5 metra. Policia largoi tregtarët nga Ura e Mifolit.
Me situatën gjithnjë e më kritike, shtabi i Emergjencavë të Vlorës, i mbledhur në Novoselë, njoftoi urdhrin e evakuimit. Forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile, që prej paradites, u angazhuan në ndihmë të banorëve të bllokuar në banesat e përmbytura. Në fshatin Fitore të Vlorës, Vjosa kapërceu mbi të uren e vjeter. Qarkullimi u bllokua përkohësisht te rruga e vjetër Levan-Vlorë pasi Vjosa doli mbi rrugë.
Në anën e Fierit, ka po ashtu prani të lartë uji në 27 banesa që ndodhen brenda argjinaturës. Nën ujë është edhe shkolla. Jo vetëm Vjosa, por dhe Semani doli nga shtrati në Divjakë, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash. Rreth 190 hektarë tokë të mbjella brenda argjinaturës u përmbytën.
DURRËS
Në Durrës u shënua viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar, Astrit Hysenaj, ka humbur jetën pasi e ka marrë rrjedha e kanalit në zonën e ish-repartit ushtarak. Trupi i pajetë u gjet nga polumbarët e Reneas. Lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri. Në këtë zonë, si edhe në Sukth ka nisur evakuuimi i banorëve. Deri më tani, perllogariten mbi 1 mijë banesa të përmbytura në Durrës, rreth 335 biznese janë dëmtuar dhe mbi 300 banorë janë evakuuar në Konvalishencë.
LEZHË
Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
SHKODËR
Rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Akset me prezencë bore
Akset rrugore në zonat malore në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, si dhe Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe Llogaraja, kanë prezencë dëbore në rrugë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve, për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.
Lajmi në përditësim...
Reshjet e dendura të shiut nxorrën nga shtrati Lumin Vjosa, i cili më shumë se kudo ka përmbytur masivisht fshatin Fitore, dhe disa të tjera, në Njësinë Administrative Novoselë, të Bashkisë Vlorë.
Report Tv sjell pamje të realizuara me dron të orës 23:00 të kësaj të enjteje nga sipërfaqet e përmbytura.
Një automjet i Forcave të Armatosura, i nisur për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet në Durrës ka ngecur në ujë për shkak të nivelit të lartë të përmbytjes.
Përmbytjet e ditëve të fundit në zonën e Ferrasit, në Fier, kanë lënë pas shtëpi nën ujë dhe detyruar banorë të largohen nga banesat e tyre. Mes tyre është edhe Sumbull Metanaj, e cila ka rrëfyer përjetimet e saj në një intervistë për Report TV.
“Si këtë herë nuk kemi parë përmbytje. Uji erdhi menjëherë. E gjithë lagjia u përmbyt menjëherë”, tregon ajo, duke përshkruar momentet kur uji pushtoi banesën dhe e bëri të pamundur qëndrimin brenda.
Metanaj shprehet se largimi nga shtëpia ishte një nga momentet më të dhimbshme.
“Është shumë e dhimbshme të lësh banesën nën ujë dhe të largohesh”, thotë ajo, ndërsa kujton përpjekjet për të qëndruar, pavarësisht rrezikut.
Edhe pse këmbënguli të mos e braktiste shtëpinë, dy djemtë e saj e bindën të largohej, duke e nxjerrë nga banesa e përmbytur.
Aktualisht, e moshuara do të strehohet pranë fëmijëve të, ndërsa shtëpia e saj vazhdon të jetë e përmbysur.
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati ka përmbytur edhe fshatin Mifol në Vlorë, ku uji ka arritur në kuotat mbi argjinaturë, duke rrezikuar banesat në atë zonë.
Prefektura e Qarkut Gjirokastër njofton qytetarët dhe përdoruesit e rrugës si pasojë e çarjes së karrexhatës për shkak të reshjeve të dendura të shiut, aksi rrugor “Përmet–Çarçovë”, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”, është i bllokuar për qarkullim.
Në terren ndodhen strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë intensivisht për rritjen e sigurisë, menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për normalizimin e këtij segmenti rrugor.
Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve të Policisë së Shtetit në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për përdoruesit e rrugës, në rast nevoje.
Prefektura e Qarkut Gjirokastër apelon për shmangien e lëvizjes në këtë aks rrugor, për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve dhe për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.
Uji i Lumit Vjosa që ka dal nga shtrati ka hyrë edhe në autostradën Vlorë- Levan, në vendin e quajtur Qarr.
Në një segment prej 500 metra në njërin krah të autostradës prezenca e ujit vështirëson qarkullimin e automjeteve.
Për shkak të motit të keq situata në fshatin Matogjinë të Bashkisë Selenicëm është shumë problematike, për shkak të rrëshqitjes së rrugës dhe bllokimit të saj nga gurë të mëdhenj duke e bërë të pakalueshme. Si pasojë e kësaj problematike ka mbetur i izoluar fshati Bashaj.
Në autostradën 100 vjetori në afërsi të urës në Bishan në Vlorë dalja e lumit Vjosa ka arritur në autostradë ku është bërë dhe devijimi i korsisë së ngadalësimit me sinjalistikë nga firma Salillari pasi ka prezencë të lartë uji.
Çahet argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras, Fier. Uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar gjithë banesat, ndërsa banorët janë evakuar.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave Civile, ku u analizua situata e krijuar nga përmbytjet, kryesisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin. Gjatë mbledhjes ishin të pranishme strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.
Në një prononcim për mediat pas takimit, ministri Salla u shpreh se situata aktualisht është nën kontroll, ndërsa theksoi se qeveria do të ofrojë mbështetje për banorët e prekur nga përmbytjet.
Sipas tij, strukturat përkatëse vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.
'Qarku Lezhë është prekur nga reshjet e shiut dhe ne bëmë një mbledhje të emergjencave për të diskutuar rreth problematikave që kanë banorët. Kemi pasur disa banesa nën ujë që janë në Laç kryesisht një pjesë e konsiderueshme dhe janë duke u evidentuar nga Bashkia e Laçit. Ne do ti vijmë në ndihmë çdo banori dhe do të kenë edhe dëmshpërblime për dëmet që kanë pasur', tha ai.
Pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Qarkun Durrës, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu tha për median se të gjitha strukturat janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet e dendura.
Pyetje: Sapo keni zhvilluar mbledhjen e Emergjencave Civile, si paraqitet situata?
Ministrja Koçiu: Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile këtu në Prefekturën e Durrësit, ku marrin pjesë të gjithë titullarët e institucioneve që janë pjesë e mekanizmit të Emergjencave Civile. Si rezultat i reshjeve të dendura të ditëve të fundit, në qarkun e Durrësit, në përgjithësi kemi një situatë, e cila është agravuar 24 orëshin e fundit. Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë dy zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha struktura që janë në gatishmëri e po koordinojnë evakuimin e banorëve.
Kam një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, të institucioneve që të mos kemi rrezik të jetës së vetë njerëzve, por patjetër dhe të gjësë së gjallë në shtëpitë e tyre.
Patjetër do të vijohet më pas me një evidentim të dëmeve, ashtu sikundër bashkia e Durrësit e ka filluar një evidentim e vlerësim të dëmeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve. Por në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja, e këtu do të kërkoja bashkëpunimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë gjithë kohën në terren duke raportuar, që të sensibilizojmë sa më shumë, sepse tashmë në këto momente, e rëndësishme është jeta e njerëzve.
Duhet të shpëtojmë e të mos kemi asnjë incident të tillë e më pas do të shkohet me një plan vlerësimi e një plan zhdëmtimi.
Kemi një vlerësim të deritanishëm, janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në të dy këto dy zona, pra Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike. Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura janë aty e po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik edhe paraqet rrezik për banorët.
Patjetër që e rëndësishme është që duhet t’u besojnë autoriteteve shtetërore dhe të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë, për të lënë banesën apo për të gjetur një mënyrë tjetër apo zgjidhje tjetër, pasi vetë strukturat dhe autoritetet përgjegjëse janë kompetente dhe e dinë zhvendosjen nga shtëpia e banimit për t’u akomoduar në një vend të sigurt.
Aktualisht ka struktura hoteliere, por ndërkohë janë edhe dy struktura të Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, që janë vënë në dispozicion dhe po suportohen nga Rezervat Materiale të Shtetit për të plotësuar të gjithë instrumentin, apo mekanizmin e emergjencave civile që ngrihet në këto raste. Siç e thashë, strukturat shtetërore janë të gjitha të angazhuara, janë në këmbë për të përballuar dhe për të ndihmuar çdo qytet dhe çdo familje që ka nevojë.
Moti i keq në Pogradec ka shkaktuar probleme të shumta, ku prurjet e lumit të Vërdovës kanë dëmtuar rrugën duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve.
Drejtori i Emergjencave në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, deklaroi se lumi i Vërdovës prej vitesh mbetet një problem serioz për zonën, duke shkaktuar dëme në tokat bujqësore e banesa si pasojë e daljes nga shtrati nga reshjet.
Sipas Torrës, Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për gjetjen e një zgjidhjeje, duke paraqitur kërkesa të shumta pranë institucioneve përkatëse. Megjithatë, për shkak të gjendjes së kufizuar financiare të bashkisë dhe komunitetit, është kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore.
'Lumi i Vërdovës ka qenë një problem i hershëm. Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për të zgjidhur këtë problem, kemi bërë edhe kërkesa në institucionet përkatëse. Gjendja e financiare e bashkisë është e vogël dhe i jemi drejtuar qeverisë për ndihmë. Kemi folur me të gjitha institucionet. Kryetari i bashkisë ka folur me institucionet dhe ato janë të gatshme, por ne jemi ende në fazën e aplikimit për financim.
Lumi i Vërdovës shkakton probleme në tokat bujqësore dhe në familje. Ka disa familje që kanë bërë raportime. Kemi informuar kompanitë e qarkullimit rrugor dhe të format e mirëmbajtjes që të tregojnë kujdes, sepse kjo rrugë mund të bllokohet herë pas here. Meqë një rrugë bllokohet, kemi dhënë paralajmërim edhe për tjetrën, sepse edhe ajo mund të bllokohet herë pas here’, tha ai.

Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile po punojnë me ritëm të shpejtë për të evakuuar banorët dhe gjënë e gjallë në fshatin Ferras në Fier, të cilët rrezikohen nga përmbytja, pasi niveli i ujit ka arritur lartësinë maksimale të argjinaturës dhe rrezikon ta tejkalojë atë.
Aksi i vjetër rrugor që lidh Fier me Vlorë është bllokuar përkohësisht për shkak të pranisë së ujit që ka vërshuar në rrugë pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa.
Si masë sigurie, qarkullimi i automjeteve është devijuar në autostradë dhe do të vijojë në këtë mënyrë deri në tërheqjen e ujit nga segmenti i përmbytur.
Policia e Shtetit ka vendosur postbllok në zonë për të ndaluar kalimin dhe për të orientuar drejtuesit e mjeteve drejt akseve të tjera.
Bllokohet qarkullimi në Qafën e Llogarasë. Për shkak të reshjeve të dëborës policia ka vendosur efektivë në zonë duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment.
Reshjet e dëborës por edhe ngricat në rrugë nga temperaturat e ulëta në zonë shkak i ndalimit të qarkullimit.
Një i moshuar i sëmurë është evakuuar nga banesa e përmbytur në Ferras, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë dhe ekipit mjekësor, të cilët e transportuan drejt Spitalit Rajonal Fier.
Situata vijon të jetë e tensionuar në zonë, pasi niveli i ujit ka arritur pranë kufirit maksimal të argjinaturës. Për të shmangur çdo rrezik përmbytjeje, strukturat përgjegjëse dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë me vendosjen e thasëve me rërë përgjatë argjinaturës, duke forcuar pikat më problematike.
Ekipet e ushtrisë kanë ndihmuar banorët në evakuimin e gjësë së gjallë aty ku është kërkuar ndihmë, si në rastin e një pularie në Ferras. Ndërkohë, komisioni i emergjencave ka marrë të gjitha masat për sistemimin e konviktit të shkollës bujqësore “Rakip Kryeziu” për strehimin e banorëve që mund të evakuohen, si dhe janë vënë në dispozicion autobusë për transportin e tyre.
Ministri Vëngu, në një prononcim për mediat, ka pohuar se procesi i evakuimit të banorëve në Ferras është drejt përfundimit. Është zbatuar me vonesë për shkak të refuzimit të tyre për t’u larguar, ndërkohë që situata do të mbetet në monitorim të plotë, pasi edhe dita e shtunë parashikohet me reshje intensive.
Reshjet e dendura të dëborës kanë vështirësuar qarkullimin në disa zona të Elbasanit.
Borëpastrueset ndodhen në terren ndërsa në akse po hidhet skorie me qëllim lehtësimin e qarkullimit të automjeteve. Kryesisht zonat më problematike janë Zavalina, Labinot Mal, Moagjesh dhe Gjinar.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar situatë problematike edhe në qarkun e Beratit. Rritja e nivelit të ujit në Lumin Osum ka bërë që 95 hektarë tokë bujqësore të jenë plotësisht nën ujë.
Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë në Berat po punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Në zonën e Velabishtit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës, 4 banesa janë nën ujë, e po ashtu edhe një kopsht fëmijësh, 1 qendër shëndetësore, stalla e sera. Banorët ankohen për mungesë vëmendjeje nga bashkia.
“Kopshti është këtu, se shkolla jo. Edhe qendra shëndetësore. E treta herë që përmbytemi brenda muajit”, tha njëri prej banorëve.
“Katastrofë, 1 metër ujë në shtëpi. Janë prishur të gjitha. Ne për momentin jemi tek xhaxhai. Hera e dytë që përmbytemi brenda muajit. S’na kanë përfillur nga bashkia”, tha njëri prej banorëve.
Në bashkinë Dimal, janë përmbytur 15 banesa e po ashtu edhe gjimnazi “Muhamer Janina”.
“Ku e keni kryetarin e Bashkisë… sillni skafin këtu”, tha banori.
Përmbytje të tokave bujqësore raportohen edhe në bashkinë Kuçovë, në fshatin Tapi, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit Devoll.
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati në Urën e Mifolit ka shkaktuar përmbytje masive në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth. Siç shihet nga pamjet të filmuara nga lart me helikopter që transmeton Report Tv, shihet sesi qindra hektarë tokë janë përmbytur e po kështu dhe disa banesa.
Ndërkohë Vjosa ka arritur në nivelin 8 metra mbi nivelin e detit ndërsa janë evakuuar banorë nga fshatrat Ferras, Novoselë e dhe Bishan.
Në fshatin Vadardhë, njësia Administrative Sukth, ka nisur zbatimi i planit të evakuimit të banorëve banesat e të cilëve janë përmbytur.
Ministria e Brendshme Albana Koçiu, bëri të ditur se të gjitha ekipet e emergjencave janë në terren për të ndihmuar banorët e prekur.
Sipas Koçiut, rreth 500 qytetarë do të evakuohen dhe do të dislokohen me mjetet e Forcave të Armatosura. Situata paraqitet e vështirë, ndërsa në zonë janë angazhuar 6 mjete të Forcave të Armatosura dhe rreth 200 punonjës të emergjencave civile.
‘Jemi në Vardardhë në Sukth ku ka nisur plani i evakuimit. Të gjithë ekipet e meregjencavbe janë në terren për të evakuar vanorët që janë prekur nga përmbyrja janë 500 banorë që do të dislokohen me mjetet e forcave të armatorusa, situata është e vështirë janë 6 mjete të forcave të dislokuara dhe 200 punonjës në zonën e Vardardhës. Kam një thirrje për të gjithë qytetarët që të presin në banesa dhe të mos dalin dhe ta lënë banesën vetëm në çdo derë do të trokasin ekipet e emergjencave për ndihmë’, tha ajo.
Aktualisht në Novoselë janë evakuuar 13 familje ndërsa rreth 50 hektarë tokë janë të përmbytura.
Kreu i njësisë administrative të Novoselës, Kanan Shakaj në një lidhje direkte për Report Tv, sqaron se prurjet kanë filluar të tërhiqen nga zona e Memaliajt ndërsa përmbytjet masive, Shakaj i shpjegon kështu: Situata tani është në gjendje kritike. Kemi marrë një sinjal të mirë nga Memaliaj që ka filluar rënia e prurjeve. Ka rënë 1.6 metra deri tani. Kemi evakuuar 13 familje, 3 të fshatit fitore dhe të tjera nga Novosela.
Tani në këto momente nuk kemi probleme me familjet e tjera, por jemi në gatishmëri të plotë. Në një moment të dytë mund të bëjmë dhe evakuime të tjera. Në Novoselë, kemi rreth 50 hektarë tokë të përmbytura.
Këtu tek ura ekzistuese e vjetër është 270 m hapësirë drite dhe ura e re është 90 m hapësirë drite dhe prurjet krijojnë hinkë. Ka një disnivel shumë të madh. Kjo është kryesorja dhe tani thonë që do të bëhet studimi.
Ka nisur në Novoselë të Vlorës evakuimi i banorëve të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se evakuimet po kryhen nga njësia speciale ‘Delta Force’. Efektivët që u kanë shkuar në ndihmë banorëve të zonës kanë qenë të pajisur edhe me mjete të nevojshme për kryerjen e këtij operacioni.
Veç automjeteve të Policisë, ka pasur edhe gomone që janë përdorur për evekuim, pasi hapësira të mëdha toke janë totalisht të zhytura nën ujë dhe qarkullimi me makinë është thuajse i pamundur.
Niveli i ujit në zonat e përmbytura u rrit gjatë ditës së sotme, pas daljes së lumit Vjosa nga shtrati, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë për gjithë fshatrat përreth.
Përmbytjet e ditëve të fundit kanë prekur rëndë zonën e Torovicës në Lezhë, duke përfshirë rreth 2/3 e sipërfaqes bujqësore prej 2500 hektarësh. Dëmet konsiderohen të mëdha, ndërsa qëndrimi i ujit në sipërfaqe për një kohë të gjatë rrezikon të sjellë humbje të konsiderueshme për fermerët që kanë mbjellë tokat e tyre.
Kjo situatë rrezikon seriozisht sezonin e korrjeve, pasi sipas fermerëve dhe specialistëve, këtë vit mund të mos ketë prodhim gruri, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për banorët e zonës.
Në terren ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, i cili u takua me banorët dhe ngriti shqetësimin se kjo është një situatë që përsëritet vazhdimisht. Sipas tij, qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe ta vërë situatën nën kontroll, në vend që të fajësojë vetëm faktorët natyrorë pa marrë masa konkrete.
Gjekmarkaj theksoi se është urgjente ndërhyrja në hidrovorin e Balldrenit, i cili aktualisht nuk arrin të kryejë funksionin e tij për shkak të mungesës së investimeve. Sipas tij, investimi i nevojshëm është premtuar prej vitesh, por nuk është realizuar asnjëherë, duke lënë zonën të pambrojtur përballë përmbytjeve të përsëritura.
“Situata është mjaft dramatike, është një gjendje shumë e keqe për banorët. Ftoj Ministrinë e Bujqësisë dhe Bashkinë e Lezhës që në kohë normale të administrojnë zonën ashtu siç duhet, me kanalet, kullimet dhe me hidrovorin e Balldrenit që është premtuar në çdo fushatë elektorale.
Edhe këto ditë shohim justifikime nga kryeministri – nga qeveria, shpikin përralla të padëgjuara, që ky shi nuk ka rënë gjatë këtyre 100 viteve. I bëj thirrje autoriteteve që të dëmshpërblejnë banorët, jeta e tyre varet nga këto fusha dhe të ,mbjellat që janë shkatërruar”, tha Gjekmarkaj.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu thotë se janë dhënë urdhër për evakuim në fshatrat Novoselë, Bishan dhe Ferras, pasi prurjet në Vjosë janë të mëdha.
Për mediat, Vengu u shpreh se kuotat maksimale janë kaluar dhe pritet përkeqësim në orët në vijim.
Vengu shtoi se Forcat e Armatosura janë në terren dhe do të bëhen konstatimet për dëmet e shkaktuara.
“Së bashku me ministrin e Bujqësisë, kemi realizuar dislokimin e forcave civile dhe ushtarake në terren, në të dyja krahët e grykëderdhjes së Vjosës. Aktualisht, janë dhënë urdhrat e evakuimit në tre fshatra, Novoselë, Bishan, Ferras. Forcat e Armatosura janë në këto 3 fshatra për të bërë të mundur evakuimin e këtyre banorëve. Mjetet e bordeve të kullimit, janë në gatishmëri dhe po bëjnë përforcime të herë pas hershme. Kuotat maksimale janë kaluar, prurjet janë të atilla që konsiderojnë përkeqësim në 4 orët në vijim. Do kemi prurje në basenin e Vjosës, ndaj kemi pasur urdhër për evakuime. Sa i përket dëmeve dhe dëmshpërblimeve, do bëjmë konstatimet. Ministria e Financave do kryejë kompensimet.”, theksoi ai.
Vendi ynë edhe këtë të enjte është përfshirë nga reshjet e shiut. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se kjo situatë ka krijuar rritjen e prurjeve në lumenjtë Mat, Shkumbin, Erzen, Ishëm dhe Seman.
“Reshjet e shiut do të vijojnë edhe më orët në vazhdim. Reshje mesatare deri në intensive priten në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Si pasojë e reshjeve do të kemi rritje të prurjeve në lumenjtë Mat, Shkumbin, Erzen, Ishëm dhe Seman. Vijon me rrezik të shtuar për përmbytje Vjosa, Buna, Drin dhe liqeni i Shkodrës. Nga 9 janari pritet të kemi uljen e prurjeve në të gjithë lumenjtë e vendit”, tha Gjoni.
Gjoni tha se intensiteti i reshjeve ka qenë relativisht i lartë në zona të caktuara, por problematikat janë shfaqur nga kombinimi i këtyre reshjeve me terrenin.
“Nuk mund të themi nivel të lartë. Kemi pasur reshje lokalisht intensive në disa prej qarqeve. Si pasojë të këtyre reshjeve me intensitet të shtuar, kanë ardhur dhe problematikat e ndryshme si vërshimet e ujit apo rritja e niveleve të lumenjve. Problematikat janë shfaqur nga kombinimi i reshjeve me terrenin. Sasitë kanë qenë të ndryshme në qarqe të ndryshme”, tha Gjoni.
Më tej ajo shtoi se në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formën e dëborës
“Në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formën e dëborës dhe do të zbresin der në nivelin 300 metra mbi nivelin e detit”, tha Gjoni, teksa theksoi se në Tiranë nuk presim reshje në formën e dëborës.
Temperaturat minimale dhe maksimale nesër parashikohen:
Në zonat malore -8/1 gradë celcius;
Në zonat e ulëta 1/8 gradë celcius;
Në zonat bregdetar 4/10 gradë celcius.
Rreth 80 hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit në njësinë administrative Cakran të Bashkisë Fier.
Dëmet në të mbjella jane tepër të mëdha, ka pohuar kryeplaku i fshatit Selishtë, Ferrik Myftaraj.
Ai ka theksuar se uji rrezikon të dalë në autostradën Levan-Tepelenë.
Muftaraj u shpreh se një situatë e tillë nuk është parë prej 7 vitesh në zonë, ndërsa thekson se bllokimi i autostradës do të paralizonte lëvizjen e automjeteve.
“Ky është një vend që ka pasur atë bazën e vet lumin këtu. Lumi më përpara kalonte para shtëpive. Deri në 2016 nuk kishte dalë. Do edhe 70 centimetra dhe hipën në rrugë, bllokon autostradën Levan-Tepelenë. Ka bërë dëme të mëdha. Të gjitha janë të shkatërruara. E rrezikshme është, ndërprerja e rrugëve dhe bllokimi i kanaleve”, tha ai.
Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku 54-vjeçari Astrit Hysenaj dyshohet se humbi jetës si shkak i motit të keq. Burime për Report TV bëjnë me dije se Hysenaj, trupi i të cilit u gjet i pajetë në një kanal të qytetit, ishte ‘zhdukur’ pa gjurmë që në datën 6 janar, pasi kishte lënë punën në orën 10:30.
Familjarët e tij pasi ai nuk po kthehej në shtëpi, kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh ku Astriti punonte për të marrë informacion.
Pasi nga ndërmarrja janë informuar se Astriti ishte larguar nga puna në orën 10:30, familjarët i janë drejtuar Policisë për gjetjen e tij.
"Bashkia Durrës informon se punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës.
Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit", njoftoi Bashkia e Durrësit.
54-vjeçari humbi jetën si pasojë e motit të keq, pasi dyshohet se e kishte marrë rrjedha e një kanali në zonën e ish-repartit ushtarak.

Viktima Astrit Hysenaj
Gjatë natës, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut, rrjedha e lumit Fan i Vogël në territorin e Bashkisë Mirditë ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore, duke shkaktuar gjithashtu dëmtime në dy shtylla të linjës elektrike në fshatin Kodër Rrëshen.
Burime për Report TV bëjnë me dije se për ndërhyrjen emergjente dhe devijimin e rrjedhës së lumit, autoritetet vendore kanë kërkuar mbështetje me mjete të rënda, konkretisht një eskavator me krahë të gjatë dhe një kamion të tonazhit të rëndë, pasi Bashkia Mirditë nuk disponon mjete të tilla.
Ndërkohë, do të vijojë puna për rehabilitimin e rrugës në lagjen Preçaj, në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar. Po ashtu, në fshatin Kodër Rrëshen parashikohet ndërhyrje për sistemimin e ujërave sipërfaqësore pranë planit të rrëshqitjes, ku rrezikohet një rrugë lagjeje.
Nga HEC-i i Qafë Mollës kanë nisur shkarkimet me rreth 201 m³/s, të cilat deri më tani nuk paraqesin problematika apo rrezik, kjo edhe për shkak të gjerësisë së shtratit të lumit Mat.
Shqipëria vijon të përfshihet nga moti i keq edhe këtë të enjte. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga reshjet e dendura të shiut, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër për evakuim në fshatin Ferras në Fier dhe Sukth e Katund i Ri në Durrës.
Sipas ministrisë, evakuimi do të kryhet pasi përmbytjet rrezikojnë jetën e këtyre banorëve.
Më herët, urdhër për evakuim u dha për banorët e Novoselës.
Në Durrës, u shënua viktima e parë nga përmbytjet. 54-vjeçari Astrit Hysenaj është mbytur në një kanal kullues dhe trupi i tij u gjet nga polumbarët e Reneas.
Një mjet borëpastrues në rrugën e Arbrit ka shkaktuar një aksident të trefishtë.
Teksa po pastronte dëborën në afërsi të tunelit të Murrizit në anën e Klosit, mjeti borëpastrues goditi një automjet tip Volkswagen që lëvizte në drejtim të Tiranës, i cili më pas u përplas edhe me dy automjete të tjera.
Si pasojë e përplasjes janë lënduar disa persona, ndërsa drejtuesi i mjetit Volkswagen u dërgua në spital për ndihmë të specializuar.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërsa niveli i ujit të lumit Vjosa vijon të rritet, banorët e zonave pranë shtratit të lumit, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë nisur evakuimet parandaluese.
Në një video të siguruar nga Report Tv shihet një banor që ka marrë qenin në krahë duke e shpëtuar nga përmbytjet.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara.
Policia e Shtetit ka njoftuar se shërbimet e strukturave të saj do të jenë në gatishmëri në terren për menaxhimin e qarkullimit gjatë motit të keq dhe ndihmës kundrejt qytetarëve.
Policia njofton se akset rrugore në Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Rruga e Arbrit, Rruga e Kombit dhe Llogara, kanë dëborë. Qarkullimi është i vështirë në zonat malore. Automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore e zinxhirë. Ndërkohë vijon edhe pastrimi e kriposja e rrugëve.
Njoftimi është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama.
“Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe së fundmi, në disa zona, me reshje dëbore, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në terren, për të menaxhuar qarkullimin e automjeteve në akset ku janë krijuar vështirësi dhe për të ndihmuar qytetarët.
Për shkak të reshjeve të borës dhe të mjegullës, është vështirësuar qarkullimi në disa akse rrugore në zonat malore.
Kujdes!
Akset rrugore në zonat malore në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe Llogaraja, kanë prezencë dëbore në rrugë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë në terren dhe po bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, ku vijon pastrimi i rrugëve dhe kriposja për të shmangur ngricat.
Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të rrisin vigjilencën, të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të përdorin pajisjet dimërore në akset rrugore ku është e nevojshme.
Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112”, thotë njoftimi.
Moti i keq dhe përmbytjet masive i kanë marrë jetën 54-vjeçarit Astrit Hysenaj në Durrës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se dyshohet se ai është mbytur në një kanal kullues dhe trupi i tij u gjet nga polumbarët e Reneas.
Paraprakisht dyshohet se 54-vjeçarin e ka marrë rrjedha e ujit të kanalit, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas të dhënave të siguruara nga Report TV, bëhet e ditur se Hysenaj ka qenë punonjës i shërbimeve komunale të plazhit të Durrësit, por ende nuk dihet nëse ishte në detyrë ose jo në momentin që humbi jetën.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.
Një urdhër i menjëhershëm evakuimi është dhënë për banorët e Novoselës, për shkak të daljes së lumit Vjosa nga shtrati.
Report TV ka siguruar pamje nga evakuimi i dy familjeve, të cilat kanë qenë të bllokuara.
Ata janë marrë nga autoritetet dhe janë transportuar me gomone, pasi niveli i ujit është i lartë.
Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa, Emergjencat Civile kanë dhënë urdhër të menjëhershëm evakuimi për banorët e Novoselës. Banesat janë rrezikuar për shkak të reshjeve të shumta që kanë përkeqësuar situatën.
Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektin e qarkut dhe strukturat e emergjencave në bashki. Prioritet do të kenë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e izoluara. Bashkia e Vlorës do të kryejë strehimin e banorëve.
Në pamjet me helikopter, shihet qartazi sesi uji ka terrenin mbuluar thuajse plotësisht.
Në zbatim të:
* Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
* Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
* Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Vlorë
Njësisë Administrative Novoselë
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
* Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
* Prefektin e Qarkut përkatës
* Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
* Fëmijët
* Të moshuarit
* Personat me aftësi të kufizuara
* Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
* Mjetet e Bashkisë
* Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
* Forcat e Armatosura
Menaxhimi i strehimit të të evakuuarve
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
* Policinë e Shtetit
* Njësitë e kujdesit shëndetësor
* Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
* Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
* Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
* Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.
Një sipërfaqe e madhe e tokave bujqësore është përmbytur përsëri në zonën e Maliqit për shkak të çarjes së argjinaturës në një segment në Lumin Devoll.
Deri më tani, nuk evidentohet një bilanc i sipërfaqes së përmbytur. Ndërkaq, lumi Dunavec ka arritur maksimumin e nivelit të prurjeve, por nuk ka dalë nga shtrati.
Aktualisht, kanë filluar reshjet e dëborës.
Pas daljes nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Vlorë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se Vjosa ka kaluar kuotat maksimale. Fokusi kryesor janë tre fshatrat në grykëderdhjen e saj që kanë rrezikshmëri të lartë: Fitore, Bishan dhe Novoselë.
“Kemi bërë planin e masave sidomos për tre fshatrat kryesorë që kanë rrezikshmëri të lartë në këto momente në grykëderdhjen e Vjosës, Fitore, Bishan dhe Novoselë. Kemi rakorduar skuadrat që duhet të dislokohen në terren menjëherë, qoftë nga pikëpamja e shërbimeve parësore, shëndetësore dhe mjetet ekskavator, fadroma që janë dislokuar në terren për të frenuar aq sa mundemi në këto momente. Kuotat e Vjosës janë arritur dhe na duhet të sigurojmë mbështetjen”, tha Vengu.
Ka vijuar evakuimi i krerëve të bagëtive në një fermë, ndërsa do të ndodhë edhe pozicionimi me mjete të larta të ushtrisë.
“Presim rritje të niveleve të ujërave, presim të vijojmë operacionin e nisur në mëngjes për evakuimin e bagëtive, 200 krerë janë evakuuar në një fermë, po e bëjmë këtë në të dyja anët e Vjosës, edhe nga zona e Vjosës dhe do të dislokohemi me Forcat e Armatosura për mjete të larta të ushtrisë”, shpjegoi ministri.
Furnizimi me ujë e energji elektrike vijon normalisht. Momentalisht janë evakuuar 13 familje dhe procesi do të vijojë në varësi të situatës.
“Kemi evakuuar për momentin 13 familje, nuk kemi proceduar me evakuime të mëtejshme për momentin. Do ta japim njoftimin në momentin që shohim që ujërat kanë rrezik të depërtojnë përtej argjinaturave. Argjinaturat kanë mbajtur për momentin, janë bërë përforcime edhe gjatë muajit nëntor, kanalet janë pastruar vazhdimisht dhe jemi në kushte ku mund të menaxhojmë e administrojmë këtë situatë”, vijoi më tej.
Vengu tha se banorët janë të informuar për evakuimin: “Banorët janë të alertuar, jemi pranë tyre, janë mjetet pranë banesave dhe do të reagojmë shumë shpejt”, teksa shtoi: “Jeta është përparësia jonë tani dhe infrastruktura kritike për vijimësinë e shërbimeve publike.”
Aksi Qukës-Qafë Plloçë është totalisht i bllokuar për qarkullimin e mjeteve. Gjatë natës ka pasur të tjera rrëshqitje masive dheu dhe siç shihet në këto pamje që sjell Report Tv, aksi është i bllokuar, ndërsa është mbuluar edhe nga reshjet e borës.
Aksi është i bllokuar që prej ditës së djeshme, ndërsa mjetet e kompanisë janë në terren duke pastruar. Kalimi i mjeteve po bëhet nga rruga e vjetër e Qafë-Thanës.
Rrëshqitja e dherave vjen vetëm 4 muaj pas inaugurimit të këtij aksi. Dje rrëshqitjet i kanë rrezikuar jetën edhe një kalimtari të rastit me makine. Dherat i ranë sipër mjetit, më të cilin ai po udhëtonte, menjëherë sapo doli nga tuneli, dhe vetëm fati e ka shpëtuar drejtuesin nga pasojat fatale.
E inauguruar në fillim të shtatorit, rruga Qukës–Qafë Plloçë kushtoi 260 milionë euro dhe janë dashur 16 vite për ta ndërtuar.
Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit kanë nxjerrë nga shtrati lumin Seman.
Rreth 190 hektarë tokë të mbjella brenda argjinaturës janë përmbytur. Tokat të mbjella me grurë foragjere pemëtari dhe sera janë nën pushtetin e ujit.
Banorët në të gjithë gjatësinë e Semanit nga Ngurrëza deri në Imshtë shprehen se janë përmbytur sa herë del lumi nga shtrati dhe prodhimi i tyre ikën dëm.
Fermerët nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim për këto katastrofa.
"Jemi përmbytur shumë, elb e grurë. Atëherë kanalet pastroheshin, tani nuk e ka mendjen njeri për punë. E kanë mendjen të pasurohen për vete. Asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë", tha një banor.
Çarja e argjinaturës së lumit Droje ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në fshatin Adriatik të Kurbinit, por edhe në dy fshatrat e Fushë Krujës, Dukagjin i Ri dhe Miliska.
Burime për Report TV bëjnë me dije se si pasojë, dhjetëra familje vijojnë të jenë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.
Banorët shprehen se po përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes, ndërkohë që situata po rëndohet edhe për shkak të mungesës së bazës ushqimore për bagëtitë.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
“Jam 78-vjeç. Quhem Liza, kemi 2 ditë të izoluar. Dalin ata që janë për të dalë, ne jemi këtu. Kjo përmbytje s’kishte ndodhur kurrë më parë”, tha një grua e moshuar, banore e fshatit Adriatik.
“Te shtëpia ime është deri në mes me ujë. Kjo punë nuk është sot, por u bë 35 vite që është kështu gjendja. Ne e shtrojmë rrugën vetë... Situata është nga çarja e argjinaturës, inshallah bëhet një copë betoni aty”, tha një tjetër qytetar i fshatit Adriatik.
“Janë t’u na bo dëme me rob, jo me delet e me lopët. Mua po më vdes plaku aty. Është zhytur në ujë shtëpia ime. Kam 4-5 ditë në ujë. Lopë e dele leri këto, se ato kanë mbaruar komplet. Por kam edhe plakun sëmur”, tha një tjetër qytetar i fshatit Adriatik të Kurbinit.
Ndërkohë Bashkia Krujë bën të ditur se në dy fshatrat që janë prekut nga vërshimet, uji ka hyrë në rreth 50 banesa.
“Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Krujë.
Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e Vlorës Evis Allushi ndodhen në terren teksa lumi Vjosa ndodhet në pikën më kritike teksa shtëpi e toka bujqësore tashmë janë përmbytur.
Haki Çako bën me dije se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë ndërsa që prej ditës së djeshme janë bërë njoftimet e nevojshme për banorët e rrezikuar nga përmbytjet me qëllim evakuimin e tyre dhe të kafshëve.
“Situata është kritike pasi vërshimet janë të konsiderueshme dhe nivelet e Vjosës kanë kapur limitet maksimale. Jemi në krye të detyrës. Po organizojmë dhe një takim të Komisionit të Mbrojtjes Civile së bashku me të gjitha strukturat që janë në gatishmëri. Prioritet absolut është jeta dhe normaliteti i qytetarëve dhe kërkoj mirëkuptimin e tyre në rast evakuimi për të mos krijuar vështirësi të mëtejshme.
Kanë filluar njoftimet (për evakuimin e kafshëve), janë bërë që dje, pasi ka 24 orë që ka vijuar rritja e nivelit të Vjosës jemi në monitorim dhe bashkëpunim me kryepleqtë dhe komunitetin”, tha Haki Çako.
Ashtu si dhe Çako, prefektja Evis Allushi shprehet se prioriteti kryesor është jeta e qytetarëve ndërsa është e nevojshme evakuimi i tyre nga zonat e rrezikuara.
“Situata jemi duke e monitoruar. Do të mbledhim dhe Komisionin e Mbrojtjes Civile. Në këto momente gjëja më e rëndësishme është jeta e njerëzve. Lajmërimet i kemi bërë që ditën e djeshme, sidomos për ata banorë që rrezikojnë më shumë nga situata”, tha prefektja.
Një anije transporti ka mbetur e bllokuar në det, në afërsi të brigjeve të Tales në Lezhë. Sipas burimeve, mjeti lundrues ishte ndaluar për shkak të detit të trazuar dhe gjatë manovrimit ka hasur në cekëtinë, duke mbetur i bllokuar.
Anija mban flamurin e Tanzanisë dhe kishte dalë nga porti i Durrësit. Burimet bëjnë me dije se emri i saj është “BESART”. Aktualisht, mjeti ndodhet në një pozicion të vështirë dhe, nëse nuk ndërhyhet në kohë nga autoritetet përkatëse, ekziston rreziku që të mbetet i bllokuar në det për një kohë të gjatë.
Situata po monitorohet, ndërsa pritet ndërhyrja për zhbllokimin e anijes.
Qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje shiu dhe bore me intensitet mesatar dhe të lartë gjatë 24 orëve të fundit. Si pasojë e shirave ka pasur problematika në disa rrugë fshatrash si pasojë e daljes së përrenjve malorë. Fadromat e Bashkisë kanë ndërhyrë duke përmirësuar problemet e shkaktuara nga përrenjtë.
Mëngjesi i sotëm solli dëborën deri në lartësi 600 m mbi nivelin e detit. Trashësia e dëborës në lartësi mbi 1200 metra kalon në 20 cm. Aktualisht rrugët Peshkopi-Kukës, Peshkopi-Lurë, Ura e Çerenecit- Steblevë- Librazhd, janë të kalueshme.
Reshje dëbore ka pasur edhe në rrugën e Arbrit, në segmentin nga tuneli T6 deri në hyrje të tunelit të Murrizit, në njësinë administrative Xibër, por pa shkaktuar probleme. Policia rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin goma dimërore ose zinxhirë. Nuk raportohen probleme në zonat e thella.
Edhe qarku i Elbasanit është përfshirë nga moti i keq këtë të enjte. Sipas njoftimit të prefekturës bëhet me dije se reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Elbasan-Gjinar-Zavalinë dhe Elbasan-Tiranë (aksi rrugor i vjetër nga Krraba).
Në bashkinë Belsh po mbizotëron një situatë problematike në disa zona. Sipas informacionit zyrtar, liqeni kryesor i Belshit ka shënuar rritje të ndjeshme të kuotës ujore dhe ka dalë nga shtrati.
Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit për të menaxhuar prurjet e shtuara, ndërsa si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit, segmenti rrugor Belsh-Trojas është aktualisht i bllokuar pasi reshjet vijojnë të jenë me intensitet të lartë dhe rruga vijon të ndodhet nën ujë.
Autoritetet lokale dhe strukturat e Emergjencave Civile ndodhen në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve dhe normalizimin e situatës. Deri më tani nuk kemi banesa apo biznese me prezencë uji.
Ndërkohë teksa Gjinari është zbardhur nga dëbora, autoritetet lokale këshillojnë të gjithë drejtuesit që automjet të jenë të pajisuara me goma dimërore ose zinxhir.
Në Bashkinë Prrenjas situata paraqitet nën kontroll dhe pa problematika. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa ekipi i punës ndodhen në terren duke monitoruar situatën në mënyrë të vazhdueshme. Deri në këto momente nuk raportohet për dëme apo vështirësi për qytetarët.
Sa i përket energjisë elektrike, raportohet se më këtë qark rreth 600 abonentë kanë probleme me energjinë e elektrike.
Fideri 6, Nënstacioni Librazhd - pjesërisht në punë në zonat Borovë, Stërblevë dhe Zabzun;
Fideri 4, Polis - Nënstacioni Librazhd - pjesërisht në punë në zonat Vilan, Sopot dhe Qafë Dardhë;
Fideri 3, Nënstacioni Gramsh - pjesërisht në punë në zonat Komuna Tunjë, Kushovë dhe Pishaj.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim mbi situatën e motit të keq në gjithë vendin.
Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik. Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.
Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:
Shkodër: rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë; rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë; 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Lezhë: rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll; rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Vlorë: niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.
Durrës: aktualisht situata është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Bashkia Krujë: si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Bashkia Shijak: ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Gjirokastër: si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar; po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore; ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Kukës: lumenj në kuota të larta, por pa problematika aktuale.
Tiranë: rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Korçë: disa rrugë të pakalueshme në Devoll; evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas; në Maliq, sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Berat: rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë; ëshë evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum; në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Fier: rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur; prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra; në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.
Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe mjeteve në terren: në total janë angazhuar: rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura; mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë; 10 gomone/motobarka shpëtimi; 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël. Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura:
- Të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile;
- Të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash;
- Të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse;
- Të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.
Territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, si dhe dëbore në lartësi mbi 700 m.
Më shqetësuese është çarja e argjinaturës së lumit Drojë në krahun e majtë të derdhjes, i cili sjell mbingarkesë në hidrovoret e Drojës dhe Shëllinzës, si dhe rritje të nivelit të ujit në tokat bujqësore në fshatrat e Adriatikut, Fushë Mamurrasit, si dhe fshatrat të njësisë administrative Fushë Kuqe. Si pasojë, dhjetëra familje vijojnë të jenë të izoluara prej katër ditësh, ndërsa niveli i ujit po rritet nga ora në orë.
Banorët shprehen se po përballen me vështirësi të shumta, pasi mungon mundësia e lëvizjes, ndërkohë që situata po rëndohet edhe për shkak të mungesës së bazës ushqimore për bagëtitë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Problem mbeten banesat në afërsi të rrugës Laç-Mamurras, në lagjen nr. 5 Sanxhak dhe fshatit Gjorm, ku janë të rrethuara nga uji 5-6 banesa. Në këtë zonë, një segment rruge prej 200-300 m është i mbuluar nga uji dhe vështirësohet kalimi.
Sot pritet ardhja e mjeteve të FA për të vazhduar punën për riparimin e aksit rrugor Gallatë Vinjollë, në njësinë administrative Milot.
Kuota e lumit Drin ka pasur një rritje me 6 centimetra dhe tani është në lartësinë 1.72 metra.
Në hidrocentralin Qafë Mollë kanë filluar shkarkimet me rreth 201 m³/s, por nuk paraqesin problematika.
Gjatë natës si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, rrjedha e Fanit të Vogël ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore dhe ka dëmtuar dy shtylla të linjës elektrike në fshatin Kodër Rrëshen. Për ndërhyrjen emergjente dhe devijimin e rrjedhës së lumit kërkohet mbështetje me një eskavator me krah të gjatë dhe kamion të tonazhit të rëndë pasi bashkia Mirditë nuk disponon mjete të tilla. Do të vijojë puna për rehabilitim të rrugës në lagjen Preçaj, fshati Simon, si dhe në fshatin Kodër Rrëshen do të ndërhyhet për sistemimin e ujërave sipërfaqsorë pranë planit të rrëshqitjes ku rrezikohet një rrugë lagjjeje.
Në Lezhë raportohet se situata është më e qetë, grupet e punës do të vazhdojnë punën për ndërhyrje në zhbllokime pusetash, kanalesh, largim uji nga bodrumet e pallateve në Lezhë, si dhe largimin e ujit nga rruga Shëngjin Kune.
Në Lezhë, Mirditë e Kurbin procesi mësimor vijon normalisht.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, i ka kërkuar qytetarëve që gjatë këtyre ditëve me mot të keq të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Rama shkruan se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.
Gjithashtu shefi i Ekzekutivit ka treguar qytetet, fshatrat dhe rrugët më problematike të vendit të prekura nga moti i keq, ku veçon zonat e prekura nga dëbora.
Postimi i Ramës:
Gjatë natës, të gjitha njësitë operative në terren, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia kanë qenë në gatishmëri
SITUATA NË AKSET RRUGORE
Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit
Reshje dëbore ka pasur:
Në Rajonin Verior
Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafe Morinë (doganë),Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan -Tropojë-Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli-Peshkopi, Peshkopi-Maqellarë, Hani i Hotit-Dogana Vermosh, Kukes-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë Arrëz, Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fushë Dukagjin.
Në Rajonin Qendror
Surrel Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Kërrabë-Elbasan.
Në Rajonin Jugor
Llogara, Qafë Thanë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovikë.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.
Shmangni lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet tuaja.
Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.
Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.
Në afërsi të zonës së quajtur Guri i Kuq në qytetin e Pogradecit, për shkak të vërshimeve të cilat përroi të Saselishtës, uji ka nxjerrë në rrugën kryesore aluvione për shkak të gërryerjeve duke bllokuar njëkohësisht edhe njërën prej tubave shkarkuese në liqen.
Aktualisht, njëra prej korsive të mjeteve në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë është e bllokuar si pasojë e inerteve dhe ujit që ka dalë në rrugë.
Në vendngjarje ndohen 2 eskavatorë te cilët po bëjnë të mundur normalizimin e situatës.
Edhe qarku i Beratit është përfshirë nga moti i keq. Aktualisht bëhet me dije se në këtë bashki për shkak të prurjeve intensive ka dëmtim në një pjesë të argjinaturës në fshatin Velabisht, në skarpatin e rrugës afër urës së fshatit Bilçë. Rreth 230 ha toka bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit
Në njëasinë administrative Velabisht dhe njësinë administrative Otllak, 4 banesa me prezencë uji, 1 kopsht fëmijësh dhe 1 qendër shëndetësore në Otllak, si dhe 7 stalla bagëtish, dhe 8 ha serrë.
Në bashkinë Dimal, ka përmbytje të 15 banesave në lagjet Dafina dhe Gur i Bardhë, përmbytje e shkollës Muhamer Janina. Tokat bujqësore në fshatin Çiflik gjithashtu janë nën pushtetin e ujit.
Deri më tani janë evakuar rreth 6 familje dhe po vijohet edhe me ndihmen e ushtrisë edhe në lagjen Dafinat për evakuim banorësh.
Në bashkinë Kuçovë ka dalje të lumit Devoll nga shtrati në fshatin Tapi ku ka përmbytur sipërfaqe toke bujqësore.
Për shkak të motit të keq me reshje të dendura shiu, lumi Erzen ka dalë nga shtrati në dy pika.
Për pasojë, janë përmbytur dhjetëra hektarë toke, duke rrethuar banesat në Katund të Ri.
Aktualisht, në zonë janë përqëndruar të gjitha forcat dhe mjetet e emergjencave.
Policia ka larguar këtë të enjte nga zona e Urës së Mifolit tregtarët të cilët dalin çdo ditë të enjte të javës.
Shkak i kësaj mase është rreziku i përmbytjes që vjen nga prurjet e shumta të Vjosës.
Reshjet e dendura gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë qe niveli i lumit Ishëm të rritet sërish gjatë natës. Niveli i ujit nëpër arat e përmbytura, prej 72 orësh vijon të rritet. Mijëra hectare tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë nën ujë, në disa fshatra të ultësirës të rrethit Krujë si: Bilaj, Merqin, Mallkuc, Miliskaj, Gramëz.
Gjendja vijon të përkeqësohet dhe niveli ujit vijon të rritet pasi asnjë nga kanalet kulluese nuk e kryen funksionin, për shkak se kanë mbi tre dekada pa u pastruar.
Banoret shprehen se askush nuk ka shkuar t’i shohë. Ndërkaq, rreth 20 familje janë të izoluara nga uji, kryesisht në fshatin Murqinë, ku dy lagjet fundore të këtij fshati janë totalisht të rrethuar nga uji, ku rruga që lidh këto lagje me pjesen tjetër të vendit, është e mbuluar me ujë, niveli is ë cilës shkon në 50 centimetra.
Ndërkohë, ulja e tempereaturave ka sjellë reshje bore në Malin e Krujës dhe në Malësinë e Krujës. Niveli i dëborës raportohet që të jetë deri në 15 cm dhe ka mungesë të energjisë elektrike në disa lagje të qytetit të Krujës dhe në disa fshatra të rrethit.
Në Qarkun Korçë, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë filluar reshje shiu dhe bore, me intensitet të ndryshëm sipas zonave.
Ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në fshatra të Proptishtit ku po merren masa për hapjen e tyre. Reshjet e shiut po kalojnë në formë llohe/bore në zonë.
Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normal, borëpastrueset janë në terren. Në vendin e quajtur Gropat e Gëlqeres (rreth 5 km nga Erseka, aksi Ersekë–Leskovik) ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës, është vendosur sinjalistika dhe ka shërbim policie. Shërbimet e Rendit po këshillojnë drejtuesit e mjeteve për lëvizje me kujdes.
Në Dardhas, rruga për në fshat është e pakalueshme. Ka mungesë të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë dhe rrëshqitje rruge në Grunjaz. Raportohen probleme në lumin Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit ku qarkullimi është kufizuar në një kalim.
Në Devoll paraqitet situatë më e rënduar në njësinë Proger (fshatrat Proger, Maqurisht, Cangonj, Shyec) për shkak të rritjes së prurjeve.
Në Maliq, lumi Devoll ka dalë nga shtrati në disa pika të argjinaturës në Sheqeras. Në Dunavec niveli është në maksimum, por nuk ka dalje nga shtrati. Në aksin Maliq–Lozhan (Senisht) pati bllokim gjatë natës, u pastrua, por ka batisje dhe rrezik për trupin e rrugës.
Në Mesmal ka rrëshqitje dherash me bllokim të rrugës. Në Lozhan i Lartë ka rënie gurësh dhe aktivizim të rrëshqitjes në Kakaç. Rezervuarët ndodhen nën monitorim, është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot pasi arriti kuotën maksimale. Kanë filluar reshje bore rreth 2 cm.
Në akset Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik kanë filluar reshje bore ku po punohet për pastrim dhe kriposje.
Në Maliq–Kufi Gramsh reshje shiu me rënie gurësh e inertesh dhe po kryhet pastrim.
Në aksin Korçë–Voskopojë është pastruar dhe kriposur. Qarkullimi vijon normalisht.
Në Boboshticë–Dardhë ka reshje bore, mjetet janë në punë për pastrim dhe kriposje.
Në Bilisht–Miras dhe Zemblak–Goricë ka reshje shiu me intensitet të ulët.
Në hidrovorin në Tushemisht vijon puna me 3 pompa (1 pompë jashtë funksionit). Niveli i ujit është i lartë, por situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm.
Rruga për në Denas mbetet problematike nga situata e mëparshme, por niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Kolonjë, prej orës 03:30 kanë filluar reshje bore me intervale.
Në Çërravë, lumi i fshatit ka fryrje të madhe, por nuk ka dëme të raportuara.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të shoqëruara me rrëshqitje dherash dhe përmbytje, 7 familje janë evakuuar nga banesat në gjithë Qarkun e Gjirokastrës.
Në Bashkinë Përmet, situata paraqitet më problematike. Në lagjen “Sede”, për shkak të reshjeve të dendura dhe grumbullimit të inerteve, janë përmbytur 4 banesa, duke detyruar evakuimin e 4 familjeve. Prej tyre, 3 familje janë sistemuar nga bashkia në një konvikt, ndërsa 1 familje është strehuar tek të afërmit.
Në bashkinë Gjirokastër, lagjja Manalat, një familje është evakuuar gjate natës për shkak të rrëshqitjeve dhe është sistemuar tek të afërmit. Po ashtu, në fshatin Labovë, rrëshqitjet e dheut kanë prekur dy banesa.
Sakaq, moti i keq ka shkaktuar problematika të shumta në rrugët nacionale e rurale.
Aksi nacional Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, vazhdon të jetë i kalueshëm vetëm me një sens.
Zonat e prekura nga permbytjet jane dhe pa energji elektrike.
Gjatë natës në aksin Hani Hotit-Dogana Vermosh ka patur reshje dëbore në lartësi mbi 1000 m me rreth 15 cm. Për tani, reshjet kanë pushuar. Grupet e punës vazhdojnë pastrimin dhe kriposjen e aksit.
Gjatë natës ka patur reshje dëbore edhe në aksin Bogë-Theth, por janë marrë masat për pastrimin e borës dhe kriposjen e rrugës.

Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, situata në Novoselë po rëndohet, duke sjellë rrezik për banorët e zonës dhe pronat që ata kanë.
Përmes një njoftimi, Bashkia e Vlorës thotë se janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhen në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.
Bashkia u bën thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.
Në Llogara kanë filluar reshjet e dëborës. Aktualisht ka nisur puna me dy borëpastruese për pastrimin dhe mbajtjen hapur të aksit rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me kujdes dhe të jenë të pajisur me goma dimërore.
Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit nën reshje dëbore, me intensitet nga i ulët në mesatar. Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.
Aktualisht, në Qafë Thanë po punohet me disa mjete borëpastruese për kriposjen e rrugëve, ndërsa e njëjta situatë po zhvillohet edhe në zonat e tjera të Korçës. Deri më tani nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve, pavarësisht se reshjet e dëborës vijojnë.
Lagja "Sede" është përmbytur në Përmet, si pasojë e motit të keq, me reshje të dendura shiu.
Disa banesa kanë prezencë uji, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Vendi ynë edhe sot do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit deri në orët e mesditës.
Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra në zonën e qendrës dhe jug. Pas orëve të mesditës reshjet e shiut mbeten prezente me intensitet të ulët deri në orët e pasdites në qendër dhe jug.
Në zonën e Alpeve reshje bore me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës stuhi bore, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 300-400 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mestar.
Ndërsa në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 400-500 metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit.
Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.
Pas dy ditëve me reshje të dendura shiu në qarkun e Kukësit, kanë nisur reshjet e dëborës, me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht në zonat e thella malore. Shiu i ka lënë vend borës, e cila ka sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Në qytetin e Kukësit, bora nuk ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim. Ndërkohë, reshjet e borës janë mesatare në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e saj ka kaluar rreth 10 centimetra. Subjektet kontraktore kanë vijuar punën me kapacitet maksimal për pastrimin e borës, inerteve dhe kriposjen e rrugëve nacionale. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Po ashtu, aksi Morinë–Kukës–Tuneli i Kalimashit i Rrugës së Kombit mbetet i hapur dhe i qarkullueshëm. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit është e angazhuar në pastrimin e autostradës, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren për të mbajtur hapur këtë arterie të rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullim apo në furnizim, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, veçanërisht në akset malore. Bashkitë, me kapacitetet e tyre, po punojnë për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet e shiut në infrastrukturë. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç njësive administrative Bicaj dhe Ujmisht në Bashkinë Kukës, ku ende vijon puna për rikthimin e energjisë.
Procesi mësimor në shkollat e Bashkisë Kukës po zhvillohet normalisht dhe me ngrohje në klasa. Ndërkohë, mësimi nuk zhvillohet në shkollat e Topojanit, Shishtavecit dhe Orgjostit, ku për shkak të bllokimit dhe ngricave në rrugë, si edhe distancave të largëta ndërmjet shkollës dhe vendbanimeve, sot nuk është e mundur zhvillimi i procesit mësimor.
Lumi Buna në Shkodër ka pësuar rritje të nivelit të ujit, por fatmirësisht, kjo nuk e zgjeron sipërfaqen e përmbytur.
Ndërsa në Drin, niveli i ujit ka rënë si pasojë e uljes së shkarkimeve.
Zona e Obotit sërish nuk kalohet me mjete të vogla. Pritet përmirësim i situatës, pasi në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.
Rreth 200 hektarë tokë bujqësore është përmbytur në Kashisht, Adë, Kafaraj, Çerven dhe Ferras të Fierit.
Prezencë të lartë të ujit ka në 27 banesa në Ferras-Çerven, të cilat ndodhen brenda argjinaturës.
Ndërkaq, prezencë të ujit ka edhe në Stacionin e Pompimit të Kafaraj, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Kjo për shkak të prurjeve të lumit Vjosë.
Të dhënat e mara nga pikëmatja në urën e Memalijt, tregojnë për përkeqësim të situatës në orët në vazhdim.
Komente











PASTRIMI I KANALEVE...VENDOSHA E BLLOQEVE TE BETONIT...GUREVE ANES LUMEJVE DHE MBJELLJA E PEMEVE BEHEN NE VERE....DHE JE GATI PER DIMRIN.....POR QEVERIA NUK BEN ASGJE NE VERE...DHE PERBYTJA KRIJON MILIONA EURO DEM.....KUSH MBAN PERGJEGJESI..ASNJE...AS QEVERIA .AS BASHKITE....KESHTU DO SHKOJME NE NE EUROPE....ASNJEHERE....
PërgjigjuBravo Dom Gjakmarkaj e zgjidhe situaten në Torovic! Torovics sikur njerëzit të urinojnë Torovics mbytet mo toc!
PërgjigjuVENDOSNI BLLOQE ME GURE DHE BETON ANES LUMEJVE QE UJI TE MOS GERRYEJE TOKE BUJQESORE..PO ASTU MBILLNI PEME ANES LUMEJVE....PEMET NUK LELOJNE GERRYERJEN E TOKES NGA LUMI.....
Përgjigju