Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu është shprehur se Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të Mbrotjes së vendit, një veprim që po ndërmerret nga shumë shtete kudo në botë..
Komentet Vengu i bëri në një deklaratë për mediat, ku tha se do të ketë rritje të pagave të ushtarakëve, rritje të numrit të personelit ushtarak dhe mjete të reja për Forcat e Armatosura, me qëllim përafrimin me standardet e NATO-s.
Po ashtu Vengu shtoi se Shqipëria do të fillojë të prodhojë armë vetë, duke nisur nga armatimi i lehtë dhe municioni ushtarak (të cilat pritet të prodhohen nga kompania KAYO), e deri tek prodhimi i anijeve në Pashaliman, nëse arrihet marrëveshje me kompaninë e mirënjohur italiane.
“Paqja dhe stabiliteti nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, përkundrazi kërkojnë investime dhe përgatitje të përditshme. Realiteti i ri trupëzohet shpesh edhe në rishikimin e dokumentave strategjikë të mbrojtjes, ku edhe vetë Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të mbrojtjes. Të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme që strukturon në njëfarë mënyre një lloj lufte të re të ftohtë. Pse e përmend këtë? Sepse Europa Jug-lindore pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global, por nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor, jo për tanke, por për influenca, narrtiva, dezinformim dhe ndërhyrje hibride.
Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12 %. Synojmë që në vitin 2029 të arrijmë nivelet e NATO-s. Rritja parashikon një rritje progresive, 60-70 % për pagat bazë dhe 30 % për nivelet më të larta të komandimit. Po ashtu synojmë rritjen me 30 % të komponentit aktiv. Vitin e kaluar kemi pasur 721 rekrutë të rinj. Akademia e FA është pika nevralgjike e kësaj politike. Viti 2026 do krijojë një kuadër ligjor më të mirë. Kemi një fluks rikthimesh në FA dhe tani FA është një forcë që tërheq gjithmonë e më shumë.
Kemi një rikthim të gadishmërisë ajrore, një rikthim të gadishmërisë së mjeteve helikopterë. Në forcën detare kemi një rritje të flotës. Kemi 2 mjete që na janë shtuar dhe një mjet i ri vjen me investim 9 milionë euro po nga aleatët italianë. Sistemet Javelin do i prezantojmë javën që vjen. Në 2026 shtojmë sisteme artilerie dhe sistemet e para kundër-ajrore pas një mungese të gjatë.
Kompania shtetërore Kayo ka nënshkruar në 2025 6 marrëveshje për prodhimin e armatimit të lehtë dhe jemi në negociatë me gjigandin italian Ficantieri për prodhimin e nijeve në Pashaliman. Për mbrojtjen civile do kemi dy baza rajonale, një për veriun e vendit dhe një për jugun e vendit", tha mes të tjerash Vengu.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u është përgjigjur ashpër akuzave të opozitës, lidhur me kompaninë shtetërore KAYO, e cila parashikon prodhimin e mjeteve ushtarake.
Duke i cilësuar përfaqësuesit e PD-së si aksionerë të Gërdecit (ku nga shpërthimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë), Vengu tha se nuk e shqetëson fakti që ata nuk dinë çfarë është ‘shteti aksioner në industri’.
“Industria ushtarake, pashë që u reflektuan këtu disa kritika që vijnë shpesh herë prej opozitës dhe përfitoj nga pyetjet tuaja që t’u përgjigjem përfaqësuesve të saj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk më shqetëson fakti që aksionerë të Gërdecit të mos kuptojnë se çfarë është shteti aksioner në industri. Nuk më shokon fare kjo. Atë që dua t’ju them këtu është se kompania KAYO është një kompani holding 100 % shtetërore që nuk bën partneritete me indivitë, por bën partneritete institucionale bazuar në ato shtyllat e përparësisë së mbrojtjes dhe politikës së mbrojtjes që ka shteti shqiptar”, tha mes të tjerash Vengu.
Ministri Pirro Vengu ka zbuluar detaje nga marrëveshja trepalëshe në fushën e Mbrojtjes, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke thënë se të tre shtetet kanë nevoja të përbashkëta për rritjen e sigurisë.
Kujtojmë se kjo marrëveshje mes tre vendeve është kundërshtuar ashpër nga Serbia, e cila përmes përfaqësuesve zyrtarë e cilësoi si agresion ushtarak.
“Patjetër kam vënë re një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd, qoftë mediatike, qoftë politike. Marrëveshje Shqipëri-Kroaci-Kosovë është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë pse jo, që Serbia nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit, është e rëndësishme, atherë pse jo edhe Serbia t’i bashkangjitet kësaj iniciative. Nuk kam marrë përgjigje për këtë ftesë.
Ajo që mund të them është se Shqipëria, Kosova, Kroacia, kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, apo akademik-arsimor, të bashkëpunojnë. Me kosovën kemi një dakordësi përsa i përket prodhimit të mjeteve të blinduara. Kjo vjen për dy arsye. E para sepse lexojmë kërcënimet dhe rreziqet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje përsa i përket kësaj pjese, e treta mikpresim edhe vende të tjera të na bashkangjiten.
Është një partneritet i hapur. Por nuk jemi në situatat e garancive të mbrojtjes. Ne kemi arkitekturën tonë të sigurisë kolektive, por kemi vënë re që të treja vendet kanë nevoja të ngjashme, përsa i përket rritjes së kapaciteteve. Janë në një marrëveshje për të marrë secila më të mirën nga tjetra, përsa i përket industrisë ushtarake. Kroacia është vend lider në Europë përsa i përket dronëve të vegjël ushtarakë. Sikundër edhe ne synojmë që në kuadër të mjeteve të blinduara të krijojmë një epërsi dhe pse jo edhe të nisim të eksportojmë”, vijoi Vengu.
Komente








