Shqipëria po zvogëlohet, jo në aspekt territorial por në atë demografik. Numri i banorëve ka rënë sërish, ndërsa vendi po përballet me një trekëndësh shqetësues: më pak lindje, më shumë emigrim dhe një popullsi që po plaket me ritme të shpejta.

Instituti i Statistikave thotë se në 1 janar të këtij viti në vend jetonin 2.335.930 banorë, në rënie me 1,1 %, krahasuar me 1 Janar 2025, dhe duke u tkurrur me mbi 66 mijë banorë bazuar në rezultatet e CENS 2023.

1780406808_po9pullsiaeshqiperise.jpeg

Shifrat tregojnë se me përjashtim të qarkut të Tiranës, që ka një rritje të lehtë me 0.7%, të gjitha qarqet e tjera të Shqipërisë janë me ulje të popullsisë, ku situata më problematike është në Kukës dhe Shkodër.

Vendi po ‘rrudhet’ për 2 shkaqe kryesore thotë INSTAT. Ulja e lindshmërisë, pasi vjet u regjistruan vetëm 1.147 lindje më shumë se vdekje, pasi gjatë 2025-ës erdhën në jetë 22,541 bebe dhe humbën jetën 21,394 persona.

Së dyti është emigrimi, dhe shifrat e INSTAT tregojnë se janë 28.531 persona që janë larguar gjatë kësaj periudhë. Largimi i krahut të punës përkthehet në një barrë të madhe për ekonominë, efekte që po ndjehen prej vitesh tashmë. Biznesit i mungojnë punonjës, është shtuar kostoja e punës, ekonomisë i mungon konsumi dhe kontributet e mjaftueshme për skemën e pensioneve.

1780406790_rendiaepopullsise.jpeg

Por është dhe një faktor i tretë, plakja e popullsisë me ritëm të shpejtë. Sipas raportit mosha mesatare e popullsisë në vend u rrit në 45 vjeç thuhet në raport nga 44,3 vjeç që ishte vjet. Për shkak të këtyre lëvizjeve demografike në raport thuhet se 35.7% e popullsisë është mbi 65 vjeç.

Plakja e popullsisë është kambanë alarmi për skemën e pensioneve, deficiti i të cilës mund të thellohet më tej, për shkak të shtimit të të moshuarve dhe uljes së kontributeve.