Shqipëria vijon të regjistrojë rritje të hyrjeve të shtetasve të huaj edhe pas muajve kryesorë të sezonit veror. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, në vend janë regjistruar 10.7 milionë hyrje të të huajve, 4.9% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, edhe shqiptarët kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit, me një rritje të daljeve prej 6.6% vetëm gjatë shtatorit.
Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari deri në shtator 2026 janë regjistruar gjithsej 17.4 milionë hyrje në Shqipëri, nga të cilat 10.7 milionë i përkasin shtetasve të huaj dhe 6.7 milionë shtetasve shqiptarë.
Krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2025, hyrjet e të huajve janë rritur me 4.9%, ndërsa ato të shqiptarëve me 6%.

Edhe muaji shtator ka shënuar rritje të lëvizjeve në kufi. Gjatë këtij muaji, në Shqipëri kanë hyrë rreth 2 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, 3% më shumë se në shtatorin e vitit të kaluar.
Nga këto, 1.28 milionë ishin hyrje të shtetasve të huaj, me një rritje prej 2.1%, ndërsa 737 mijë ishin hyrje të shtetasve shqiptarë, 4.5% më shumë se një vit më parë.
Nga ana tjetër, shqiptarët kanë shtuar edhe udhëtimet jashtë vendit. Vetëm gjatë shtatorit janë regjistruar gati 823 mijë dalje të shtetasve shqiptarë, 6.6% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Në total, gjatë nëntë muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 17.5 milionë dalje nga Shqipëria, prej të cilave 6.8 milionë nga shtetas shqiptarë dhe 10.6 milionë nga shtetas të huaj.
Ndërkohë, në shtator daljet e shtetasve të huaj arritën në 1.3 milionë, duke shënuar një rënie prej 2.8% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Në total, daljet nga vendi gjatë këtij muaji arritën në 2.1 milionë, me një rritje prej 0.6%.







Komente
Komento