Shqipëria ka pësuar një 'hemoragji demografike' prej emigracionit duke humbur brenda një viti mbi 18 mijë persona të moshës 15–29 vjeç, ose –4.32% të kësaj grupmoshe.

Këtë e pretendoi të enjten Sekretarja për Rininë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj, në një komunikatë për mediat.

Duke cituar të dhënat e Eurostat, ajo deklaroi se tkurrja që ka pësuar popullësia e Shqipëisë është katër herë më e lartë se ajo e Serbisë dhe e përshkroi emigrimin masiv të të rinjve si një votë mosbesimi ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Veç të tjerash, ajo paralajmëroi për pasoja të rënda edhe për sistemin e pensioneve nga plakja e shpejtë e popullsisë.

Deklarata për mediat e Partisë së Lirisë

“Shqipëria po përballet me një hemorragji demografike  që tejkalon çdo mesatare europiane dhe ky është fakt . Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe të rinisë në gjithë Europën. Vetëm brenda një viti, vendi ka humbur mbi 18 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, një tkurrje dramatike prej –4.32%, katër herë më e lartë se Serbia dhe shumëfish mbi mesataren rajonale. Kjo është një hemorragji kombëtare, jo statistikë. Një qytet i tërë me studentë, profesionistë dhe energji të re po ikën çdo vit. Ndërkohë që vende si Spanja, Rumania dhe Bullgaria po rrisin numrin e të rinjve, Shqipëria po i dëbon me axhendë. Ndërkohë që Gjermania dhe Italia rrisin popullsinë e re, qeveria shqiptare po i furnizon ato me kapital njerëzor falas. Kjo qeveri ka dështuar në çdo front, ka dështuar të krijojë punë dinjitoze

Ka dështuar të garantojë arsim cilësor dhe perspektivë. Ka dështuar të ofrojë siguri ekonomike dhe sociale. Ka dështuar të mbajë rininë në vendin e vet. Emigrimi masiv i të rinjve nuk është zgjedhje individuale, është votë mosbesimi ndaj qeverisjes. Pasojat janë katastrofike: Bizneset nuk gjejnë staf; Sistemi i pensioneve po shkon drejt kolapsit; Shqipëria po plaket me ritmin më të shpejtë në Europë; Zhvillimi afatgjatë po bëhet i pamundur. Kjo nuk është krizë ballkanike, por është krizë shqiptare, e prodhuar nga korrupsioni, mungesa e vizionit dhe keqqeverisja.

Qeveria nuk mund të fshihet më pas propagandës. Numrat flasin qartë, po humbim brezin që duhej të ndërtonte të ardhmen e këtij vendi. Politikat urgjente për mbajtjen dhe rikthimin e të rinjve. Mbështetja reale për punësimin dhe sipërmarrjen rinore. Fundi i korrupsionit që po i detyron të rinjtë të largohen. Përgjegjësia politike për këtë dështim historik. Duhet të jenë fokusi i kësaj qeverie të dështuar. Sepse një vend pa rini është një vend pa të ardhme. Dhe Shqipëria nuk mund të lejohet të shndërrohet në një vend pensionistësh të varfër dhe të rinjsh emigrantë."