Shqipëria, prezantim i trishtuar në panairin e librit për fëmijë në Bolonjë

Shqipëria, prezantim i trishtuar në panairin e librit për fëmijë në Bolonjë

Prezantimi i Shqipërisë në panairin e Bolonjës me rafte bosh

Është mbajtur edicioni i 56-të i Bologna Children’s Book Fair 2019, panairi më i madh ndërkombëtar i librit për fëmijë dhe adoleshentë. Në qytetin italian që gjatë këtyre ditëve shndërrohet në një epiqëndër kulturore ndërkombëtare, vazhdojnë ekspozitat, takimet dhe aktivitetet e nisura në kuadrin e tij.

I ftuar nderi për këtë vit është zgjedhur Zvicra, e cila ka organizuar një sërë nismash dhe takimesh në Panair dhe jashtë tij. Aktiviteti më i rëndësishëm për vendin e nderit mbetet ekspozita tradicionale që ka paraqitur punën e 26 ilustruesve të përzgjedhur nga një juri e këtij vendi. E titulluar “Abc-ja e Zvicrës”, espozita ka paraqitur autore te rinj dhe te vjeter të cilët kanë publikuar të paktën një libër në tre vitet e fundit.

Përveç kritereve të cilësisë, autorët janë përzgjedhur duke u mbështetur në  katër gjuhët kombëtare të këtij shteti, të prezantuar në mënyrë të barabartë: frëgjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe “romancio”. Kjo e fundit është një gjuhë shumë e përafërt me atë të përdorur në veri të Italisë, një përzierje e gjuhës së përdorur nga banorët rreth maleve të mrekullueshme të Dolomiteve dhe të banorëve të krahìnës së Friulit.

26 ilustrues të prezantuar përmes 26 shkronjave të alfabetit qs respektojnë edhe 26 kantonet, simbole të individualitetit shumëngjyrëshëm të këtij shteti, të bashkuar për të krijuar imazhin artistike të Zvicres.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur veprat e rreth 30 shtëpive botuese që publikojnë libra për fëmijë dhe të rinj, 12 prej të cilave të specializuara vetëm për fëmijë dhe adoleshentë. Ambienti klasik i librave për fëmijët zvicerianë është ai nostalgjik i lidhur ngushtë me malet. Jo më kot, figura më e njohur e librave për fëmijë të këtij vendi është Heidi, e shkruar në 1880 nga pena e autores Johanna Spyri. Në të gjithë botën janë  publikuar rreth 50 milionë libra me personazh vogëlushen jetime të rritur në mal nga gjyshi paksa i vrazhdë, me zemër të madhe.

Nga të dhënat e freskëta të organizuesve të Panairit, këtë vit është shënuar një 5% më shumë i publikut vizitues.

Eshtë shumë e rëndësishme klima shumëkulturore që ndihet në këtë panair, një klimë kjo që dallon nga ajo politike e shoqërore që ndihet gjatë këtyre viteve të fundit në të gjithë botën. Për këtë arsye janë zhvilluar edhe një sërë takimesh ku janë prezantur e është folur shumë për librin që mund të ndihmojë në integrimin si të personave me disabilitet ashtu edhe per emigrantët që udhëtojnë nga vendet me luftë apo probleme ekonomike.

Edicioni i ardhshëm i Panairit do të zhvillohet në 2020 nga 30 mars në 2 prill, me vendin e nderit që është përzgjedhur si përfaqësues i vendeve arabe, Sharjah. Programi i tij që do të prezantojë ilustruesit dhe autorët më të mirë të Emirateve Arabe do të deklarohet gjatë panairit të Sharjah International Book Fair, nga 30 tetor deri më 9 nëntor 2019.

Një nga risitë e deklaruara për edicionin e ardhshëm të Bologna Children’s Book Fair do të jetë dhe një ambient i dedikuar krejtësisht për fumetin dhe novelat grafike per të rinjtë.

Shqipëria në panair me rafte bosh
Shqipëria këtë vit është prezantuar me përfaqësues të saj: Shtëpitë Botuese Toena, Dudaj dhe Zambaku. Është hera e parë që ndeshem me rafte përfaqësuese të Shqipërisë në këtë panair, me nga një tavolinë të dedikuar në një ambient të përbashkët me të tjera shtëpi botuese nga e gjithë bota. Lajmi duhet të ishte i lumtur dhe shpresëdhënës, pasi dy prej tyre janë shtëpi botuese të mëdha dhe mëse të njohura në Shqipëri. 

Mjafton të shohësh fotot për të kuptuar varfërinë e prezantimit të këtyre tre përfaqësueseve shqiptare, në një ambient ku libri është në vendin e nderit. Libri i prekur, i fotografuar, libri të cilit ndoshta nuk i kupton gjuhën, (por ky fakt është një vogëlsi përballë universalitetit të objektit) libri mungonte në këto rafte. Ashtu si dhe përfaqësuesit e këtyre tre shtëpive botuese.

Nuk dihet nëse këta të fundit ishin shkëputur për të vizituar panairin, personi në tavolinën e informimit të këtij ambienti u përgjigj se “kanë ikur” pa ditur të japë shpjegime të mëtejshme, ndërsa përfaqësues të tjerë të tavolinave përqark ishin ende të pranishëm, me libra të shumtë në duar e nëpër rrafte. Nga shtëpitë botuese përkatëse, do të dinë të japin më shumë hollësira.

Ne jemi një vend me shumë rini dhe fëmijë, me një të shkuar jo shumë të suksesshme politikisht por me një bibliotekë në çdo lagje. Lexonim, shkëmbenim librat, diskutonim mbi autorët e përbashkët…

Nuk jetoj më në Shqipëri, por një nga gjërat që nuk harroj asnjëherë të bëj sa herë që kthehem është të shëtis nëpër libraritë e kryeqytetit. Në botimet e mirëfillta shqiptare, gjenden me vështirësi botime me  cilësi, jo vetëm nga ana e tregimit apo e gjetjeve interesante të titujve dhe të temave, por edhe përsa i përket formatit, ilustrimeve, cilësia e librit shqip ka shumë për t’u përmirësuar, ndërsa botimet e huaja të përzgedhura janë vërtet të freskëta dhe të shumta.

Marrja pjesë në një panair të rëndësishëm si ai i Bolognas, ku mjafton të shëtisësh nëpër korridoret e pavionëve të shumtë italianë dhe ndërkombëtare (mbi të gjitha, pjesa ndërkombëtare) të ndihmon të zgjerosh horizontin, të njihesh me teknika të reja që rinovohen çdo vit në këtë karousel të kulturës mbarëbotërore të librit. Pavionët më interesanteë dhe më të vizituar janë pikërisht ato të vendeve më të largëta apo më të panjohura artistikisht ; Kina, Irani, Sllovenia, Korea kanë pavione që duken si ekspozita arti.

Shqipëria ka nevojë të rinovojë jo vetëm botimet e saj e të ngrejë cilesinë, por mbi të gjitha të krijojë lexues. Sot, me teknologjitë e reja bëhet gjithmonë e më i vështirë, tërheqja drejt librit dhe dëshira për të krijuar lexues të rinj duhet të vijë edhe nga shtëpitë botuese.

Në Bologna, javën e shkuar, shtëpi botuese të rëndësishme si ajo Toena apo Dudaj e Zambaku, kanë humbur mundësinë e prezantimit dinjtoz të vendit që përfaqësojnë.

Fituesit e edicionit të 56-të të BCBF 2019
Fituesi i çmimit letrar ndërkombëtar “Astrid Lindgren” për vitin 2019 është belgu Bart Moeyaert, i lindur në vitin 1964. Autori ka marrë çmimin me motivimin “gjuha e dëndur muzikore e Moeyaert vibron nga ndjenja të heshtura dhe dëshira të pashprehura. Drita e artit të Bart Moeyaert na kujton se librat për fëmijë dhe të rinj zënë vendin e merituar në letërsinë botërore”.

Autori belg ka një prodhim të shumëfishtë që përfshin rreth 50 tituj nga librat e ilustruar në librat poetikë për fëmijë dhe adoleshentë, vepra teatrale, tekste këngësh, skenarë televizivë dhe libra kritikë të përkëthyer në 20 gjuhë të botës.

Autorja italiane Sarah Mazzetti është fituese e Cmimit Ndërkombëtar të Ilustrimit të Bologna Children’s Book Fair – Fundación SM, i cili këtë vit ka regjistruar fituesen e dhjetë, nën moshën 35 vjeç. Italiania është prezantuar me 5 borde grafikë të marrë nga libri “Bizhuteritë e Elsës”, të publikuar nga shtëpia botuese “Canicola”, ndërsa është vlerësuar për “zotësinë në ndërtimin e urave mes tregimit, artit grafik dhe fumeteve”.

Për këtë ekspozitë kanë kandiduar 2901 artistë nga 62 vënde të botës, me 14.505 vizatime të përzgjedhura nga një juri ndërkombëtare.

Në panair është ndjekur me interes edhe ekspozita e 76 artistëve të përzgjedhur nga 27 vendet e botës.

Cmimi më i rëndësishëm Italian i dhënë në këtë panair është ai “Strega” që përzgjidhet e votohet  nga rreth 1000 fëmijë dhe të rinj të moshës nga 6 në 15 vjeç, të marrë nga 100 shkolla italiane dhe nga grupet e leximit të bibliotekave nëpër të gjithë territorin italian.

Çmimin Strega për kategorinë e moshës 6 vjeç + e fitoi autori Luca Doninelli me librin “Tre çeshtje per hetuesin Ëickson Alieni” nga shtëpia botuese Bompiani.

Guido Sgardoli është  fitues i çmimit Strega për kategorinë nga 11 vjeç e lart me një nga romanet horror më të lexuar dhe të komentuar të vitit të shkuar, “The Stone. Guri i shtatë”, i publikuar nga shtëpia botuese Piemme.

Ky është edicioni i katërt i dhënies së këtij çmimi për librin për fëmijë dhe adoleshentë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • libri: 08/04/2019 18:48

    Sa e tmerrshme. Kujtojne se nuk i sheh njeri dhe shkojne bejne shopping apo hane e pine andej. Njerez te paafte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

'Të monitorohet furnizimi me karburant!' Ministri i Financave Malaj inspektim në Porto Romano! Gazheli: Viti do mbyllem 700 mijë tonë karburant të importuar

'Të monitorohet furnizimi me karburant!' Ministri i Financave Malaj inspektim në Porto Romano! Gazheli: Viti do mbyllem 700 mijë tonë karburant të importuar