Avokatët duhet të ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta, ndërsa shteti merr përsipër të hetojë rastet kur ata kërcënohen apo sulmohen për shkak të punës së tyre. Këto janë disa nga detyrimet që Shqipëria merr përsipër pas ratifikimit sot në Kuvend të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë ndërkombëtare me fuqi detyruese që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së këtij profesioni.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një videoje të shpërndarë, ka shpjeguar pesë detyrimet që shteti shqiptar merr përsipër me ratifikimin e Konventës.
Sipas tij, avokatët duhet të kenë mundësi të takojnë klientët, të njihen me dosjet dhe të marrin pjesë realisht në proceset ku i përfaqësojnë. Gjithashtu, komunikimi mes avokatit dhe klientit duhet të mbetet konfidencial.
Konventa parashikon edhe të drejtën e avokatëve për t'u shprehur lirisht, por me përgjegjësi, si dhe detyrimin e shtetit për të hetuar seriozisht rastet kur ata kërcënohen apo sulmohen për shkak të profesionit.
Një tjetër pikë është pavarësia e dhomave të avokatisë, të cilat duhet të jenë vetëqeverisëse.
Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars 2025 dhe u hap për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj të po atij viti. Shqipëria e nënshkroi në Strasburg në qershor 2026, ndërsa qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin në korrik. Komisioni i Ligjeve e shqyrtoi më 6 tetor.
Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do të njoftojë institucionet për detyrimet që rrjedhin nga Konventa.
Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria do t'i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë për të parë nëse ligji për avokatinë, Kodi i Procedurës Penale dhe aktet nënligjore janë në përputhje me standardet e Konventës.
Kjo analizë do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Lajmi kryesor:
Nga ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të ‘Territoriales’ te emërimi i Pirdenit si ministre e Administratës Publike, projektligjet dhe projektvendimet e miratuara sot në Kuvend






