Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i është përgjigjur deklaratave të kreut të PD-së në Greqi, Andreas Loverdhos, i cili pasi takoi kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri në burg, u shpreh se “Shqipëria s’ka më shanse në BE”.

Ministri Balla u shpreh se është keqardhje e madhe që po politizohet një proces gjyqësor dhe se drejtësia e re kërkon mbështetje.

“Është një keqardhje e madhe politizimi deri në këtë nivel i procesit gjyqësor dhe ju e dini fare mirë që ne nuk i komentojmë asnjëherë vendimet e gjyqësorit.

Nuk e kemi bërë këtë as për raste të kolegëve të mi, grupit parlamentar apo përfaqësuesve të PS, pasi ajo që duhet të kemi në vëmendjen është që  drejtësia e re kërkon mbështetje dhe duhet ua ofrojmë gjithmonë”, ka thënë Balla.

Beleri është dënuar me dy vite burg për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit. Këto deklarata Balla i ka bërë pas ceremonisë së rivitalizimit të bustit të futbollistit legjendar fierak Kujtim Majaci.