‘Shqipëria turistike’/ Reportazh në Rubik, me kishën 900-vjeçare dhe 'Katundin e Vjetër', turistët: Është shumë bukur, ngjitje në mal, shëtitje në ajër të pastër dhe gatime të shijshme

Rubiku identifikohet me kishën e Shëlbuemit, monument kulture i kategorisë së parë, me vlera të jashtëzakonshme historike, rikonstruktuar kohët e fundit.

Objekti i kultit lartësohet prej shekujsh mbi një shkëmb të bardhë monumental, duke ofruar një panoramë të rrallë me luginën e Fanit dhe malet përreth.

Nga Tirana në Rubik shkojmë për më pak se një orë. Duke udhëtuar në Rrugën e Kombit, sapo kalon Urën e Zogut, mbërrijmë në qytezën që në sistemin e kaluar ishte e përmendur për metalurgjinë dhe uzinën e bakrit, ndërsa tashmë këtu po zhvillohet me sukses agro-turizmi.

Ndalesa jonë e parë në kishën 900-vjeçare e Shelbuemit, që thërret të gjithë qytetarët jo vetëm në kohë festash, por sa herë e ndjejnë të luten për një jetë më të mirë.

Arkitektura e kishës së Shëlbuemit, absida dhe afresket e stilit bizantin dëshmojnë qytetërimin e hershëm, që shkon deri në fillimet e mijëvjeçarit të dytë, shekulli XII. Por nëse doni të dini më shumë si ka qenë jeta në këtë trevë mjafton të shfletoni romanin "Lule" dhe "Ditar Shqiptar" të Fabian Barkates, klerikut franceskan austriak, i cili ka shërbyer në Rubik në vitet 1900.

Ne vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt fshatit të vogël piktoresk, që ndodhet vetëm 4 kilometra nga kjo kishë. Resurset natyrore i kanë shfrytëzuar më së miri banorët e Katundit të Vjetër duke ngritur bujtina e restorante të frekuentura.

Tek Bujtina "Dini" takojmë Arielin, një i ri që ka lënë punën si ekonomist për të zhvilluar agro-turizmin në kullën e të parëve.

"Më ka lindur si ide, duke qenë se të parët e mi kanë lindur këtu. Mendova të ndërtoj bujtinën në shërbim të mikpritjes për turistë. Katundi i Vjetër ka një histori të veçantë për shtëpinë e vjetra që tani janë kthyer në struktura akomoduese. këtu turistët mund të bëjnë hiking. Numri i turistëve është rritur kryesisht vendas, por vijnë edhe shumë të huaj gjermanë, polakë dhe çekë", tha Arjel Marku, Administrator i Bujtina "Dini".

Zhvendosemi në brendësi aty ku Arieli na prezanton me gatimet tradicionale të Mirditës.

"Mishi i derrit që thahet në natyrë, djathë dhie që e marrim nga banorët e zonës, bukë misri, byrek me kungull dhe byrek me rena, patate e mbushur dhe shumë gatime të tjera", tregon ai.

Numri i turistëve të huaj e vendas ka ardhur në rritje. Arsyen pse duhet ta vizitojmë Katundin e Vjetër na e thonë vetë ata.

"Vijmë nga Tiranë, nuk është hera e parë, prej 4-5 vitesh vijmë rregullisht gjatë fundjavave. Në pëlqen natyra, është freskët, qetë, njerëzit janë mikpritës", tha një pushuese.

'Është ambient i mrekullueshëm, pastërtia, natyra. Fëmijët janë kënaqur duke ecur në luginën e lumit. Në të gjitha lokalet në këtë luginë ka shumëllojshmëri gatimesh me prodhime të vendit. Mishi gatuhet mire, ushqimi është bio, kjo bujtina na e mundëson këtë', shprehet një tjetër vizitore.

Katundi i Vjetër dhe Rubiku në tërësi është një ftesë, për të gjithë të apasionurit pas natyrës, historisë dhe gastronomisë, që ta vizitojnë të paktën njëherë dhe rikthimi është i pashmangshëm.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edmond( koder rreshen): 25/07/2022 14:25

    Biznesi ka si paresor fitimin,dhe nganjeher te ben te paskrupullt,duke humbur shum nga karakteri,por tek Djaloshi qe foli per lokalin dhe zonen e tij, te binte ne sy modestia dhe edukata me thenien e tij : Mendoj se gatuajm mire ? Bravo Djalosh,se vleresimin e degjum nga klientet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë