20 qendra të reja pritjeje për emigrantët e paligjshëm do të ndërtohen në Shqipëri, të shpërndara në 3 qarqe kryesore të vendit, Korça, Gjirokastra dhe Vlora.

Këto qendra të reja pritet ngrihen gjatë periudhës 2026-2028 dhe parashikohet të akomodojnë emigrantë që kryesisht vijnë nga vende të pasigurta apo në krizë si Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani apo Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si një vend-kalimi tranzit me destinacionin final vendet e Bashkimit Evropian.

Në dokumentin e depozituar tashmë në Kuvend, për Planin Kombëtar për flukset e përziera migratore për 3 vitet në vijim, parashikohet që qendrat pritëse do të jenë me kapacitet nga 100 deri në mbi 400 shtretër dhe synojnë të ofrojnë akomodim të menjëhershëm të migrantëve në kushte emergjente apo për t'u përballur me flukset e papritura migratore.

Për ngritjen e këtyre qendrave do të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese publike, hapësirat e braktisura ose truallin e lirë. Më konkretisht parashikohet që në qarkun Korçë të ngrihen 10 qendra, duke shfrytëzuar ambientet e ish-Tap në fshatin Floq, hapësira në qytetin Bilisht dhe në fshatin Bitinckë me mbi 11,500 m²,  ish-depot e Rezervave Shtetërore në Lozhan të Maliqit, apo hapësira të tjera si fusha sportive e Pustesit dhe Goricës së vogël. Po ashtu edhe bashkia Pogradec dhe Kolonjë do të krijojnë mundësinë e ngritjes së qendrave me kapacitet të konsiderueshëm.

Në qarkun e Gjirokastrës parashikohet të ngrihen të paktën 3 qendra pritëse në struktura ekzistuese ish-Rezervat Shtetërore, pranë Stadiumit “Karafil Çaushi” në Memaliaj si dhe spitali i qytetit dhe konviktet në qytetin e Përmetit.

Vlora pritet të kthehet në një nga qendrat kryesore të pritjes së emigrantëve, me hapësira të dedikuara në konviktet e “Qytezës së Studentit” dhe të Shkollës Industriale, si dhe objekte që mund të përshtaten si Pallati i Sportit “Flamurtari”, Shkolla e Marinës dhe zyrat e Njësisë Administrative Novoselë me kapacitete deri në 300 shtretër. Fshati Peshkopi në Selenicë ofron po ashtu një terren me kapacitet deri në 250 persona. Në Bashkinë Delvinë dhe Himarë janë identifikuar stadiumet e qytetit dhe ambientet e shkollave publike. Ndërsa Bashkia e Konispolit do të vërë në dispozicion tre shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi ofrojnë një kapacitet total prej rreth 410 personash.

Përveç këtyre strukturave parashikohet edhe ngritja e një qendre të re pritëse specifike për fëmijët e huaj të pashoqëruar deri në vitin 2026, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian

Plani Kombëtar i Kontigjencës parashikon shpenzime për paga, shpenzime korrente dhe investime për periudhën 2026–2028, të cilat mund të varijojnë sipas katër skenarëve të ndryshëm të përshkallëzimit të flukseve migratore, nga 195.6 milionë lekë në rreth 708.7 mln lekë në raste krizash.

Sipas statistikave, në Shqipëri në vitin 2023 u futën në mënyrë të paligjshme 178,000 mijë emigrantë, ndërsa në vitin 2024 ranë në 63,600. Sirianët, Afganët, Marokenët dhe Pakistanezët janë kombësitë kryesore që kalojnë nga Turqia, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh i grave dhe fëmijëve të pashoqëruar kërkojnë mbrojtje, duke nënvizuar nevojën për një përgjigje më të ndjeshme ndaj këtij grupi vulnerabël.

 

(Kliko këtu për të lexuar planin kombëtar për flukset migratore)

(Kliko këtu për të lexuar relacionin e plote)